Nga: AURORA GOLEMI

TIRANE– Fermerët shqiptarë kërkojnë me ngulm reduktimin e çmimit të naftës dhe financime nga qeveria, por edhe mbështetje për t’u pajisur me kartën elektronike të fermerit apo ndryshimin e ligjit për krijimin e kooperativave. Zëri u ngrit në kongresin e 4-t të Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar nga kreu i saj Agim Rrapaj.

Ai i bën thirrje qeverisë të ndërgjegjësohet lidhur me kërkesat që i janë bëre për të ndërhyrë në kostot e bujqësisë, në të kundërt ky Këshill do të përdorë të gjitha mjetet ligjore.

“A mund të vazhdohet kështu? Përgjigja është jo. Fermerët po kërkojnë me ngulm reduktimin e çmimit te naftës dhe subvencionimin e çmimit që të blejnë mjete. I bëjmë thirrje qeverisë dhe deputetëve që të ndërhyjë në reduktimin e kostove në bujqësi. Rreth 50 milionë litra naftë ne mund t’ia japim fermerëve me gjysmë çmimi. Ky ligj që është për kooperativat është gjysmë ligji. Karta elektronike e fermerit është një tjetër propozimi ynë. E dini çfarë do të thotë të mos lëvizësh me mjete bujqësore, se je i parregullt, ose i druhesh policit do të thotë ta shfrytëzosh mjetin vetëm në 30% të kapacitetit”, tha Rrapaj.

Kreu i Këshillit të Agrobiznesit tha se kërkohet ndërhyrje e menjëhershme në përmirësimin e 4 ligjeve që lidhen me bujqësinë.

“Ligji i parë ka të bëjë me shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor, i dyti me bujqësinë dhe shërbimin rural, i treti me Kodin Rrugor dhe ligji i katërt ka të bëjë me akcizën për karburantin”, u shpreh Rrapaj.

I pranishëm në kongres, kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, tha se buxheti kushtuar bujqësisë do të jetë në rritje dhe inkurajues për fermerët shqiptarë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb