STRASBURG– Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ndodhet në Strasburg ku është mbajtur sesioni i parë i takimit të 7 ndër-parlamentar PE-Kosovë, shkruan “RTK”.

Veseli në “Facebook” ka postuar disa fotografi nga ky takim dhe një shënim me të cilin thuhet se në këtë takim është folur për dy prioritetet kryesore të Qeverisë së Kosovës, nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe përmbylljen e dialogut për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ja postimi i Veselit në Facebook:

Në pasditen e sotme, në Strasburg u mbajt sesioni i parë i Takimit të shtatë interparlamentar, PE-Kosovë, të cilin e bashkë drejtuam me kryesuesin e Delegacionit të Parlamentit Evropian për BeH dhe Kosovën, Z. Tonino Picula.

Në takim morën pjesë deputetët e PE-së për Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovën, deputetët e Kuvendit të Kosovës, ministri për Integrimet evropiane i Kosovës dhe zyrtarë tjerë të lartë pranë PE-së.

Në tri diskutimet e zhvilluara në këtë sesion, u fol për dy prioritetet kryesore të Qeverisë së Kosovës, nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe përmbylljen e dialogut për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Marrëveshja e Stabilizim-asociimit presim të nënshkruhet brenda këtij viti ndërsa sa i takon liberalizimit të vizave, Qeveria ka përshpejtuar zbatimin e kritereve të parapara në Udhërrëfyes. Deri në qershor të këtij viti ne do të zbatojmë të gjitha kriteret e kërkuara. Presim që ky proces të përfundojë brenda vitit 2015.

Edhe një herë i shpreha mirënjohje Parlamentit Evropian për mbështetjen që i ka dhënë Republikës së Kosovës në këtë rrugëtim dhe për kuptimin e drejtë të realitetit të ri të krijuar në Ballkan.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb