BERAT- Policia e Beratit ka sekuestruar rreth 19 kg marijuanë dhe ka vënë në pranga 4 persona, mes tyre vëllai i kreut të Bashkisë së Poliçanit. Sipas burimeve zyrtare, droga është gjetur në biznesin e 46-vjeçarit Artur Zotkaj, vëllait të kryebashkiakut Adriatik Zotkaj.

Mësohet se nga ana e Sektorit Kundër Narkotikëve në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, pas një hetimi disa mujor me metoda proaktive, u finalizua me sukses operacioni i koduar “PRONOVIK”, ku si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë 4 shtetas:

Artur Zotkaj, 46 vjeç, banues në Poliçan.
Kreshnik Hysenbelli, 24 vjeç, banues në Poliçan.
Abedin Nurellari, 38 vjeç, banues në Poliçan.
Destared Allko, 23 vjeç, banues në Skrapar.

Gjithashtu është shpallur në kërkim shtetasi E.H, 22 vjeç, banues në Poliçan

Arrestimi i shtetasve të mësipërm dhe shpallja në kërkim e 22-vjeçarit u bë pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet të kenë konsumuar elementet e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në biznesin e shtetasit Artur Zotkaj iu gjetën dhe sekuestruan një sasi prej 19,030 kg lëndë narkotike  e dyshuar marijuanë. Materialet i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Ndërkohë, gazeta Panorama ka siguruar edhe detaje nga Prokuroria e Beratit, e cila sqaron se hetimet e nisura ndaj shtetasit Kreshnik Hysenbelliu, i dyshuar për ‘prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike’, çuan në identifikimin e personave të tjerë. “Me date 10.09.2015 nga Prokuroria prane Gjykates se Shkalles se Pare Berat eshte rregjistruar procedimi penal ndaj ketij shtetasi. Gjate kesaj kohe ka rezultuar se shtetasi Kreshnik Hysenbelli ka komunikime te dyshuara per shitje lende narkotike me nje person, i identifikuar me pas si shtetasi Artur Zotkaj , banues ne Poliçan, si dhe me nje shtetas italian, i identifikuar si Fabricio. Me date 15.09.2015, Kreshniku ka diskutuar me nje shtetas te identifikuar si Miço ( Emiliano Hysenbelli) ne lidhje me shitjen e nje sasie lende narkotike”,­ njoftin Prokuroria e Beratit.

Ndërsa shton se personat e përmendur më lart gjatë kësaj kohe kanë kryer diskutime në lidhje me shitjen e një sasie lënde narkotike të kultivuar nga shtetasi i identifikuar si Toni. Pas nisjes së hetimeve, dy ditë më pas Prokroria njoftoi se u bë i mundur lokalizimi i ambientit ku po mbahej lënda narkotike, e cila po përpunohej në një ambient biznesi në lagjen “Xhenio” në Poliçan, pronësi e Artur Zotkajt.
(m.k/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: