Në shtëpinë e idhullit të tij. Nesër, Thomas Strakosha nuk mund të mos emocionohet, teksa do të ketë përballë Xhanluixhi Bufonin, atë që është pika e tij e referimit, së bashku me gjermanin Nojer, në interpretimin e rolit të portierit. Nuk do të jetë ballafaqimi i tyre i parë, por 22-vjeçari, numri 1 i Lacios, nuk është përballur kurrë në kampionat me Juventusin. Në sezonin e kaluar, atë të debutimit të Serinë A, ishte zëvendës i Marketit në të dyja sfidat. Nga Bufoni mori komplimentet, që e lanë me gojëhapur më 24 mars, në përfundim të Itali-Shqipëri, kur portieri i Simone Inzagit debutoi si titullar me kombëtaren e tij. Por, më 13 gusht, ishte Thomasi që la pa fjalë Bufonin, kur Lacio e tij fitoi Superkupën e Italisë, përballë Juves, në sprintin final, pasi Strakosha i kishte treguar vlerat e tij sidomos në fillim të takimit, duke ndalur një gjuajtje dhe një gol të sigurt përballë Kuadrados.

RIKUPERIMI
Duke mbetur te kombëtarja, javën e kaluar Strakosha e la shumë shpejt grumbullimin e Shqipërisë, si rrjedhojë e një lodhjeje muskulore. Vetëm pak orë pushim dhe të martën kishte zbritur në “Formelo”, nën urdhrat e përgatitësit Grixhoni, për t’u projektuar drejt transfertës së Torinos. Një portier i hekurt, i vetmi lacial që nuk ka munguar në asnjë minutë të 10 ndeshjeve sezone të zhvilluara nga ekipi i tij mes kampionatit dhe Ligës së Europës. Dhe në “Allianz Stadium” do të jetë hera e parë për të, në fushën e një prej ekipeve të mëdha, pasi në sezonin e kaluar debutoi kundër Milanit. Më 20 shtator 2016 e gjeti veten në “San Siro”, edhe pse ishte vetëm portieri i tretë i Lacios. Marketi përfundoi i dëmtuar përpara ndeshjes dhe Inzagi e preferoi edhe kundrejt të dytit Vargiç. Dhe ishte pikërisht kjo kthesa e madhe e jetës së tij, sepse nga muaji shkurt, dëmtimi i fundit i Marketit, porta e Lacios kaloi në pronësi të tij. Një tjetër intuitë gjeniale e drejtorit sportiv, Igli Tare, i cili në Kombëtaren shqiptare luante së bashku me Foton, babanë e Thomasit, edhe ai portier.

PËRQAFIMI I PARË
Mes shtyllave, Strakosha nuk u emocionua në debutimin e bërë në “San Siro”, edhe pse jo për faj të tij, i duhej të shfrynte për golat e pësuar nga Baka dhe Niang. U skuq më shumë një javë më pas, kur me disa shokë të skuadrës u ftua nga Motër Paola, për të bërë rolin e kamerierit në një darkë bamirësie, për personat e prekur nga tërmeti i 24 gushtit. Atë natë mori edhe përqafimin e parë të vërtetë të tifozëve lacialë. Kishte lumturinë në sy, ndërsa së bashku me Kataldin dhe Parolon shërbenin pjatat me ushqim, mes fotografive dhe autografeve. Dhe duke mbetur te kuzhina, Strakosha është një tip shumë i vullnetshëm. Që kur në moshën 13-vjeçare vendosi të bëjë portierin, ai nuk shpërqendrohet në tavolinë. Ndoshta, me përjashtimin e vetëm të një pjatë karbonara, nga pak gjërat që mund ta bëjnë të kapitullojë…

CILËSI
Trajneri Inzagi nuk pati dyshime që i besoi portën e Lacios. Fundja, e njeh që nga kohët e skuadrës së të rinjve. Simone vlerëson mbi të gjitha vendosmërinë e tij për të qenë i përqendruar në çdo moment kur i kërkohet ndihma. Dhe trajneri i tij, si një ish-bomber, e di më mirë se kushdo tjetër se kjo cilësi e Thomasit mund të bëjë diferencën për një portier. Pastaj, edhe “shkolla” e Adalberto Grixhonit (përgatitësi i portierëve) po e nxjerr edhe më shumë në pah talentin e tij, por pa harruar këtu për asnjë moment edhe këshillat e babait Foto, gjithmonë shumë të vlefshme, aq më shumë tani që Strakosha “i madh” është transferuar në Romë, së bashku me pjesën tjetër të familjes.

Gjithsesi, Thomas ka një metodë të tijën për t’u përqendruar, ose për t’u izoluar nga tensioni i pragndeshjeve. Prezenca në rrjetet sociale nuk mungon kurrë, por pasioni i tij personal dhe mënyra më e mirë për të qenë i fokusuar është hobi i tij për kartonët e animuar japonezë. Një pasion ky që ka nxitur edhe disa batuta mes shokëve të skuadrës, por ata të gjithë i ndjekin me shumë kujdes direktivat e tij prej veterani, me të cilat Strakosha “qeveris” mbrojtjen.

Në Torino do të kërkojë të mbajë sërish portën e Lacios të papritur (ndaj Juves kjo ka ndodhur vetëm një herë në 15 vite në Serinë A), sepse Thomasi, mes kampionatit dhe Ligës së Europës nuk pëson gol me aksion që prej 20 shtatorit (e ndëshkonte Mertens). Strakosha është përgatitur që të bëjë një figurë të bukur në shtëpinë e Bufonit. Ai dhe shokët e tij do të kërkojnë të bëjnë “bis” ndaj Juventusit, pas Superkupës, për Lacion e tij që ëndërron dhe synon kualifikimin në Champions sivjet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: