Nga: KIÇO BLUSHI*
Ndërsa në sallën për hapjee dialog të Kryeministrisë (COD) qenka bërë “një performancë” e rrallë baleti klasik, e cila përveç zyrtarëve, paskësh entuziazmuar së tepërmi edhe vetë Ilir Kernin, drejtorin aktual të TOB-it, që nuk e kishte përfytyruar kurrë se një shfaqje e tillë mund të jepej brenda selisë së qeverisë. Ndërkohë bëhet me dije se shtëpia e Fishtës është katandisur mos më keq: në një hambar misërishtesh, kurse ajo e vëllezërve Frashëri në Përmet përdoret si magazinë hedhurinash, e me raste edhe për tharje të kanabisit. Kontrasti nuk habit më njeri, edhe kur shkon si cjapi te kasapi, drejt absurdit tonë gjenetik: nga baleti klasik te hambari i kanabisit, nga vëllezërit Frashëri tek Mark Frroku, nga “Jaguar”-ët e ministrave te kërkesat për azil në Gjermani…
Teksa qeveria dhe Presidenca, e thuajse e gjithë elita jonë politiko-mediatike ngazëllehej si adoleshente para kamerave e shpërndante lavde e medalje për kombëtaren e futbollit, si të kishim dalë kampionë bote, Shqipëria jugore përmbytej tejembanë. Kanalet e kullimit, hidrovoret e më-the-të thashë bëhen kollaj zotër të fushave, rrugëve e shtëpive, duke vënë përfund qeverisjet lokale, gjë që do të thotë se llumi i përmbytjeve dhe llumi i fjalës publike nuk janë pa lidhje.
Kështu, ndërsa në Lezhë pamë specialistët e historisë e të mbrojtjes së monumenteve të ziheshin mes vedi për pllakën e Sulltan Sulejmanit në kala të qytetit, në “Opinion” pamë e dëgjuam live analistë të kacafyten për skandalin “e pazbardhur” të ÇEZ-it, skandal që po i ngjan lojës me kungulleshka, pasi pavarësisht sherreve e akuzave të ndërsjella  (kush ka qenë e nuk ka qenë spiun i Sigurimit?…), edhe kjo “aferë” po shërben si narkozë demokracie, në mënyrë që “operacioni” i vjedhjeve dhe i abuzimeve të kryhet pa dhimbje e pa fajtorë, si  dhe në fund të dalin të gjithë të palagur. Ka që pandëshkueshmërinë e quajnë kulturë. E nëse kjo dukuri mund të meritojë këtë emër, atëherë duhet thënë që kjo është kultura e vetme që sundon në Shqipëri.   
Për pasojë, kultura e fjalës publike, e komunikimit, e marrëdhënieve, e shkollës, e rrugës, e mediave, e zyrave, e familjes, e sjelljes, etj. është mosmëkequr aq tepër sa tani, për ta pastruar e kulluar llumin nuk ndihmon as shkolla, as universitetet publike a private, as arti, as morali e as etika. Aq më pak qeveria dhe politika. Në të gjitha këto fusha prej vitesh nuk mirëfunksionojnë hidrovoretet, kanalet e kullim-pastrimit nuk ndajnë ujërat e zeza nga të bardhat, ndaj ne, si shoqëri, jemi të detyruar që nga rubineti që quhet etikë të pimë vetëm llum jashtëqitjesh të politikanëve. Sot kush shan, kush poshtëron e kush fyen më shumë, ngjan edhe i mençur, edhe i ditur, edhe i aftë. Mjafton vetëm një “e enjte parlamentare” për t’u bindur për këtë. Kryeministrat tanë e kanë bërë stil të trashëguar të punës së tyre përçudnimin e fjalës publike, pasi kështu jo vetëm i afirmojnë vetes sa të mençur e hazërxhevap janë, sa lart kanë hipur, por kësisoj ata trembin  vartësit, armiq dhe kundërshtarë.
Të ndjekësh debatet televizive e politike është më zi se të dëgjosh fjalorin e shitëseve te pazari “Gabi”. Fjala publike nuk ka tharmin e as detyrimin më minimal të sqimës, turpit, kulturës. Duket si pa lidhje, por pamjet e kandaharizuara të rrugëve, të qyteteve dhe të katundeve tona me ndërtimet pa, por edhe me leje, me dhe pa rregull shërbejnë si shëmbëlltyrë e saktë figurative e degradimit të fjalës publike jo vetëm në politikë, por edhe në komunikimin shoqëror të fqinjit me fqinjin, të shqiptarit me shqiptarin. Podiumet, rruga, arkitektura e urbanistika ndihmojnë të kuptosh lehtësisht në ç’derexhè ka përfunduar kultura kombëtare, si dhe sa pak respekt e nderim ka aktualiteti jo vetëm për fjalën, si mjet komunikimi e bashkëpunimi, por edhe si e kuptojmë ne bashkëjetesën, si dhe sa i nderojnë të gjallët-të gjallët, të gjallët-të vdekurit, të kamurit-fukarenjtë, politikanët-zgjedhësit, zyrtarët mediokër-profesionistët, interesi vetjak-pronën publike… Tjetërsimi i kulturës në antikulturë është djepi i kaosit tonë.
Mjerisht edhe fushat e artit dhe kulturës, pse jo edhe të shkencës, nën ndikimin e keqpolitikës, janë bërë pasqyrat më të deformuara të këtij shfytyrimi mbarëkombëtar. Mediokriteti në art e kulturë sot vishet firmato, bën flokët me xhel, udhëton me “Jaguar”, mollois nëpër TëVëra e podiume, por nuk ka vlerën as të një kungulli mbirë rastësisht buzë rruge. Kush është më i njohur ndër ne: shkencëtari Kristo Frashëri apo “Ballisti”?!
***    
Shkrimtari Kim Mehmeti, ardhur enkas nga Maqedonia si pjesëmarrës në COD-in e qeverisë për promovimin e librit të Xhungës, i kërkoi kryeministrit Rama të dinte arsyen përse nuk po botohej nga qeveria vepra e plotë e Anton Pashkut. Dhe Rama iu përgjigj paqësisht: “Pse nuk e ke botuar ti në këto 25 vjet?!”… Dhe më pas, gjegjia u përcoll ca më gjerë, edhe për publikun televiziv: “Pse, si thua ti, qeveria do të përcaktojë kush shkrimtar duhet të ribotohet ose jo?!”. Edhe pse Xhunga e hazërxhevapit promovonte librin me intervista me shkrimtarët të shquar, pikërisht në sallën e hapjes së dialogut të qeverisë nuk gjeti dot një pyetje e përgjigje shteruese. Me sa duket, qeveria vazhdon ta zërë lepurin me qerre, aq më tepër kur “lepuri” del nga strofullat e medias e të kulturës.
Nuk është zbulim po të thuhet se fati i librit shqip, i filmit, i teatrit e i muzikës kombëtare ka rënë në duart e zyrtarëve mediokër, të cilët fondet e pakta që jepen për mbarështrimin e artit, shkojnë shpesh për tarafe dhe klientë të partive, duke e dëmtuar në ind qëllimin, motivimin dhe funksionin e artit e kulturës. Prej më se dy vjetësh, qysh kur janë emëruar nga Rilindja drejtorët e rinj të teatrove dramatikë në Tiranë, nuk ka mbetur autor i madh botëror pa u vënë në skenë, si ndodhi psh. vjet, kur u vunë njëkohësisht dy “Arturo Ui”, disa “Shekspirë”, së fundi edhe “Hamleti”, “Tartufi” i Molierit. Së afërmi pritet edhe një Pirandelo e disa “Çehovë” e me siguri, edhe ndonjë autor amerikan “tejet i suksesshëm”. Kështu, siç ka thënë regjisori M.Luarasi, teatrot tona quhen “kombëtare” me kusht që ato të mos vënë në skenë, prej vitesh, asnjë vepër kombëtare! Ato tanimë nuk janë as “popullore”, as elitare. Po ç’të keqe ka, mund të pyesë lexuesi, që vihen autorë të mëdhenj në skenë?
Vetia parësore e një mediokri ballkanik, posaçërisht e atij shqiptar, është si e si të matet me autorët e mëdhenj të botës, si Shekspiri apo Molieri, mjaft që në CV-në e tij të shkruhet se ka luajtur apo vënë në skenë autorë të mëdhenj. Nuk ka pikë rëndësie cilësia e shfaqjes, nuk merakoset kush në ministri apo bashki sa i ndjek shikuesi e pse nuk vjen suksesi, mediokrit tanë besojnë se, përderisa janë matur me Shekspirin e Molierin, ata nuk janë dosido! Këta artistë e drejtues nuk janë e nuk duhen quajtur amatorë; nuk janë madje as dashamirë të artit, pasi atyre nuk u dhemb kultura kombëtare; ata u ngjajnë katundarëve që kanë zbritur në kryeqytet e lëvizin nëpër Bllok me makinë të shtrenjtë, për të rënë në sy, të blerë jo me djersë, por duke e detyruar plakun të shesë tokën e katandinë… O Zot sa të vetëkarfosur e të vetëkënaqur janë mediokrit tanë!
Falë mediokritetit që ka pushtuar jo vetëm botën e artit e kulturës, ne jetojmë në një katund të madh, ku veprat e artit nuk vlejnë më shumë se tallavaja e një dasme, apo se një sfilatë mode. Ngaqë nuk kemi asnjë sukses e arritje në rrafsh botëror në art e kulturë, ne u bëmë si të çmendur për kualifikimin në evropian të kombëtares së futbollit. Qendrat kulturore e artistike, sikurse spitalet dhe ambulancat, nuk janë organizuar sipas konceptit socialist, as atij kapitalist, po deledash; edhe kështu, edhe ashtu, mjaft që ata që i drejtojnë, -të emëruarit partiakë – të mund të përfitojnë ndonjë tender e me to të kënaqin shefat dhe klientët!…
Krerët e partive, pa asnjë dallim ngjyre, si të djathtë e të majtë, si në qendër e në periferi, drejtimin e institucioneve artistike e kulturore, deri në nivel ministri, ua kanë besuar militantëve mediokër e pa dinjitet, të cilët një gjë e kanë bërë për bukuri: shndërrimin e institucioneve artistike e kulturore në rifuxhio punësimi, afirmimi, snobizmi, vaniteti, vulgariteti dhe shpërblimi. Aq sa prej një çerek shekulli, edhe pse artistët e fituan lirinë, shkrimtarët duhet të paguajnë vetë botimin; aktorët, të vjetër e të rinj, leqendisen për të fituar një rol sa për të marrë një rrogë, kurse dramaturgët dhe skenaristët jo se nuk ekzistojnë, por “nuk ekzistojnë” ngaqë askush nuk u hap dyert. Por ama në Teatër dhe në RTSH ka pasur “të punësuar”, të cilët jetonin jashtë vendit e borderonë e kishin prej vitesh këtu, ashtu si ka aktorë që lexojnë tekstin, por luajnë Molierin pa e ditur kush është Molieri…
Nëse kryeministri Rama ka të drejtë kur i thotë Kimit se qeveria nuk ka të drejtë të përcaktojë se cili autor duhet botuar ose jo, kjo nuk do të thotë se qeveria është duarjashtë nga politika mbarëkombëtare kulturore, më konkretisht: nga ecuria e mbarë apo e mbrapshtë e jetës kulturore e artistike në nivel kombëtar, dmth nga hallet e mbijetesës të artit dhe kulturës kombëtare e të njerëzve të artit. Detyra e një kryeministri nuk është të bëjë performanca dhe instalacione në zyrat e qeverisë, as të shpërndajë statusin e “pensionit special” dhe aq… E po të shohësh listën e “Mjeshtrit të Madh”, të “Nderit të Kombit” që akordon Presidenti, “Qytetar Nderi” që tani i japin jo vetëm qytetet, po edhe katundet e komunat, për të kuptuar se si dhe përse ka degraduar nga viti në vit hierarkia e vlerave tona kombëtare në këto  vite të demokracisë.
Dëmi pra nuk janë vetëm fondet e pakta që jepen për kulturën dhe artin, as shpërdorimi sistematik i tyre për klientët dhe mediokrit e kulturës dhe artit, që qëllimisht e jo rastësisht kanë shkatërruar hierarkinë e vlerave. Kjo rropamë ndodh sepse vetëm kështu ata mund të sundojnë, të drejtojnë, të mbretërojnë si dhe të mediokratizojnë pa ndërprerje kulturën dhe artin tonë kombëtar.
***
Në shtator u gjenda për të dytën herë gjatë një viti në Paris. Kësaj here, pranë Notre Damit, buzë Senës, pashë një ndërtesë madhështore në ballë të së cilës shkruhej “Instituti i kulturës polake”. Miqtë e mi më rrëfyen se institute të tilla të kulturës kanë të gjitha shtetet e BE-së, por edhe të Ballkanit, si Greqia, Serbia, Bullgaria, etj. Në to, si mund të vetëkuptohet, promovohet kultura e vendit përkatës në metropolin më të madh kulturor të botës. Teksa dëgjoja këto shpjegime, m’u kujtua se për arsye “objektive” (të mungesës së paktë të fondeve) ne nuk kemi qendra të tilla promovimi në metropolet e botës. Ndërkohë, Ministria jonë e Kulturës vitet e fundit ka shpikur një çmim për përkthyesit nga gjuhë e huaj në shqip. Bën atë që bëjnë ambasadat e huaja në Tiranë teksa  ”sponsorizojnë” botuesit tanë për të sjellë në shqip  autorët e tyre. Kurse tek ne, autorët shqiptarë duhet ta paguajnë vetë botimin, shpërndarjen dhe publicitetin. A nuk i tha këtë kryeministri Kimit? Nuk besoj të ketë ndonjë Ministri Kulture në botë që të financojë botimin e letërsisë së huaj dhe të lërë në mëshirë të fatit letërsinë dhe autorët e vendit. Mund të përkrahen edhe përkthyesit, por më së pari ata të letërsisë shqipe në gjuhë të huaj.
Ky shqetësim u përcoll në mbrëmje në “La Maison d’Albanie”, që gjendet në rrugën “Denfert Roshereau”, në lokalin e marrë me qira nga zoti Gjergj Themeli, ku brenda një viti janë organizuar dhjetëra promovime librash dhe ekspozita piktorësh shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi. Intelektualët që jetojnë në Francë mblidhen çdo fundjavë në “La Masion d’Albanie” për të diskutuar, për t’u bashkuar, duke organizuar madje edhe “ditët e muzikës shqiptare”, për të ringjallur aromën shqiptare… Nuk kam parë në Tiranë një qendër të tillë, ku shkrimtarë, piktorë, kineastë, mjekë, shkencëtarë, gjuhëtarë, studiues të jenë kaq pranë kulturës shqiptare, librit, filmit, gjuhës dhe artit shqiptar si në “La Maison d’Albanie”. Ky është i vetmi “institut” kulture në Francë, e vetmja pikë e promovimit të artit e kulturës kombëtare. E pra, nëse shtetit tonë nuk ia mban “thesi” të ngrejë institute të kulturës në Paris, në Athinë, Nju Jork dhe në Londër, a nuk do të ishte më e udhës që Ministria e Kulturës apo ajo e Jashtme të financonte më së paku disa qendra të tilla, ku të mblidhej diaspora e ku të promovohej kultura kombëtare?
E si për t’i vënë një pikë më rëndësore këtij shqetësimi, z. Themeli, i merakosur më tha se ai dëshironte që me shpenzimet e veta, të ringjallte edhe revistën e vdekur “Les Lettres Albanaise” për të sjellë në Francë letërsinë dhe autorët e panjohur… “A mund dhe si mund të bëhet kjo?”, më pyeti.
Nuk dija t’i jepja një përgjigje. Ndaj heshta. Nuk i thashë që t’u drejtohej institucioneve të kulturës në Tiranë… Po cilave institucione? Ministrisë së Kulturës? Ish-Lidhjes? Duke jetuar e punuar në Tiranë, si shumë të tjerë, unë e di që është tejet e vështirë e punëkotë të komunikosh, të përballesh e të zgjidhësh problemet me mediokritetin zyrtar.

(g.b/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: