Në total, gjatë periudhës në fjalë karburantet janë shtrenjtuar me 10 lekë për litër, apo rreth 6%…

Nafta dhe benzina janë shtrenjtuar sërish ditët e fundit, duke shënuar rritjen e dytë brenda një periudhe kohore prej dy javësh. Në total, gjatë periudhës në fjalë karburantet janë shtrenjtuar me 10 lekë për litër, apo rreth 6%, shkruan revista ekonomike ‘Monitor’.

Sipas tabelave të tregtimit me pakicë të kompanive kryesore, një litër naftë tregtohet tashmë me 165-170 lekë për litër, nga 155-160 lekë që ishin çmimet rreth një muaj më parë.

Arsyeja kryesore e rritjes së çmimeve lidhet me shtrenjtimin e naftës në tregjet ndërkombëtare. Treguesi referencë për naftën e papërpunuar evropiane, Brent për dorëzimet e prillit u tregtua të premten e javës së kaluar 18 cent më lart në 60.39 dollarë për fuçi. Brent ka fituar 34 për qind nga niveli më i ulët mes-janarit.

Tregtuesit e karburanteve  “shpëtuan” një javë më parë gjobës nga Autoriteti i Konkurrencës, pasi ky i fundit ka konkluduar një hetim gati një vjeçar vetëm me disa rekomandime për mirëfunksionimin e tregut të karburanteve. Me ritmin shumë më të shpejtë të ndjekjes së shtrenjtimit të karburanteve në tregjet ndërkombëtare në krahasim me uljen e tyre, si dhe me rritjen e taksës së qarkullimit me 10 lekë për litër, çmimet e naftës dhe benzinës duket se do të gjejnë një ekuilibër më të lartë, duke iu afruar me shpejtësi nivelit rekord prej rreth 190 lekë për litër, të parë në janar të vitit të kaluar, kur nafta në bursat ndërkombëtare ishte mbi 100 dollarë për fuçi.

Rritja e parë e çmimit të karburanteve për këtë vit nisi në fillim të shkurtit, sapo ai filloi të shtrenjtohej në bursa.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: