Publikohet historia e panjohur e rezistencës së armatosur që iu bë më 7 prill të vitit 1939 trupave ushtarake italiane të pushtimit në fshatin Bestrovë të Vlorës, ku bashkë me forcat vullnetare vlonjate, luftuan edhe disa ushtarë të një reparti të Mbretërisë Shqiptare, të komanduar nga kapiteni Gafurr Jegeni, me origjinë nga Dibra e Madhe dhe Mark Pjetër Doçi nga Kthella e Mirditës.

Dëshmitë e veteranëve vlonjatë: Abaz Kallarati, Shaqo Derri, Faik Bedini, Musa Muho etj., për kapiten Gafurr Jegenin dhe nëntoger Mark Pjetër Doçin, të cilët që në ditët e para të prillit 1939ë, organizuan në qytetin e Vlorës forca vullnetare të përbërë nga djem të rinj të cilët i armatosën dhe më datën 7 prill nën komandën e tyre i bënë një rezistencë trupave italiane gjatë zbarkimit në skelën e Bestrovës, ku mbetën shumë ushtarë të vrarë.

Të gjitha detajet e asaj ngjarje që u fshi dhe nuk u përmend nga historiografia e regjimit komunist dhe fati tragjik i organizatorit të asaj rezistence të armatosur, i cili pasi vuajti për katër vite në kampet e internimit në ishujt e Italisë për qëndresën e armatosur që iu kishte bërë italianëve më 7 prill 1939, 12 vjet më vonë, u ekzekutua pa gjyq nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, për incidentin e bombës në ambasadën sovjetike në Tiranë.

Në 7 prillin e vitit 1939, kur Italia fashiste e Benito Musolinit kreu agresionin ushtarak dhe pushtoi Shqipërinë, disa reparte ushtarake të Mbretërisë Shqiptare, të ndihmuara edhe nga forca vullnetare, bënë një rezistenë të armatosur, duke i gozhduar pushtuesit italianë për disa orë, si në: Durrës, Porto-Romano, Shëngjin, Ura e Baçallëkut, Shkodër, Vlorë, Bestrovë e Sarandë. Gjatë asaj rezitence të armatosur, ushtria italiane pësoi dëmtime të konsiderueshme në njerëz e arsenal ushtarak, por edhe nga repartet e Mbretërisë Shqiptare dhe forcat vullnetare që u shkuan atyre në ndihmë, pati humbje në njerëz. Por e gjithë ajo rezistencë, ndonëse simbolike që iu bë italianëve në 7 prillin e vitit 1939, si nga komandanti i Xhandarmërisë së Durrësit, major Abaz Kupi, e dhjetra ushtarakë të tjerë të Monarkisë së Zogut, u la në harresë dhe në historiografinë e regjimit komunist të Enver Hoxhës, përmëndej vetëm kapterri i Rojes së Financës së Marinës Mbretërore, Mujo Ulqinaku, i cili luftoi dhe ra heroikisht në afërsi të Torrës së Kalasë së Durrësit. Një nga ata ushtarakë të Mbretërisë së Zogut që organizoi rezistencën kundra pushtuesëve italianë në Vlorë dhe nuk u permënd kurrë gjatë viteve të regjimit komunist, ka qenë edhe kapiteni Gafurr Jegeni, me origjinë nga Dibra e Madhe, i cili u ekzekutua në vitin 1951 duke u akuzuar për incidentin e bombës në ambasadën sovjetike.

Po cila ishte e kaluara e Gafurr Jegenit, ku ishte shkolluar ai dhe çfarë karriere ushtarake pati gjatë viteve të Monarkisë së Zogut? Si e organizoi ai rezistencën ushtarake kundra pushtuesëve italianë në Vlorë dhe cilët ishin ushtarakët e tjerë që luftuan bashkë me të? Lidhur me këtë na njohin dëshmitë e shumta të disa veteranëve të nderuar vlonjatë, si: Abaz Kallarati, Shaqo Derri, Musa Muho, Faik Bedini, etj., që kanë qenë dëshmitarë okularë të asaj ngjarje të ndodhur atë ditë të largët prilli të vitit 1939, e cila nuk u pasqyrua kurrë në asnjë nga librat e historisë apo përvjetorët e ndryshëm që përkujtonin atë qëndresë simbolike që iu bë pushtuesëve italianë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Nga Akademia Italiane në rojen e kufirit
Gafurr Jegeni u lind më 15 gusht të vitit 1910 në qytetin e Dibrës së Madhe, prej nga është dhe origjina e familjes së tij. Familja Jegeni ishte një nga më të njohurat e asaj krahine dhe ndër burrat më të dëgjuar të atij fisi, ishin Tefiku, Shaqiri e Riza Jegeni, të cilët respektoheshin nga e gjithë paria e Dibrës. Fëmijria e Gafurrit kaloi nëpër vitet e Luftës së Parë Botërore, ku në shtëpinë e Jegenëve mblidheshin për të kuvenduar një pjesë e burrave më të njohur të asaj krahine, si dhe miqtë e tyre të familjes, Dine, që ishin bejlerët e Maqellarës. Pasi mbaroi shkollën fillore në qytetin e lindjes, Gafurri shkoi në qytetin e Peshkopisë, ku vazhdoi shkollën qytetëse në Internatin e Kastriotit. Pas mbarimit të asaj shkolle, ai erdhi në Tiranë dhe përfundoi Shkollën Ushtarake Mbretërore, ku bashkë me të asokohe studjonin edhe shumë djem të tjerë nga treva e Dibrës dhe e Kosovës. Pas mbarimit të asaj shkolle, Gafurri fitoi të drejtën e studimit dhe në vitin 1929 ai shkoi në Itali, ku për tre vjet me rradhë ndoqi studimet pranë Akademisë e Rojes së Kufirit.

Pas mbarimit të asaj akademie me rezultate shumtë të larta, ku fitoi dhe gradën e togerit, ai u kthye në Shqipëri dhe fillimisht u emërua në armën e Rojes Mbretërore të Kufirit. Si fillim ai u emërua në Drejtorinë e Armës së Kufirit pranë Komandës së Përgjithshme në Tiranë, si inspektor për një nga repartet e kufirit bregdetar që mbulonte zonën nga grykëderdhja e lumit Mat, deri në atë të lumit Shkumbin. Pas kësaj, nga viti 1935 e deri në vitin 1937, ai shërbeu me detyrën e Komandantit të Batalionit të Kufirit që mbulonte zonën nga Qafë-Thana, në Bilisht të Korçës. Në tetorin e vitit 1937, Gafurr Jegeni u transferua në qytetin e Vlorës, duke u caktuar si komandant i repartit të Rojes së Kufirit që ishte instaluar në Skelë, i cili mbulonte zonën nga grykëderdhja e lumit Shkumbin, deri në Himarë. Pak kohë përpara se të transferohej për në qytetin e Vlorës, Gafurri mendoi të krijonte familjen e tij dhe u maratua me Shyqërie Shijakun, të bijën e Islam Shijakut nga fshati Rekë i Dibrës së Madhe. Në atë detyrë të Komandantit të Rojes së Kufirit, Gafurri shërbeu me devotshmëri deri në prillin e vitit 1939, kur Italia kreu agresionin fashist ndaj Shqipërisë.

Dëshmia e Abaz Kallaratit nga Vlora
Ato ditë të para të prillit 1939, që u përhap lajmi se Italia po përgatitej për të zbarkuar në portet e Durrësit, Shëngjinit, Vlorës dhe Sarandës, Gafurri u angazhua tërsisht në organizimin e rezistencës së armatosur në molin zero të portit të Vlorës, ku kishin nisur dhe revoltat masive të popullit të atij qyteti. Lidhur me këtë, në kujtimet e tij, veterani Abaz Kallarati, i cili ka qenë një nga pjesmarrësit e rezistencës kundër pushtimit italian në qytetin e Vlorës, ka dëshmuar: “Unë disa vjet shërbeva në Xhandarmërinë e Vlorës. Në qytet keshë njohur edhe të tjerë vlonjatë, si Ibrahim Avdullai, Murat Tërbaçi, Beqir Velo e Tol Arapi, atdhetarë të ç’quar që ua dëgjonin fjalën tërë popullata dhe ishin kundër politikës së Italisë. Në fillim të prillit 1939, plasën revolta e demostrata nëpër qytete. Më 5 prill, mua dhe shokëve të mij, na thërriti ushtaraku Gafurr Jegeni, në një lokal në Skelë. Ai kishte qenë në Tiranë dhe në Kinema “Gloria” kishte parë një shfaqje ku me sa duket ishte thënë se Italia fashiste kishte qëllim të pushtonte Shqipërinë. Në Vlorë-tha ai, Italia e ka një bazë për të zbarkuar, se ka liman. Atje duhet me rezistue, me organizue djelmninë me pushkë. Po atë ditë e pashë Gafurrin edhe në Prefekturë në biseda me prefektin, ku u grind dhe diçka i kërkonte. Në prefekturë ishte një depo me armë që mund të armatoseshin 400-500 vetë. Gafurri kishte miq disa kaniniotë, si Beqir Velo, që mblodhi disa djem e rininë në gatishmëri në Ujë të Ftohtë, se atje ishte edhe moli. Më 7 prill 1939, ne u gjendëm rreth 123 veta në rërën buzë detit. Gafurri na ndau municione dhe ushqime. Kur pamë se anijet ushtarake italiane u afruan shumë afër, ne plasëm luftën. Në tërheqje drejt Sqelës, u vra Hamit Vasho (Gumenica)”, thuhet në dëshminë që Abaz Kallarati ka dhënë në 12 prill të vitit 1988.

Dëshmia e Shaqo Derrit e Musa Muhos
Një nga veteranët e tjerë vlonjatë, pjesmarrës në rezistencën kundër italianëve në 7 prillin e 1939, ka qenë edhe Shaqo Derri, i cili në mes të tjerash ka dëshmuar: “Atje nën ullinj ku kalon rruga ka qenë një lapidar në kujtim të kësaj lufte. Në Bestrovë u bë përpjekje e madhe me fashistët. Rezistenca e parë u bë në molin e Vlorës, organizuar nga vlonjatët dhe oficerët Gafurr Jegeni e Mark Pjetër Doçi. Siç më ka thënë togeri Shahin Jonuzi, (në Bestrovë, ai ishte komandant i baterisë “Semani”) u luftua me predha “Sharpnel” dhe fashistëve iu desh të shpërndaheshin nëpër ullishta për të zënë pozicione të tjera. Në këtë betejë u shquan edhe ushtarakë të tjerë si: Osman Pepmarku, e togeri Neshat Tefik Shehu, që ishte komandant i batalionit “Kaptina”. Përveç dëshmive të Abaz Kallaratit e Shaqo Derrit, një nga veterënët e tjerë vlonjatë që hedh dritë mbi ngjarjen e 7 prillit të vitit 1939, në qytetin e Vlorës dhe angazhimin e pjesmarrjen e kapiten Gafurr Jegenit në organizimin e rezistencës kundër pushtuesëve italianë, ka dëshmuar edhe ish-mësuesi i shkollës Tregtare të Vlorës, Musa Muho, i cili në mes të tjerash është shprehur: “Në ditët e para të prillit të vitit 1939, edhe në Vlorë u përhap lajmi se do të pushtohej vëndi nga fashizmi Italian. Në shkollën tonë erdhi kapiten Gafurr Jegeni dhe dy ushtarë nga Burreli. Na pritën sa zbritëm tek rrapi i Ujit të Ftohtë dhe pasi na pyetën na thanë se ç’duhet të bëjmë për të shpëtuar vatanin. Të nesërmen disa mësues e nxënës shkuan në Prefekturë dhe kërkuan shpjegime e armë që të ishin gati. Atje kudo dëgjohej thirrja: ‘Duam armë’. Më pas nën drejtimin e kapiten Gafurr Jegenit, Memisha Stepës e Mark Pjetër Doçit, ne u sulëm në drejtim të depove të Xhandarmërisë dhe si u armatosëm mirë, u nisëm në drejtim të molit ku u ndamë në formacione luftimi”.

Dëshmia e Faik Bedinit
Po kështu lidhur me rezistencën në bregdetin e Vlorës, ka dëshmuar edhe ish-ushtaraku e vetarani Faik Bedini, i cili në mes të tjerash është shprehur: “Në prillin e vitit 1939, unë kam qenë 17 vjeç dhe e kujtoj shumë mirë luftën që u bë në Skelë, sepse në atë kohë unë me familjen time e kishëm shtëpinë dhe banonim tamam në atë vënd. Kam parë edhe lëvizjet në Komandën e Rojes së Kufirit, që ndodhej po në Skelë. Pashë kur zunë pozicion në molin zero, ku ishin magazinuar blloqe bitumi të Selenicës, për t’u ngarkuar në anije e për t’u dërguar jashtë shtetit. Pashë kur filloi zbarkimi në mëngjez herët. Nga motoskafët zbrisnin pa pushim ushtarë italianë. Ndërkohë pashë kapiten Jegenin që dha urdhër sapo ushtarët italianë zbarkuan në tokë dhe u dëgjuan breshëri. Ranë përtokë disa ushtarë italianë dhe vala e parë e motoskafëve u zbraps. Por nuk vonoi dhe u panë të tjerë motoskafë ku prejt tyre filluan të gjuanin parreshtur, duke krijuar perde zjarri për të mbuluar ushtarët që zbarkonin. Lufta qe e ashpër. Më vonë kam marrë vesht se Gafurr Jegeni, si i çartur kishte thirrur në italisht: ‘Ku shkoni, ky vatan ka zot’. Pranë kapiten Jegenit ka qenë dhe nëntoger Mark Pjetër Doçi. Po kështu më kanë treguar se si kapiteni dhe nëntogeri u rrethuan nga trupat italiane dhe u arrestuan”.

Internimi në Itali dhe ekzekutimi nga komunistët
Pasi kapiteni Gafurr Jegeni u arrestua nga italianët për rezistencën që i’u bëri trupave të tyre pushtuese, ai u nxorr përpara gjyqit ushtarak, i cili fillimisht e dënoi me vdekje dhe më pas për arsye propagandistike, atij i’u fal jeta dhe u internua në ishujt e Italisë, ku ishin të internuar edhe me dhjetra patriotë të tjerë shqiptarë që kishin kundërshtuar pushtimin fashist italian të atdheut të tyre. Nga viti 1939 e deri në vitin 1943, kapiteni Gafurr Jegeni qëndroi i internuar në kampet e Italisë Jugut, në ishullin Gaeta dhe në Ventotene. Në ato kampe ai u takua edhe me kushëririn e tij, Ahmet Jegenin, i cili ishte internuar aty pasi nuk kishte pranuar që të bënte betimin para flamurit Italian, në Akademinë Ushtarake ku vazhdonte studimet. Gjatë gjithë asaj periudhe, ndryshe nga bashkëvuajtësit e tij, Gafurri u trajtua shumë keq nga fashistët pasi ish’konsulli Italian në Vlorë, Melani, ia kishte nxirrë dosjen. Nga ai kamp, Gafurri mundi që të lirohej vetëm në vitin 1943, nga ana e forcave aleate anglo-amerikane që kishin zbarkuar në Normandi.

Pas kthimit nga Italia në Shqipëri, kapiten Gafurr Jegeni nuk pranoi që të shërbente më në Ushtrinë Kombëtare Shqiptare e cila ishte nën komandën e italianëve dhe ai u tërhoq fare nga jeta ushtarake. Pas mbarimit të Luftës në vitin 1944, Gafurrit jo vetëm që nuk i’u njoh lufta që ai kishtë bërë në prillin e vitit 1939, por përkundrazi ai u pa me sy të keq nga ana e komunistëve që erdhën në pushtet. Kështu ai u arrestua nga Sigurimi i Shtetit në shkurtin e vitit 1951, dhe u ekzekutua pa gjyq së bashku me 22 persona të tjerë, duke u akuzuar për incidentin e bombës në ambasadën sovjetike në Tiranë. Bashkë me Gafurrin, po me të njëjtën akuzë për incidentin e ambasadës sovjetike, asokohe u arrestuan edhe kushërinjtë e tij, Myftar Jegeni, i cili u ekzekutua më 28 shkurt 1951 dhe Hajri Jegeni, i cili u dënua me 15 vjet burg. Po kështu nga fisi i Gafurr Jegenit, u dënuan dhe vdiqën nëpër burgje e internime edhe disa të tjerë si: Ahmet Jegeni, Isa Jegeni, Hysen Jegeni, Jusuf Jegeni, Ivzi Jegeni etj. Hakmarrja e regjimit komunist ndaj asaj familje të njohur për tradita patriotike, vazhdoi deri në vitin 1976, kur i internua Adhurim Jegeni, djali i Gafurrit, kapitenit të Monarkisë së Zogut i cili ndonëse kishte organizuar rezistencën antifashiste në Bestrovë të Vlorës në 7 prillin e vitit 1939, u pushkatua nga regjimi komunist i Enver Hoxhës në vitin 1951./Memorie.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb