Drejtuesi dhe gazetari i emisionit ‘’Real Story’’ në News24, Sokol Balla raporton nga Virxhinia e SHBA, situatën kaotike dhe protestën e dhunshme në godinën Capitol në Uashingon ku ndodhet dhe Kongresi amerikan.

Sokol Balla thotë se situata në mos e frikshme, është e trishtueshme pasi SHBA po kalon orë të errëta dhe rendi sot është shkelur kokë e këmbë.

Balla shton se sipas burimeve të tij në SHBA situata mund të rëndohet gjatë natës, teksa duke cituar një mikun e tij blogger pro Trump, Presidenti në detyrë i SHBA mund të përdorë ‘butonin nuklear’.

Ky veprim do të sillte nxjerrjen e ushtrisë në rrugë për të vendosur rendin, edhe pse Uashington DC këtë pasdite do të mbyllë gjithë qarkullimin për banorët në një tentativë për të frenuar trazirat.

”Unë jam në Virxhinia, në një vizitë private në Uashington. Siç e kemi parë, Capitol po i ngjan më shumë parlamentit të Shkupit se sa Kongresit.

Kreu i Senatit, njeriu më i rëndësishëm i republikanëve hodhi poshtë kërkesën e Trump. Afër Kongresit shpërtheu dhuna, protestuesit u futën në Kongres. Ngjarja ka vazhduar dhe vazhdon. Ka ende protestues brenda. Flitet për një grua që po mjekohet për plagë.

Trump në një përpjekje për të ulur shkallën e tensionit, ka udhëzuar të jenë paqësorë, por jo të largohen. Situatë e paprecedentë, gjendja e sigurisë ishte e rrëzuar dhe dje. Isha në protestën, situata është e komplikuar sepse po shtyhet në kohë certifikimi i fitores së Biden. Sipas disa burimeve, situata mund të rëndëohet gjatë natës, si dje që pati të plagosur.

Një miku im që është blogger pro Trump, më pohoi se Trump ka butonin nuklear, një urdhër i ngjashëm me 2018, dhe thirrja në fuqi e aktit të vjetër për të nxjerrë ushtrinë. Ushtria sicc e dini vetë kur bëhet protesta në Uashington.

Sigurisht që ka patur lëvizje të caktuara. Ka tension. Pak veta mendojnë se Trump mund ta përdorë ushtrinë në rrugë, ushtarët që keni parë në rrugë është Garda Kombëtare. Është aty me kërkesë të kryebashkiakes së Uashingtonit, që e kërkoi, dhe ka që dje në rrugë. Trump i ka bërë thirrje Gardës Kombëare të mbështesë Policinë. Rendi sot është i shkelur nga koka tek këmbët.

Praktikisht që ta kuptoni Uashington nuk është pjesë e Virxhinias, do të administrohet ndryshe. Me siguri do të mbyllen nga Garda Kombëtare që do patrullojë qytetin dhe nuk do lejojë asnjë qytetar të qarkullojë jashtë. Shumë makina po nxitojnë të shkojnë në Uashington, të jenë në 4,5 e 6 të mbasdites, të jenë brenda orarit zyrtar se do mbyllet. Situata në mos e frikshme është e trishtueshme. SHBA po përjeton orë të errëta, por ky komb dhe kjo demokraci, frymëzuese për të gjitha popujt që duan demokracinë dhe lirinë, do e gjejë shumë shpejt. Deri më 20 janar, ka shumë pikëpyetje.”- tha Sokol Balla.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb