TIRANË

Vendim të pastër teknik e ka cilësuar ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu vendimin e Komitetit Teknik të Ekspertëve për të vendosur karantinë dy javore për shtetasit që hyjnë nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut në vendin tonë.

Manastirliu tha në “Real Story” në News24 se vendimi për karantinën nuk është mbyllje kufijsh, por vendosja në karantinë për t’u siguruar që të mos ketë rritje numrash.

“Vendimi i marrë është një vendim i pastër teknik, i bazuar në incidencën e rasteve duke filluar nga muaji i fundit, duke parë incidencën e rasteve të reja në të dy vendet, në Greqi dhe në Maqedoninë e Veriut dhe duke vlerësuar dhe duke gjithmonë pararendur atë që mund të ndodhë pas 2-3 javësh. Ju e dini se çfarë ndikimi kanë pashkët në të gjithë situatën e epidemisë. Siç kanë qenë Krishtlindjet që na dhanë efekte shumë të mëdha në rritjen e rasteve. Vendimi për karantinën 2-javore nuk është mbyllje kufijsh, është lëvizje e kontrolluar e qytetarëve.

Ka pasur një vendimmarrje për Mbretërinë e Bashkuar dhe Shqipëria ka qenë e para që e ka marrë, duke qenë se në Britani nisi një rritje e infektimeve dhe varianti i ri qarkullonte dhe rriti transmetueshmërinë. Ajo që rezultoi më pas, solli pikërisht një kufizim të përhapjes së virusit të ri. Ju e dini se çfarë rritjeje patëm në shkurt dhe në mars nga varianti i ri, mutacioni i Kent-it dhe efektet që sollën. Ishte një mutacion shumë më i transmetueshëm që sillte dhe rritje të numrit të rasteve në spitale dhe fatalitete. Vendimi për të mbyllur udhëtimet me Britaninë e Madhe ishte një vendim drastik dhe nuk u vlerësuar siç po vlerësohet tani. Vendimi për karantinën nuk është mbyllje kufijsh, por vendosja në karantinë për t’u siguruar që të mos ketë rritje numrash”, deklaroi Manastirliu.

Ajo tha se Greqia në trend rritje dhe Maqedonia e Veriut më lart dhe ndaj është vlerësuar nga Komiteti i Ekspertëve që për arsye të Pashkëve do të vinin më shumë qytetarë për të takuar familjet e tyre apo turizëm gjë që mund të shkaktonte rritje të infektimeve.

Sa i përket krahasimit me hyrjen e 30 mijë shtetasve nga Kosova për Pashkët katolike, Manastirliu tha se vendimet janë dinamike dhe nëse do të ketë ulje të incidencës në Maqedoninë e Veriut nuk do të thotë që nuk do merret një vendim për lirimin e masës së karantinës.

“Vendimet e komitetit teknik të ekspertëve merren mbi baza dinamike dhe ne shqyrtojmë mbi baza ditore ecurinë jo vetëm të situatës epidemiologjike në Shqipëri, por në të gjitha vendet, sidomos në vendet përreth, të rajonit. Të jeni të bindur se nëse do të shohim ose do të vërejmë një situatë e cila mund të sjellë një situatë të pakontrolluar në raport me situatën epidemiologjike do marrim vendimin më të drejtë që i shërben mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve. Ka qenë thjesht një vendim teknik në raport me situatën sot. Nëse do kemi një zhvillim të mëtejshëm, se mund të ketë edhe një ulje të incidencës në Maqedoninë e Veriut, mund të ketë dhe një ulje të rasteve, kjo nuk do të thotë që të mos merret një vendim ku të lirohet masa e karantinës. Ky është një vendim dinamik. Sot është kështu sepse duam të ruajmë këto parametra që kemi, duam ta ruajmë situatën e kontrolluar. Është mbrojtje e jetës së shqiptarëve”, tha ministrja.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb