NGA PELLUMB GORICA

Udhëtimet jashtë Tiranës, në fundjavë, në gjirin e natyrës së mrekullueshme të vendit tonë, janë të këndshme dhe aq mbresëlënëse, sa kur kthehesh, pavarësisht nga lodhja fizike ndihesh i ripërtërirë e me një ndjenjë kënaqësie brenda vetes. Sepse në këtë vapë përvëluese të verës ka edhe ca oaze qetësie. Deti i tërheq të gjithë të pushojnë brigjeve të tij. Sidomos kur dita është e bukur e me diell, dhe e ngrohtë nën një qiell pafundësisht të kaltër, pa asnjë re, të jep mundësinë të shijosh udhëtimin drejt hapësirash të pashkelura për shumë syresh ndër ne.

DREJT VLORËS…
Mëngjesi është tepër premtues për një udhëtim drejt natyrës dhe detit. Është një nga ato mëngjese ku e ndjen të ngrohtin, por jo atë nxehtësinë që ka gjithmonë ky muaj. Pikërisht ky mot ledhatar është prova e pakundërshtueshme e një dite të re. Qyteti zgjohet nga lëvizjet e njerëzve dhe nga automjetet. Të jesh në pritje të një udhëtimi të ri në vendet turistike është emocion më vete. Tabelat e shkruara buzë rrugës me dritën e mrekullueshme të kësaj dite të urojnë një udhëtim të mbarë. Peizazhet ndryshojnë nga ndërtimet në të dy anët e rrugës, të cilat janë tregues i shpërthimit të vrullshëm të veprimtarisë ekonomike. Katrorët e fushave, përmasat e kodrave dhe lumenjve, fshatrat e shumta dhe qytetet me radhë trazohen e formojnë një qilim shumëngjyrësh, po të përvëluar nga dielli i verës. Po udhëtojmë drejt Vlorës dhe shpesh na parakalojnë makina të shumta me shpejtësi.

Vlora është një qytet me një histori madhështore, që kurrë nuk i kanë munguar kontributet e saj në dobi të kombit. Por si çdo qytet, që ka të veçantën e tij, Vlora me natyrën e pacaktuar në çdo stinë, por sidomos në verë është e vizitueshme nga shumë turistë. Zhurmat e makinave që kalojnë bri nesh, zërat e kalimtarëve dhe murmurima e valëve të detit e bëjnë më kumbuese ardhjen tonë, si parathënie e një çlodhjeje të udhëtimit prej disa orësh. Por ajo që e bën të bukur qytetin e Vlorës është pikërisht magjia e detit. Para syve ai shtrihet i kaltër si një pasqyrë gjigante. Në horizont spikasin kodra të veshura me ullinj dhe male hijerënda, të radhitur përbri njëri- tjetrit, e të mbështjellë nga një hartë resh të bardha. Ashtu si natyra që ka krijuar kufij të pakapërcyeshëm, malet dhe deti janë kurorë dhe vlera e veçantë e Vlorës. Anijet e ankoruara, varkat, çadrat dhe shezllonët e bëjnë më të padurueshme dëshirën të jesh pranë tij. Ecim nëpër rrugën transballkanike që të çon në periferi të qytetit.

Kalojmë Ujin e Ftohtë, i cili është i njohur për pamjen e tij të mrekullueshme. Është një rrugë e gjallërueshme sidomos në verë, e mbushur me ndërtime që i ngjiten faqes së kodrës. Ato kanë mbirë gjithandej buzë detit, kryesisht në pallate shumëkatëshe dhe vezulluese, afër njëra-tjetrës, aq sa të zihet fryma kur kalon përbri tyre. Por akoma pa kaluar tunelin e Ujit të Ftohtë, trafiku, zhurma dhe pluhuri e bëjnë kaotik udhëtimin. – Çfarë po bëjnë me këtë pjesë rruge? – pyesim një burrë të moshuar teksa ndalojmë për pak çaste. Por në fjalët e tij ka një frymë revolte, e cila është përgjigje e thatë si e çdokujt kur e pyet shpejt e shpejt. – Po e shtrojmë, pasi ka vite që po zgjerohet dhe nuk dihet se kur do mbarojë. Ndërsa dalim nga tuneli, të rëndon shikimin dendësia e ndërtimeve me komplekse të larta, ngjitur me njëra-tjetrën buzë detit deri tej Orikumit, e shumica prej tyre hotele. Pak më tutje, në Jonufër, në vazhdën e surprizave të pakëndshme të bien në sy ndërtime pa kriter, toka e kafshuar egërsisht, ndotje dhe plehra që hidhen vend e pa vend si diçka e zakontë. Natyrisht, në buzë të rri pyetja: Kur do të mbarojnë një herë e mirë këto ndërtime të nëmura?!… Duhet ta ruajmë natyrën nga dëmtimet e të papërgjegjshmëve dhe përfituesve abuzivë, të cilët me egon e tyre po e shkatërrojnë atë, duke mos menduar për pasojat që vijnë sojesh.

Të respektojmë natyrën, sepse, duke e shkatërruar atë nuk kemi të drejtë më pas të ankohemi. Jemi në dijeni të prishjes së këtyre ndërtimeve në emër të zhvillimit të turizmit dhe progresit. Por, sikurse ekzistojnë qenie njerëzore që prodhojnë energji, drejtësi për të tjerët, e lënë gjurmë në emër të së mirës, në të njëjtën kohë ekzistojnë dhe qenie njerëzore të tilla në emër çnderues të vlerave, të veshur e ngjeshur me pushtet, që vjedhin e shkatërrojnë natyrën, të mirën, të bukurën e pasurive tona kombëtare. Gjiri i Vlorës me natyrën interesante që ka përreth, ujërat e kristalta, plazhet e shumta i bën pa dyshim vizitorët të kalojnë pushime të këndshme. Midis gjërave që ofrohen këtu, vizitorët kanë mundësi zgjedhjeje jo vetëm duke u rrezitur në plazh, por edhe të eksplorojnë brigjet dhe panoramat e shumta të Gadishullit të Karaburunit, i cili nuk është larg, por shumë i dëshiruar nga të gjithë.

KARABURUNI
Po shkojmë drejt tij në një shëtitje në det si një vend ideal për pushime ditore, edhe pse në Shqipëri vende të bukura ka plot. Po pak dihet për vlerat e mëdha të tyre… Vitet e fundit udhëtimi me anije e mjete të tjera lundruese këtu është kthyer në një destinacion të dëshirueshëm për pushuesit e shumtë që kanë preferuar brigjet e Vlorës, e sidomos për të gjithë ata që dëshirojnë t’i ikin rutinës dhe ritmit ditor të qyteteve të mëdha. Me shëtitjen romantike nëpër peizazhet e Karaburunit udhëtarët ndihen të gëzuar dhe të mrekulluar. Natyrisht, ardhja jonë këtu është një kënaqësi me të vërtetë e paharrueshme, edhe në një qëndrim që zgjat disa orë me risinë joshëse e të pashtershme në shpirt. Karaburuni ka formën e gadishullit, ndaj emërtohet si i tillë, dhe është një prej atyre vendeve të lakmueshme.

Një mal shkëmbor i rrethuar nga deti, me pak gjelbërim dhe që të vret sytë me panoramën e tij gri. Kjo është përshtypja e parë e çdokujt që vështron natyrën e tij, blunë e detit me afsh dielli nën pasqyrën e kaltër të qiellit. Tharmi i kësaj natyre duhet shfrytëzuar akoma më shumë për të mirë në zhvillim të turizmit. Dikur para viteve ’90, por edhe vite më pas, Karaburuni dhe Sazani ishin një ëndërr për shumicën e shqiptarëve për të shkelur dhe pushuar pranë brigjeve të tyre, por sa ëndrra nuk u realizuan dot atëherë, sepse këtë privilegj e kishte një pakicë. Të shkelje aty përbënte sekret ushtarak. Duhej leje e posaçme nga Dega e Brendshme… Ndal, zonë kufitare!…Kur erdhi demokracia (një kapërcyell që do të ishte i dhimbshëm), rrodhën në të ngjarje të rënda. Për të mbushur xhepat e “skllevërve” të parasë lulëzoi këtu biznesi i trafikut të qenieve njerëzore drejt brigjeve italiane.

Ishte koha kur shqiptarët, dhe jo vetëm ata, u dyndën për të gjetur rrugë të papërshtatshme të kalonin detin, të cilat shpesh ishin me humbje jetësh njerëzore. Kjo gjendje vazhdoi vite me radhë, dhe ne të gjithë i kujtojnë tragjeditë e rënda që ndodhën e u përjetuan aty. Deti është dëshmitar i humbjeve, të cilat jetojnë në dhimbjen e nënave dhe baballarëve, motrave e vëllezërve. Shoqërisë njerëzore i duhen kujtuar këto ngjarje. Harresa e tyre është gabim i madh. Asgjë nuk duhet harruar, sepse u bë e mundur të frenohej disi fenomeni. Erdhi një kohë që u zhvillua turizmi (i cili duhet të lulëzojë më shumë nga iniciativat private), edhe pse do të përballej me probleme e pengesa absurde, siç ishte moratoriumi për ndalimin e mjeteve të vogla lundruese, – një dëm për zhvillimin e tij, duke ngritur përsëri mure të mbyllura për këto peizazhe të bukura.

“NË DET”…
Ndalemi në Radhimë. Jemi pak metra larg detit që llokoçitet lehtë bregut. Një nga një zbresim nga autobusi për t’u gjendur pranë tij. Një fllad i këndshëm e gjallërues endet bregut që e dallgëzon lehtë detin. Dielli i ngrohtë, por jo shumë i nxehtë. Akomodohemi në anijen “Rexhina” për të pritur çastin e nisjes. Ajo është një anije e vogël udhëtarësh. Padurimi për t’u nisur çdokënd e detyron të kërkojë shpjegime, por janë procedurat e udhëtimit në det. Natyrisht, ne e presim me kënaqësi këtë çast në një udhëtim eksplorues në Karaburun.

Të gjendesh në det të hapur nën zhurmën ritmike të motorit dhe dallgëve të vogla që përplasen duke lënë pas gjurmë të shkumëzuara është bukur, duke na dhënë mundësinë të shijojmë udhëtimin. Herë-herë kreshtat e dallgëve përplasen beftas në trupin e anijes. Deti reflekton kaltërsinë me fuqinë e magjishme të madhështisë së tij. E kaltra e tij dhe e qiellit shkëlqen nga drita e diellit. Është dhe kjo pastërti e qiellit që kthjellon gjithçka; na bën të shikojmë me hollësi çdo gjë në breg dhe na nxit dëshirën për t’i fotografuar. Natyra ka krijuar shkëmbinj që në kohëra i ka gërryer pa mëshirë deti me dallgë. Asnjë arkitekt, piktor sado i guximshëm qoftë s’do ia dilte dot mbanë të thurte mrekulli të tilla për syrin tonë.

Thuajse asnjëri nga ne nuk ka udhëtuar këtu, dhe ndjesia e kuriozitetit, që të shkakton e panjohura e kësaj natyre, të grish t’i vështrosh me shumë kënaqësi. Pamjet janë interesante me forma të shtresës shkëmbore shkallë-shkallë, ku gjire të fshehura të ftojnë të pushosh. Pak përtej bregut, dhe në lartësitë e Karaburunit vraga rrugësh e përshkojnë atë, por ndesh edhe dëshmitë e ndërtimeve ushtarake, në ca godina të shkatërruara, bunkerë, tunele dhe qendra zjarri, që socializmi i ndërtoi edhe këtu me shumicë, si në çdo pëllëmbë të Shqipërisë, të cilat të sjellin në kujtesë periudhën kur ky vend popullohej vetëm nga ushtarët. Natyrisht është e kuptueshme se sot ato ndërtime fortifikuese nuk mund të jenë gjë tjetër përveçse gërmadha.

SHPELLA E HAXHI ALIUT
Shkojmë drejt shpellës së Haxhi Aliut. Kush ishte ky Haxhi Aliu?! Mbase ndonjë pirat deti i zoti, mbase ndonjë shenjt i krijuar nga njerëzit… Kjo e pasuron më tej udhëtimin tonë. Fundja ky është qëllimi i udhëtimit, zbulimi i vendeve interesante! Atmosfera bëhet më gazmore kur të rinjtë nën tingujt e këngëve ritmike vallëzojnë. Ata të shpenguar duan të marrin sa më shumë kënaqësi nga ky udhëtim. Stafi i anijes i miqësuar me ne, sikurse ne me ata, të përkushtuar krejtësisht që udhëtimi në det të jetë i këndshëm, e shoqëron atë me tregime për detin, malin e Karaburunit, dhitë e egra dhe gjarpërinjtë helmues, shpellat, koralet, Majën e Frëngut etj. Kalojnë minutat mes këtyre bisedave të këndshme dhe ja ku i afrohemi shpellës së famshme që është përballë ishullit të Sazanit.

Masivi i tij në mes të detit, shfaq konturet aq qartë në një ashpërsi diku të veshur me drurë, e diku me fortifikime ushtarake. – Pas pak do t’i afrohemi shpellës së njohur të Haxhi Aliut – flet nga kabina e anijes Arbeni, kapiteni i saj. Patjetër bëhesh tepër kureshtar të mësosh nga ai për misteret e kësaj shpelle që në lashtësi ka qenë një vendstrehim për piratët e detit. Çdokush përballë saj befasohet nga përmasat gjeometrike, e futur thellë barkut masiv të malit. Aty ku bregu shkëmbor shtrihet pingul mbi det, të shfaqet zgavra e saj me mbi 30 m gjatësi. Hyrja e saj ka një lartësi mbi 10 m, dhe është shpella më e madhe detare në Shqipëri. Historia e kësaj shpelle është përmbledhur në një legjendë, që në thelbin e vet tregon për piratin Haxhi Aliu, mjaft i njohur i shekullit XVII.

Në këtë shpellë ai strehohej së bashku me anijet dhe njerëzit e tij. Ajo i ofronte atij vendin më të përshtatshëm për të sulmuar anijet turke, veneciane, dalmate, napolitane etj., dhe për të ruajtur mallrat e plaçkitura. Edhe pse legjenda i ka zmadhuar trimëritë e tij, ajo ka ardhur deri në ditët tona ndërmjet rrëfimeve që tregojnë se Haxhi Aliu ishte një hero, dhe tmerr i anijeve të Venedikut, venecianëve, të Anglisë e Napolit, dhe që nuk i trembej askujt në përleshjet me ushtritë dhe piratët nëpër Mesdhe. Ai ishte nga Ulqini dhe kishte mbaruar shkollë detarie në Stamboll. “Deti ishte shtëpia ime – thoshte Haxhi Aliu, – por pragu i kësaj shtëpie është toka. Dallgët e detit i kam jastëk për kokë, ato do të jenë dhe guri i varrit tim”. Interesante kjo histori, që natyrisht tregon guximin e Haxhi Aliut.

“Një pirat turk me origjinë nga Algjeria i dërgon një letër Haxhi Aliut. “Arnaut, hiqmu nga sytë, hiqmu nga udhët e detit! Unë jam më i fortë se ti. Përndryshe, do ta rrjep lëkurën tënde dhe do ta bëj pergamenë për të shkruar në të suret e Kuranit.”Me të marrë letrën, Haxhiu iu përgjigj kështu: “Kafkën tënde unë do ta bëj kokë për çibukun tim”. Dhe u nis Haxhi Aliu, ngriti velat për t’u ndeshur me piratin turk. Ai u hodh në anijen e tij dhe vrau çdokënd që i doli përpara. Piratin, që ia kërkonte lëkurën e zuri të gjallë, ia preu veshin me gjithë vath; pastaj atë vath ia nguli në hundë dhe ashtu e tërhiqte zvarrë nëpër kuvertë të anijes”. Thonë se Haxhi Aliu, ky pirat i detit, u vra me të birin nga venecianët dhe e varrosën në Sazan.

IMPRESIONE
Të ngarkuar me impresionet e Karaburunit, të shpellës së Haxhi Aliut dhe me këtë hapësirë me thyerje të bregut shkëmbor, e me gjire të vegjël si të vizatuar me dorë, vazhdojmë drejt Shën Vasilit. Ky gji i vogël prej vitesh është kthyer në një kënd të qetë. Aty ndodhet një kalatë për t’u ankoruar anije të vogla, motobarka e skafe, duke u kthyer në një vend pushimi ditor me kushte të përshtatshme, e që të bëjnë të ndihesh i kënaqur. Dhe, duke e shijuar këtë pushim nën ngopjen e nxehtësisë përvëluese të rrezeve të diellit, ne i gëzohemi fatit, se po pushojmë në një gji të qetë, ku magjike është deti dhe kthjelltësia e tij. Jo më kot këtu nuk ka shumë pushues. Personalisht i adhuroj këto vende të bukura për pushime, me qetësinë mbretëruese përmbi çdo gjë tjetër.

Natyrisht, të kaplon një ndjenjë kënaqësie e thellë me ajrin e freskët, i cili i farfuron dallgët, duke e thithur me tërë mushkëritë aromën e detit që të futet thellë në shpirt, shoqëruar me rrezatimin e diellit, i cili shpërndan reflekse të shndritshme. Është një gjë që edhe ata që s’janë poetë i bën të fantazojnë. Ja, përmes këtyre përjetimeve të bukura me miq, ngrohtësi, dritë, diell, det, natyrisht njeriu nuk ka se si të mos ndihet i lumtur. Është një lumturi që buron më së shumti nga vetë peizazhi i këtij vendi të gdhendur dhe të qëndisur si me dorë nga nëna natyrë, e pikturuar me ngjyrën e dritës dhe penelin e detit. Zamiri, bashkëshoqëruesi ynë, nuk pret fundin e udhëtimit, por na falënderon të gjithëve që u bëmë pjesë e tij. Në fytyrat e të gjithëve endet një lodhje e lehtë, por edhe kënaqësia e një dite të kaluar këndshëm, mes erës, detit dhe magjisë së kaltër.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: