Dy dekada më parë, kur pyesje fëmijët se çfarë donin të bëheshin kur të rriteshin, do të prisnit disa nga përgjigjet klasike si “astronaut”, “mësuese”, “balerinë”, “doktor”, etj. Në ditët e sotme, shumë përgjigje do të vërviten rreth yjeve të mediave sociale: Dua të bëhem si…

Sipas një studimi botëror nga MediaKix, rreth një e treta e fëmijëve dhe adoleshentëve aspirojnë të jenë YouTuber të njohur një ditë. Për më tepër, një sondazh i kryer nga “Bloomberg” tregoi se 86% e të rinjve në Amerikë do të donin të ishin influencues të mediave sociale. Nuk mbetet pas as Shqipëria.

Megjithëse ky numër në rritje na duket i çuditshëm, ka një arsye të mirë për të: rritja e platformave të mediave sociale si YouTube, TikTok dhe Instagram. Ndërsa këto platforma u rritën në madhësi, njerëzit e zakonshëm patën mundësinë të bëheshin personazhe të famshëm dhe ata duhet të ishin krijues duke e bërë këtë.

Dhe përfitimi real erdhi shumë shpejt. Marka, dyqane etj., u vetofruan për të paguar këta njerëz për reklamë dixhitale dhe format janë të shumta, duke nisur nga kleringu.

Madhësia e tregut të platformës globale të marketingut të influencuesve u vlerësua në 10.39 miliardë dollarë në vitin 2021 dhe pritet të arrijë në 14.27 miliardë dollarë në vitin 2022. Kaq mjafton për të kuptuar se çfarë drejtimi po merr ky profesion.

Por si lindi dhe si është tregu aktualisht në Shqipëri?

Duhet të kemi parasysh se influencuesit kanë ekzistuar gjithmonë, edhe para televizionit dhe internetit. Në mesjetë, ata ishin njerëz të pasur dhe mbretër që kishin fuqinë të ndikonin në vendime dhe të ndryshonin botën. Pas revolucionit industrial, ne filluam të shihnim pjesët e para të kulturës moderne pop – njerëz që u bënë të famshëm për atë që bënin dhe për atë që besonin.

Në shekullin e 20-të, filloi epoka e Hollivudit dhe ne pamë krijimin e ikonave si Marilyn Monroe dhe aktori/burri i Marlboro, Christian Haren. Vitet ‘60 dhe ‘70 ishin kohët e yjeve të rock; njerëz që protestuan kundër qeverive, kënduan himne të paharrueshme dhe vdiqën shumë të rinj. Në vitet ’80 dhe ’90, pamë shfaqjen e sportistëve dhe modeleve të superyjeve, pasi Michael Jordan dhe Naomi Campbell morën kulturën pop.

Më pas, arritëm në epokën e “reality TV” ku njerëz si Kim Kardashian dhe Paris Hilton u bënë superyje, për shkak të personalitetit të tyre dhe stilit të jetesës argëtuese. Dhe tani, ne jemi në kohën e ndikuesve (veçanërisht mikro dhe nano-ndikues) ku çdokush mund të bëhet i famshëm dhe të ndikojë te të tjerët. Media e parë sociale që krijoi një lidhje midis markave dhe influencuesve ishte YouTube.

Megjithatë, Instagram i çoi partneritetet në një nivel tjetër dhe e bëri realitet karrierën e një influencuesi për shumë njerëz.

Pasi kompanitë zbuluan se sa i fuqishëm mund të jetë një mjet marketingu Instagram, ata filluan ta përdorin atë gjithnjë e më shpesh, së pari duke krijuar llogaritë e tyre, duke ndarë postimet dhe videot në Instagram, duke nisur fushata reklamash, etj., dhe më pas përmes ndikuesve dhe përmbajtjeve të sponsorizuara. Në ditët e sotme, nëse keni një vend për të cilin krijoni përmbajtje, mund të pozicionoheni si një nano-ndikues dhe potencialisht të filloni të merrni marrëveshje dhe partneritete të markave.

Nëse dikush më pas vendos t’i përkushtohet, duke krijuar më shumë përmbajtje me cilësi të lartë dhe më shumë fokus në punën me algoritmet, numri i ndjekësve të tyre mund të rritet, duke i dhënë më shumë mundësi për marrëveshje markash.

Kjo është mënyra se si shumë influencues të famshëm arritën atje ku janë – ata filluan të bëjnë diçka që e duan (P.sh.: tutorialë make-up, sugjerime për veshje të modës, vlog për tematika të ndryshme etj). Më pas, me njëfarë konsistence, ata fituan ndjekës dhe patën mundësinë të bënin postime të sponsorizuara në Instagram me marka të ndryshme.

Për konsumatorët, influencuesit janë njëkohësisht një reklamë e mirë dhe një mik i besuar. Për ndërmjetësit midis tyre dhe markave, ata janë një mjet i volitshëm. Për pronarët e markave, ata po bëhen një kanal mjaft i rëndësishëm drejt konsumatorëve të rinj, të cilët do të jenë përgjegjës për 70% të shpenzimeve globale në mallrat luksoze, deri në vitin 2025, sipas firmës së konsulencës “Bain”. Pandemia duket se e ka bërë edhe më shumë fitimprurëse industrinë, pasi njerëzit kanë filluar të përdorin më shumë telefonat e tyre smartphone.

Profesion i mirëfilltë..?

Kjo lloj “fame aksidentale” është ndoshta një gjë e së kaluarës. Aktualisht, shumica e njerëzve nuk bëhen rastësisht ndikues; shumë influencues janë njerëz publikë në profesione të ndryshme dhe kjo u jep atyre mundësinë të jenë ende më të njohur. Disa mund të punojnë me një agjenci marketingu, ose kanë përvojë në industri që u jep njohuritë e nevojshme për menaxhimin e mediave sociale në mënyrën më të mirë të mundshme.

Instagram-i i bëri njerëzit të besojnë se mund të fitojnë para nga investimi në platformë dhe kanalizimi i krijimtarisë dhe pasionit të tyre. Tani, njerëzit shohin të njëjtin lloj potenciali në TikTok – mundësinë për t’u bërë një fytyrë e njohur, duke ndarë mendimet tuaja, ose duke u argëtuar. Rritja e Instagram-it, dhe kështu ndikuesit në Instagram, vërtet ndryshuan mënyrën se si njerëzit i shohin karrierat.

Pse njerëzit duan të bëhen ndikues? Siç e përmendëm më parë, shumë të rinj në moshë madhore tani deklarojnë se duan të kenë një karrierë si ndikues dhe është e lehtë të kuptohet pse. Para së gjithash, krijimi i përmbajtjes në internet është argëtues dhe të jep lirinë krijuese.

Shumë njerëz postojnë gjëra në internet pa u paguar ndonjëherë. Për më tepër, stili i jetesës së ndikuesve duket shumë më emocionues sesa të ulesh në një tavolinë dhe të punosh 9:00-5:00 në një zyrë. Ka kaq shumë gjëra pozitive që vijnë nga të qenët ndikues dhe me dixhitalizimin e shpejtë të botës, kjo punë nuk është më thjesht fantazi kalimtare, por një zgjedhje e qëndrueshme karriere./Monitor.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: