Policia e Fierit ka finalizuar operacionin e koduar “Porosia”, duke goditur një rast të trafikimit të minave me telekomandë.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 2 mina me telekomandë, s dhe arrestohet në flagrancë poseduesi i tyre.

Njoftimi i policisës:

Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e rasteve të trafikimit të armëve të zjarrit e lëndëve plasëse, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë policore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Fier, në bashkëpunim me forcën e posaçme “Shqiponjat”, finalizuan me sukses operacion policor të koduar “Porosia”, si rezultat i të cilit u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:

E. J., 33 vjeç, banues në Pezë, Tiranë.

Nga kontrolli i ushtruar nga shërbimet policore, në vendin e quajtur “Vija e Ngjalës”, në mjetin tip “Benz” me të cilin ky shtetas udhëtonte, iu gjetën 2 elektrodetonatorë të montuar në brendësi të lëndës plasëse të lidhur me celularë, të gatshme për shpërthim të kontrolluar, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Vijon operacioni për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb