KARAVASTA- Rilindje e vlerave të pikturës murale në kishën ‘Shën Thanasi” në fshatin Karavasta të Lushnjes. Qysh nga krijimi i kësaj (rreth 250 vjet) pikture murale e deri më sot, vlerat e vërteta qëndronin të pa evidentuara nga pluhurat, kripërat e shumta të kalciumit në formë velature nga nxirjet e tymrave të qirinjve të kishës, nga mbivendosje të tjera si lyerjet me vërniqe e vajra nga vetë shërbëtoret kishës”.

Kështu shkruan Mustafa Arapi, që prej ditësh po punon në restaurimin e këtyre pikturave në kishën monument kulture. Sipas tij, gjatë këtyre javëve procesi i restaurimit dhe konservimit po ecën në mënyrë korrekte dhe të kujdesshme. Ai bën me dije se krahas pikturës murale po përparohet restaurimi i tavanit të dekoruar i pajisur me dy rozeta (ikonë) ku është paraqitur Krishti pantokrator (i plotfuqishëm) dhe figura e shenjtorit të kishës, Shën Thanasit. Ndërhyrjet e fundit restauruese aty qenë kryer në vitin 1986.

Kisha e Shën Thanasit ndodhet në fshatin Karavasta e Re, në afërsi të luginës së Karavastasë. Ndërtesa përfaqëson një monument historik dhe kulturor, i shpallur me vendim nr. 6, dt. 15. 01. 1963, nga Rektorati i Universiteti Shtetëror. Ajo daton në gjysmën e dytë të shek.XVIII në vitin 1778. Në vitin 1979 piktorët grabovarë (Çetirët) Gjergj dhe Joan Katro pikturuan kishën me afreske. Tavani është i punuar në dru halor, i gruntuar dhe i dekoruar me motive floreale si dhe pjesërisht i gdhendur, kryesisht në rozetat kryesore të pikturuara me figurën e Krishtit në qendër dhe figurën e Shën Thanasit, si dhe në frizat gjatësore.

Piktorët grabovarë Joani dhe Gjergji kanë adaptuar në ikonografi tematikën e vendosur në kishën ortodokse, të pasuruar me elementë stilistikor të influencuara nga zhvillimet artistike në malin e Athosit, të përdorur më parë nga mësuesit e tyre Konstandin dhe Athanas Zografi, duke iu përshtatur njëkohësisht me përpikëri edhe mënyrës së radhitjes së skenave. Tematika e tyre origjinale në kishën e Shën Thanasit në Karavasta përfaqësohet nga skena të Testamentit të Vjetër, kryesisht nga libri i parë “Të Bërët”, ku gjejmë kompozime si Krijimi i Adamit, Mëkati i Parë i Adamit, Dëbimi i Adamit dhe i Evës, Përmbytja e Noes, etj, të cilat janë realizuar për herë të parë nga këta piktorë. Në çerek kupolën e konkës së absidës është pikturuar Shën Mëria, ndërsa më poshtë renditen Kungimi i Apostujve dhe Jerarkët.

(b.e/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb