Kapet në Gjermani dhe arrestohet me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, një 45-vjeçar shqiptar i kërkuar prej vitesh.

45-vjeçari, i dënuar me 15 vjet burgim, për vrasje me paramendim dhe armëmbatje pa leje.

Në kuadër të bashkëpunimit mes strukturave të Policisë së Shtetit dhe atyre të Policisë gjermane, falë sigurimit të informacionit përmes inteligjencës informative dhe shkëmbimit të tij në kohë reale mes dy palëve, në kuadër të operacionit policor të koduar “Second”, Policia gjermane kapi dhe vuri në pranga shtetasin:

Marlen Tome (Toma), 45 vjeç, banues në Durrës. Gjykata e Shkallës Parë Durrës e ka dënuar këtë shtetas, me 15 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”.

Në vitin 1998, në një lokal nate në Durrës, shtetasi Marlen Tome, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri, rojën e lokalit, i cili ka ndërruar jetë në vendngjarje.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Wiesbaden/Gjermani, vijon procedurat për ekstradimin e këtj shtetasi drejt vendit tonë.

Ngjarja

Mëngjesin e datës 14.03.1998, dëshmitari Fatmir Metani me klasën e tij, kane organizuar një mbrëmje vallëzimi në “ Pub”-in e qytetit të Durrësit, ku punonte si roje viktima Filip Dhima. Paraditen e kësaj date, dëshmitari Fatmir Metani i ka dhënë automjetin e tij të pandehurit Marlen Toma, ku i pranishëm ka qenë edhe i pandehuri Artan Hymeri, të cilëve u ka bërë ftesë që të vinin në disko nëse dëshironin. Rreth orës 12.30 të pandehurit kanë vajtur tek disko dhe kanë tentuar qe të futen brenda, por kanë ndeshur në kundërshtimin e rojës, viktimës Filip Dhima, të cilin pas acarimit me të, i pandehuri Marlen Toma e ka qëlluar me armë zjarri duke i shkaktuar vdekjen. Pas kësaj të dy të pandehurit janë larguar me automjetin qe kishin në përdorim. Pas goditjes së viktimës, jashtë diskos ka patur kundërpërgjigje me armë zjarri, nga ku është plagosur edhe i pandehuri Marlen Toma. Por që personi që ka qëlluar në drejtim të tij nuk është identifikuar.

Bazuar ne këto rrethana faktike, gjykata e shkallës së parë dhe gjykata e apelit, e kanë cilësuar veprën e kryer nga të pandehurit si vrasje me dashje të kryer në bashkëpunim, në bazë të nenit 76 e 25 te Kodit Penal. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, bazuar në materialet e dosjes gjyqësore dhe në rrethanat e pranuara nga gjykatat e faktit, çmon se prej tyre nuk janë zbatuar drejt dispozitat e Kodit Penal.

Ashtu siç arsyetojnë edhe gjykatat, ekzekutor i vrasjes së viktimës Filip Dhima, është i pandehuri Marlen Toma. Pretendimet e ngritura në gjykim nga mbrojtësi i këtij të pandehuri, se ai nuk është autor i veprës penale janë rrezuar nga gjykatat me provat e administruara në gjykim, si thëniet e dëshmitarëve dhe analiza e AND-së së gjakut të tij, si dhe me prova të tjera të administruara në përputhje me ligjin. Por e pranuar ngjarja siç arsyetojnë gjykatat në bazë të provave të administruara, vepra penale nga ky i pandehur nuk është kryer në bashkëpunim me të pandehurin Artan Hymeri.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb