ITALI- Një operacion i përbashkët i Policisë italiane dhe asaj shqiptare ka çuar në sekuestrimin e një sasie të madhe droge në Brindisi. Bëhet fjalë për një ngarkesë me plot 1 ton hashash e cila ishte transportuar me një skaf nga Shqipëria.

Mësohet se gomonia ishte nisur nga brigjet e Vlorës, por është pikasur nga radarët. Nuk ka ende persona të arrestuar, ndërsa gjatë operacionit ka pasur edhe të shtëna me armë.

OPERACIONI
Rreth orës 22:00, të mbrëmjes së 18 shtatorit, në lumin Vjosë, në afërsi të Urës së Mifolit, nga ana e shërbimeve të Policisë është identifikuar një mjet i dyshimtë lundrues. Mjeti është larguar me shpejtësi pasi ka parë lëvizje në afërsi të tij.

Menjëherë është njoftuar Policia Kufitare Vlorë. Rreth 2 kilometra nga grykëderdhja e Vjosës, patrulla e Policisë Kufitare, e planifikuar në shërbime në atë vend, i ka bërë shenjë dhe thirrje mjetit që të ndalojë. Thirrjes për të ndaluar, drejtuesi i mjetit nuk i është përgjigjur, por ka shtuar shpejtësinë. Nga ana e shërbimeve të Policisë është hapur zjarr në ajër për ta ndaluar por përsëri mjeti ka vijuar me shpejtësi të madhe.

Shërbimet e Policisë në momentin që i kanë bërë thirrje të ndalojë, kanë identifikuar mjetin lundrues, tip gomone me tre persona në bord i ngarkuar me disa thasë.

Ndërkohë pas njoftimit të marrë nga organet kompetente të Policisë së Shtetit, nga ana e shërbimeve të Policisë Kufitare Vlorë të repartit special “Delta” në bashkëpunim me forcat e njësisë së Guardia di Finanza në Vlorë është organizuar operacioni për kapjen e mjetit.

Me gjithë reagimin e shpejtë të forcave policore, mjeti ka arritur të largohet i ndihmuar edhe nga moti i keq. Në ndjekje të mjetit janë vënë mjeti i Policisë Kufitare Vlorë, mjeti i repartit Special Delta Forcë dhe mjeti i Guardia di Finanza.

Megjithëse moti ishte shumë i keq dhe binte shumë shi, është vijuar me ndjekjen e mjetit deri në ujërat ndërkombëtare dhe njëkohësisht nga ana jonë janë njoftuar kolegët e Guardia di Finanza në Bari.
Shërbimet e Policisë Kufitare Vlorë, Repartit Delta dhe Guardia di Finanza, kanë qëndruar në det deri në orën 05.00 të mëngjesit të sotëm kohë kur janë njoftuar se mjetet e Guardia di Finanza të Barit ishin në ndjekje te gomones.

“Rreth orës 06:00 nga Guardia di Finanza e Barit jemi njoftuar se, në territorin e Torre Santa Sabina, është kapur mjeti lundrues tip gomone me gjatësi 8.5 metra, me motor Merkuri 250, plus motor rezerve, si dhe 31 pako marijuanë, ndërsa tre trafikantët kanë arritur të dalin në breg dhe më pas të largohen”, deklaron policia shqiptare duke pohuar se vijon operacioni për kapjen e tre autorëve.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: