Nga Dashnor Dervishi

Viti 1976, 41 vjet më parë, do të ishte viti kur do krijoja dy lidhjet më të rëndësishme të jetës sime: punën në shërbimin e jashtëm të Shqipërisë dhe familjen time, që mbeten edhe sot të shenjta për mua: atdheu dhe familja. Në shërbimin e jashtëm, atdheu dhe familja marrin dimensione të veçanta, kthehen në motivin kryesor, që udhëheqin tërë punën dhe aktivitetin e një diplomati profesionist. E keni vënë re? Ngjyra e kuqe e flamurit është më e kuqe, kur jemi jashtë vendit dhe himni kombëtar, në ceremonitë e dorëzimit të kredencialeve, tingëllon shumë më bukur se zakonisht.

Në këto 40 vjet, kanë ndodhur ndryshime të mëdha në botë dhe në vendin tonë; vija e ndarjes midis dy blloqeve politike e ushtarake gjatë luftës së ftohtë para viteve 90, u spostua nga Adriatiku në Detin e Zi dhe vendi ynë për herë të parë në historinë e vet gjendet gjeografikisht në brendësi të bllokut politik e ushtarak dhe sistemit shoqëror, në të cilin natyrshëm na takon të jemi. Këto ndryshime sollën zëvendësimin e nevojshëm të sistemit tonë shoqëror nga ai totalitar në atë demokratik, në përputhje me sistemin ku duam të aderojmë. Ndërkohë që blloqet dhe situatat gjeostrategjike ndryshojnë, interesat kombëtare (atdheu) dhe ato të familjeve tona si diplomatë, mbeten po ato.

-Kontaktet e para me të huajt duken paksa naive, kur u kthehem kujtimeve të së kaluarës. Megjithatë, ato mbeten mbresëlënëse, sepse janë jo vetëm takime të para, por i përkasin një moshe dhe në kushte që çdo moshatar i imi në atë kohë i shikonte si një ëndërr. Vetëm të hyje në “Hotel Dajti” atëherë, konsiderohej si një kalim kufiri, të krijohej përshtypja sikur futeshe në një botë tjetër, plot të panjohura, larg realitetit të jetës sonë, në shëtitjet e mbrëmjes, që bëheshin çdo natë, përballë tij. Nga ana tjetër, ato do të linin mbresa të forta në formimin tim në raport me të huajt, si një eksperiencë jetike për të ardhmen dhe në veprimtarinë time, që do të kthehej në profesion.

Në vlerësimin tim, në 4 dekada, kam pasur fatin të ndodhem në vende, që në ngjarjet e kohës, kanë pasur ndikime direkte në zhvillimet e vendit tonë: Në vitet 70, deri nga mesi i viteve 80, në Amerikën Latine ende ndjehej jehona e hidhur e juntave ushtarake dhe fryma për liri e demokraci e lëvizjeve studentore të Evropës Perëndimore. Ishte e vetmja zonë, ku vendi ynë dhe partia në pushtet ishte mjaft e pranishme, me marrëdhëniet dhe ndikimet e saj reale në shumë prej këtyre vendeve, me partitë dhe lëvizjet e majta, një pjesë e të cilave ishin në parlament dhe sot edhe në pushtet.

Fundi i viteve 80 dhe mesi i viteve 90 ishte dekada e rënies së murit të Berlinit dhe ndryshimeve të mëdha, që përfshinë edhe vendin tonë. Roma u kthye në portën kryesore të Perëndimit për vendin tonë në të gjitha aspektet, që ndiqte me shqetësim e angazhim maksimal zhvillimet në bregun Lindor të Adriatikut, për të siguruar ndryshime të buta, pa pasoja tragjike për popullin tonë dhe rajonin në tërësi.

Fundi i viteve 90 dhe fillimi i viteve 2.000, shënoi bombardimin e Serbisë nga NATO dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe lëvizjen e armatosur të shqiptarëve në Maqedoni. Nga Izraeli, ku Shqipëria hap ambasadën e saj për herë të parë, organizohen dërgesat e para të ndihmave për refugjatët shqiptarë dhe dy nga manifestimet më të mëdha në historinë e Izraelit, kundër gjenocidit serb.

Turqia, shkundet nga qetësia dhe qëndrimi i kujdesshëm i mos ndërhyrjes në Ballkan dhe mobilizon të gjitha forcat e saj diplomatike, ushtarake dhe ekonomike, në mbështetje të çështjes shqiptare në rajon. Ishte një eksperiencë e rrallë, për të parë qëndrimet ndaj vendit tonë nga Lindja, nga dy qendra të rëndësishme të filozofisë hebraike dhe islamike, në momente thelbësore për çështjen shqiptare.

Në Rumani konfirmohet edhe një herë, se politika e jashtme dhe interesat kombëtare në marrëdhëniet ndërshtetërore, nuk kanë asnjë ndryshim thelbësor, të paktën në 100 vitet e fundit, pavarësisht nga regjimet apo sistemet politike në fuqi në vendet tona.

Periudha 4-vjeçare në MPJ, nga mesi i vitit 2002 deri në mesin e 2006 në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Rajonit, ishte një periudhë, kur problemet e Rajonit kishin marrë një prioritet të veçantë dhe veprimtaria e drejtorisë sonë ishte mjaft evidente dhe luante një rol tepër të rëndësishëm në tërë politikën e jashtme të vendit tonë, në raport jo vetëm me fqinjët, por edhe si një indikator në tërë marrëdhëniet tona ndërkombëtare, për çështjen shqiptare dhe atë të integrimit.

Koha e punës në MPJ ka qenë një periudhë e ngjeshur, mjaft interesante, duke fituar një eksperiencë të re në formimin tim profesional. Bashkëpunëtorët e mi përbëheshin nga një ekip djemsh e vajzash mjaft të përkushtuar dhe të përgatitur profesionalisht. Gjatë asaj periudhe u bënë shumë teza, u plotësuan dosje, u realizuan takime të shumta dy dhe shumë palësh, të cilat është e pamundur të përshkruhen në këtë përshëndetje të shkurtër. Për të reflektuar sado pak për këtë periudhë dinamike, mjafton të përmend faktin e ndryshimeve që u bënë në terminologjinë e përdorur nga drejtoria e rajonit, që nga çështjet e Ballkanit fillimisht, në atë të Evropës Juglindore më vonë, e deri në termin e sotëm Ballkani Perëndimor.

Politika Rajonale, marrëdhëniet me fqinjët, kanë qenë dhe mbeten pa dyshim një nga boshtet themelore të politikës së jashtme të vendit tonë. Fqinji ynë jugor zë një vend të veçantë e kompleks. 7 vjet në Greqi kërkon kohën e vet, për ta treguar më gjatë. Nuk është koha tani të flasim tani për këtë dhe do ta lë për një herë tjetër. Historia vazhdon.

-Një mesazh për ambasadorët në detyrë, në mënyrë të veçantë për ata të rinj, apo për ata që aspirojnë të bëhen ambasadorë. Dikur ambasadori ishte emblema e shtetit të vet, ishte me të vërtetë ashtu siç shkruhet në dekretin e Presidentit: Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë. Sot, përveç këtij emërtimi, i ka mbetur shumë pak nga e kaluara. Kjo nuk ndodh vetëm në vendin tonë, është risi për të gjitha vendet në botë. Arsyet dihen, është normale me zhvillimet globale, hapjen e kufijve, gjithëpërfshirjen, integrimin, etj. etj. Dhe është shumë mirë. Dikur, në objektivat tona, kjo gjë ishte një nga synimet kryesore, hapja, shtimi i kontakteve, komunikimi i drejtë për drejtë. Kjo nuk e ul aspak rolin dhe rëndësinë e ambasadorit, përkundrazi, i jep më shumë rëndësi, dhe e bën në të njëjtën kohë edhe më të vështirë punën e tij; kërkon më shumë pasion, përkushtim, cilësi dhe vizion, sepse dinamikat kanë shpejtësi marramendëse, gara është bërë më e fortë, pasi tani të gjithë merren me politikën e jashtme, si gjysma e popullsisë që ndodhet jashtë, ashtu edhe ajo që ka mbetur brenda vendit.

Tani, gjithnjë e më shumë po promovohen ambasadorët e nderit, ku përfshihen personalitete të fushës së letrave, të artit apo të sportit, konsujt e nderit apo ndonjë personalitet i diasporës. Por asnjë prej këtyre, që, në fakt, janë pjesë e punës sonë, nuk e zëvendëson rëndësinë dhe plotfuqishmërinë e ambasadorit të shtetit… Njohjet dhe kontaktet e politikanëve tanë me homologët e tyre në botë, bëjnë që ndonjëherë të neglizhohet apo të anashkalohet roli i ambasadorit, në axhendën e autoriteteve tona, por kjo nuk e zbeh dhe nuk mund të zgjasë shumë, pasi axhenda dhe memoria e ambasadës është e vetmja, që ka plotfuqishmëri dhe jetëgjatësi.

Por ajo që e bën edhe më të bukur dhe më të fisshme punën në shërbimin e jashtëm, është se në sistemin e administratës civile, ku diplomatët bëjnë pjesë, janë më pak të prekshëm nga korrupsioni, megjithëse janë më pak të paguarit. Dhe meqenëse këtë realitet nuk mund ta ndryshojmë, për arsye objektive dhe subjektive, që lidhen me gjendjen ekonomike-financiare dhe mentalitetin që akoma mbizotëron, mund të bëjmë një gjë për veten tonë, duke ngritur vlerat e diplomatit në shërbim të vendit, nëpërmjet stimujve moralë, që kanë munguar këto 25 vjet dhe krijimit të kastës elitare të diplomatëve, që është e vetmja, që i mungon këtij vendi, ashtu siç janë akademikët, profesorët, doktorët, apo ushtarakët.

Me këtë rast, edhe njëherë dua të shpreh mirënjohjen dhe falënderimet e mia, për ministrin Bushati, për angazhimin dhe insistimin e tij për të nxitur dhe realizuar më së fundmi legjitimimin dhe realizimin e procesit të vendosjes së gradës së ambasadorit për diplomatët shqiptarë, si dhe për organizimin e kësaj ceremonie, që është jo vetëm një nder për mua dhe Boçkën, por edhe një lajm i mirë për diplomacinë shqiptare.

* Fjalimi i diplomatit të njohur në ceremoninë e zhvilluar me rastin e gradimit me titullin “Ambasador”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb