Debate, akuza dhe tone të ashpra, ndërsa kryefjalë ishte çështja ‘McGonigal’. E tillë ishte seanca e sotme plenare, ku në gati 2 orë e gjysmë deputetë të opozitës u përplasën me qeverinë ‘Rama’.

Ndonëse në rend dite ishte parashikuar një interpelancë me kryeministrin Edi Rama, i thirrur nga deputetë të grupit të Alibeajt, kreu i qeverisë ka munguar në seancë, duke ia deleguar ‘detyrën’ ministres për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.

Pas komunikimit që bëri kryeparlamentarja Lindita Nikolla, kjo gjë solli debate dhe tensione në sallë.

Deputetët e PD-së bllokuan disa herë foltoren, duke bërë që Nikolla të ndërpriste dy herë seancën, por pa asnjë rezultat në fund.

Nga ana tjetër deputetët opozitarë kundërshtuan mospraninë e Ramës në sallë duke i rënë tavolinave me duar dhe bidonë me ujë, bllokuar foltoren, apo dhe më tej akoma, duke i rënë bilbilave.

Duke marrë shkas nga kjo situatë, Nikolla përjashtoi nga salla Gazmend Bardhin, ndërsa paralajmëroi të tjerët me të njëjtën masë.

Por, pavarësisht situatës kaotike në sallë, kryeparlamentarja Nikolla vijoi me miratimin e rendit të ditës, duke kaluar projektligjet vetëm me votat e maxhorancës.

ZHVILLIMET
Bardhi: Nuk u kap Elisa me zyrtarin e FBI, por…

Pas disa minutash ndërprerje, ka rinisur seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë. Deputetët e opozitës kanë bllokuar sërish foltoren, pasi nuk janë dakord që kryeministri Edi Rama të delegojë ministren Elisa Spiropali për interpelancën e kërkuar prej tyre.

Deputeti Gazment Bardhi tha se nuk ka kërkuar interpelancë me Spiropalin, por me Ramën.

“Nuk kam kërkuar me Spiropalin, por me Ramën. Nuk është kapur Spiropali duke korruptuar një zyrtarë të lartë, por Rama. Nuk po bëj interpelancë për një çështje të Këshillit të Ministrave, por veprimtari private të kryeministrit. Problemi është se Edi Rama ka frikë. Rama tenton të keq përdorë një zonë që në rastin konkret është ministre dhe të fshihet pas fustanit të saj.

Të vijë këtu të japë shpjegime, të sqarojë opinionin publik se ku i ka gjetur paratë të korruptojë zyrtarin e FBI. Më gjeni ku e thotë rregullorja që kryeministri që thirret në interpelancë mund ta rekomandojë tek dikush tjetër. Unë kërkoj shpjegime për veprimtarinë e kryeministrit. E përsëris, bëhuni serioze, ushtroni autoritetin, ju jeni si garante e Kushtetutës dhe rregullores.

Nuk jemi Republikë kryeministrore që vendos Edi Rama nëse duhet të vijë të japë llogari apo jo. A mund të dimë sot se për çfarë arsyeje nuk është këtu të japë llogari, apo ka marrë parë raport? Ne e dimë përse fshihet…”, tha Gazment Bardhi.

ZHVILLIMET

Kaos në Kuvend/ PD e kërkon në interpelancë për çështjen “McGonigal”, Rama iu lë Spiropalin për t’u përgjigjur.

Kryeministri Edi Rama ka deleguar ministren e shtetit për marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali, për interpelancën urgjente të kërkuar nga deputetët e opozitës, për çështjen e ish-zyrtarit të FBI, Charles McGonigal.

“Do vijojmë me interpelancë urgjente me kryeministrin me një grup deputetesh të opozitës. Kryeministri ka deleguar ministren Elisa Spiropalin për këtë interpelancë”, -u shpreh kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla.

Ky njoftim nuk u prit aspak mirë nga deputetet e opozitës, të cilët kanë kërkuar që jetë kryeministri Rama ai që të japë përgjigje për çështjen në fjalë.

Pas fjalës së Spiropalit, Gazmend Bardhi nuk pranoi që të vijojë interpelancën me ministren duke detyruar kryetaren e Kuvendit, Nikolla që të ndërpresë seancën dhe të rifillonte pas 10 minutash pushim.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb