Është në sezonin e tij të gjashtë si portier titullar i Partizanit, ku së bashku me Labinot Ibrahimin janë të vetmit që kanë mbijetuar nga Partizani i parë i epokës “Demi”. Kapiteni i të kuqve në prag të derbit të madh me Tiranën, por që mund të shpallë titullin kampion në rast suksesi, ëndërron që nesër të fitojë trofeun. Nga ana tjetër, ai shprehet se nuk kërkon që fitorja e nesërme të ndikojë për rrëzimin e Tiranës, pasi me rivalitetin e derbi të madh të kryeqytetit, ndeshja është më e bukur.

Të ngresh trofeun si kapiten në derbi, s’ka më bukur…

“I the të gjitha. Normalisht që nuk do të kishte më bukur. Kaq vite pritje. Një vit i gjatë me probleme dhe me strese dhe vjen momenti që mund ta kurorëzosh në dneshje derbi. Kam dëshirë që nesër të fitojmë trofeun. Shpresojmë të japin më të mirën”

I keni kaluar gjithë etapat e këtij Partizani, është derbi më i veçantë ky?

“Çdo derbi është i veçantë. Kemi qenë shumë afër titullit. Kësaj herë është ndryshe, është i veçantë. Normalisht në këto 6 vite ky do të jetë derbi më i bukur.”

Nëse Tirana bie nga Kategoria…

“Jo, kjo është kot. Janë përralla këto që ne na bëhet qejfi që Tirana bie nga Kategoria. Dinamo Tirana dueht të jenë në Superiore. Urojmë mos të jemi ne shkaku që Tirana të bie. Është e vështirë të mbushen stadiumet këtu, një ndeshje derbi e bën bukurinë e kampionatin shqiptar të ndiqet gjithandej. Kur flas me miqtë vetëm ndeshjet derbi u tregoj.”

Apel për tifozerinë?

“Apeli im është të jenë sa më të shëmtë. Në futboll është e vështirë të bësh parashikime. Do të japim maksimumin”

Është viti më i mirë në karrierë, shumë pak gabime?

“Besoj se është e vërtetë, sa vjen dhe mosha dhe krijon siguri, qetësi. Gjithë këto vite që ke kaluar presion, megjithatë mendoj se ka arritur maksimumi im”

Do ta bënit një paneka në penallti?

“Nuk e them se kap ai pastaj (qesh). Shpresoj të ketë penallti, do të jetë e bukur”

Si është morali i të tjerëve?

“Morali është i lartë, s’ka si të jetë ndryshe. Djemtë janë të qetë. 10 pikë larg janë qetësi. Edhe nesër nuk kemi presion”

Partizani nuk ka pasur rivalë, çfarë mendoni?

“Gjithmonë do të gjendet një gjë. Mendoj se Kukësi ka qenë rival i fortë, edhe Teuta. Kur shkëputesh të vjen inat që Partizani ka ikur shumë para dhe do të gjesh alibi pastaj që jo s’ka rivalë, e të tjera. Kemi bërë më pak gabime, ndaj jemi këtu. Nuk është se kemi pasur këto gjëra ne, që kemi fituar me arbitra, por është gjë e mirë që nuk përmendësh për gjëra të tilla. As ne nuk jemi marr me arbitrat, edhe të tjerët nuk janë marrë”

Nëse nuk e fitoni këtë derbi, mund të ndikoj te titulli?

“Jo nuk mendoj se do të ndikoj për keq, fati jon i mirë që jemi 4 ndeshje janë. Nuk e mendojmë, dëshira është ta mbyllim nesër. Ne duam titullin, s’ka rëndësi si e fitojmë me humbje apo fitore.”

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb