Moti i keq me rrebeshe shiu dhe stuhi ka përfshirë orët e pasdites qytetin e Beratit, duke shkaktuar probleme në çdo aks rruge dhe në shumë lagje.

I favorizuar edhe nga era e fortë,shiu ka bllokuar si rrugët kryesore ashtu edhe ato të shumë lagjeve të qytetit, duke vështirësuar lëvizjen e automjeteve dhe të këmbësorëve.

Rreshjet intensive të shiut që vijojnë ende të bien, kanë vërshuar në disa nga rrugët kryesore të qytetit që janë ende nën pushtetin e ujit dhe në shumë lagje, ku njerëzit po qarkullojnë me vështirësi. Situata më problematike paraqitet në akset rrugore: “Axgensi-Ura e Varur”, “Kthesa e Gjykatës”, “Stadiumi i Vjetër”, “Çelepias”, etj, ku uji ka vërshuar në çdo rrugë e lagje, ku është e pamundur të hysh në këmbë pa çizme.

Kjo situatë në Berat përsëritet sa herë që ka reshje intensive shiu dhe shkak për këtë mendohet të jetë bllokimi i tubacioneve nëntokësore të ujërave,të cilat kanë bërë që i gjithë uji të dalë në rrugët e qytetit dhe në çdo lagje.

Sipas raportimeve, edhe pse shiu vijon ende të bjerë pa ndërprerje, në rrugë kanë dalë shërbimet zjarrfikëse dhe punonjësit e shërbimit të bashkisë, të cilët po zhbllokojnë pusetat e bllokuara nga prurjet dhe janë në gatishmëri për çdo situatë të mundshme që mund të krijohej.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: