Pas 4 fitoreve radhazi në Premier League, Liverpool ndalet pikërisht atëherë kur më pak pritej, në derbi përballë Everton. Ekipi i Brojës frenon të “The Reds” në një derbi të çmendur, me 4 gola të shënuar, por që u mbyll me një kaos. Pavarësisht këtij X-s të pa pritur, Liverpool qëndron i qetë në krye, në kuotën e 57 pikëve, 7 më shumë se sa Arsenal.
Everton i befasoi që në start, ku Beto në minutën e 11-të u shkëput shpejt gjatë zhvillimeve të një goditje dënimi, mposhti dhe portierin Alisson duke kaluar në delir tifozët e Everton. Festa nuk zgjati shumë, pasi 5 minuta më vonë, Liverpool iu përgjigj me Mac Allister, me mesfushorin argjentinas që me kokë dërgoi topin në rrjetë.
Në fraksionin e dytë ishte i përhershmi Momo Salah që kaloi Liverpool në avantazh. Atëherë kur të gjithë prisnin vetëm vërshëllimën e arbitrit, në minutën e 98-të, Trakowski me një predhë të vërtetë brenda në zonë befasoi Liverpool duke barazuar shifrat në 2-2.
Ashtu si në derbin e kryeqytetit, Partizani-Tirana, edhe derbi i Liverpool u kthye në kaos, pasi goli i Everton solli një përplasje të madhe mes lojtarëve në fushë, stafeve të dy ekipeve, por si rrallë herë në vitet e fundit, në fushë u futën edhe tifozët duke bërë që në stadium të zbarkonte edhe policia për të qetësuar situatën. Me karton të kuq i ndëshkua edhe trajneri Slot.
(BalkanWeb)