TIRANË

Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike më 25 prill, Belind Këlliçi, komentoi në rubrikën “Opinion”, në News24, arrestimet e SPAK në Ministrinë e Brendshme për abuzimet me tenderin 2.8 miliardë lekë të uniformave të Policisë së Shtetit.

Këlliçi përshëndeti punën e SPAK, por tha se arrestimi i 9 zyrtarëve të thjeshtë për një abuzim me vlerë kaq të madhe nuk mjafton, pasi sipas tij, duhen zbuluar e çuar para drejtësisë porositësit e vërtetë të këtij abuzimi.

“Nuk është çështje mosbesimi ndaj institucioneve. Në MB janë të arrestuar sot që flasim 9 zyrtarë të thjeshtë për një tender 30 miliardë lekë, por nuk kemi asnjë zyrtarë të lartë të arrestuar. Nëse ka një shqiptar që mendon se një tender me këtë vlerë aq të madhe jepet pa dijeninë e ministrit, zyrtarëve të lartë apo dhe kryeministrit, kjo është e pamundur. Ka zyrtarë që nuk kanë firmosur për këtë tender dhe uroj që dëshmitë e tyre të nxjerrin emrat e porositësve të vërtetë. Kapelja e komandantit të përgjithshëm të karabinierëve italianë që është 80% e punuar me dorë, e firmës Armani, që është ndër firmat më të shtrenjta në botë, kushton 135 euro, ndërsa kapelet e policëve të thjeshtë shqiptarë kanë pasur vlerën e 350 euro. Uniformat e Policisë së Shtetit, që vetë policia ankohet se nuk mund t’i lajnë se ju del boja, që janë të nxehta në verë e të ftohta në dimër, kanë kushtuar miliona. Për gjithë këtë abuzim janë të arrestuar vetëm 9 anëtarë të thjeshtë.

Po Fatos Tushen në mandatin e tretë e zbuloi Edi Rama se është i korruptuar? Edi Rama është i vetmi në rajon, por edhe në Evropë, që ka kandiduar në poste të kryebashkiakëve njerëz me precedentë kriminalë. E vetmja arsye e kësaj ka qenë për të vjedhur. Të gjithë këta abuzojnë me buxhetin e shtetit dhe vjedhin vota për Edi Ramën. Pra, e gjitha është një fars, që i serviret opinionit publik, sikur Rama është dashamirës i luftës ndaj korrupsionit, kur gjithë të korruptuarit i ka në gjirin e tij. Unë uroj që lufta ndaj korrupsionit të vazhdojë, se koha i ka dhënë të drejtë PD-së për të gjitha denoncimet.

Ama nuk duhet harruar se SPAK nuk jep përgjigje për denoncimet e bëra ndaj Erion Veliajt për shembjen e Teatrit. Nuk duhet të kemi dy standarde, duhet t’i shkohet deri në fund edhe Erion Veliajt, edhe Edi Ramës. Unë uroj që institucionet e reja të drejtësisë të jenë të pavarura dhe t’i shkojnë deri në fund hetimeve.
Në Ministrinë e Brendshme ka dhe tender tjetër, ai i mishit, në vlerë e 30 milionë lekëve. Këtë tender e ka fituar një kompani, që në datën kur është shpallur fituese, nuk kishte emër. Kam frikë se do të shohim sërish ndonjë punonjës të thjesht, që do të mbajë përgjegjësi për këtë tender. Unë jam skeptik për institucionet e reja të drejtësisë. Të gjitha operacionet e SPAK deri më tani kanë qenë minore”, tha Këlliçi.

E keni bërë denoncimin në SPAK?
Janë dy tendera të marrë nga një person që është në arrati. Grupi i PD po sheh edhe referimin në SPAK të kësaj akuze, por nuk mundet PD të kthehet në zyrë kallëzimesh, duhet të jetë qasja e vetë SPAK, që t’i çojë deri në fund të gjitha aferat korruptive në vend. Kjo është punë që duhet ta bëjnë organet ligjzbatuese. Ne kemi kallëzuar në SPAK 180 raste të krimeve zgjedhore dhe ende nuk ka asnjë reagim. Kam një të dhënë që SPAK në raport me kallëzimet për Qarkun e Durrësit ka kërkuar të dhëna nga KQZ, por kjo është e pamjaftueshme. Unë shoh që çështjet shpesh trajtohen me karakter politik, kur korrupsioni këtu është një gangrenë. Uroj që SPAK të cojë para drejtësisë peshkaqenët e këtij vendi, që kanë vjedhur qindra miliona lekë të këtij vendi. Shqiptarët po ikin, këtu nuk ka më shpresë. Shumë kanë ikur edhe pas 25 prillit, sepse ata i kishin dhënë vetes edhe një mundësi për të qëndruar, por kur kryefjala e zgjedhjeve ishte shit-blerja, ata janë larguar në masë. Nëse vazhdojmë me këto ritme, ky vend rrezikon të shpopullohet.

Kthimi i tyre do jetë pjesë e strategjisë që do të ndiqni ju në aksionin e ri politik?
Të gjitha këto do të jenë tema diskutimi, që nga Kryesia e PD, që do të mblidhet të enjten. Nuk janë vetëm propozimet e z. Basha, por janë edhe zyrtarë të tjerë që kanë paraqitur propozimet e tyre me shkrim për ndryshime statutore. Nëse do të futemi apo ju në Kuvend në shtator është ende në diskutim. Do të jetë një vendim unanim nga demokratët. Kjo do të vendoset nga Kuvendi Kombëtar i PD. Forumi i vetëm që jep unanimitetin e një vendimi është Kuvendi Kombëtar, ndaj dhe ky vendim kaq madhor do të shkojë për diskutim aty, ku do të merret edhe vendimi

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb