Disa ndeshje të Kupës së Botës që këtë vit do të mbahet në Katar do të zhvillohen në një stadium portativ, që mund të çmontohet dhe rimontohet kudo që të jetë e nevojshme. Stadiumi, i projektuar nga arkitektë nga Spanja, është modular dhe është ndërtuar kryesisht me kontejnerë transporti të papërdorur.

Stadiumi portativ, ndërtimi i të cilit u financua nga Katari është i pari i këtij lloji që do të përdoret për ndeshjet e futbollit të Kupës së Botës. Ai quhet Stadiumi 974, duke marrë kodin ndërkombëtar telefonik të Katarit.

Koncepti i stadiumit është projektuar nga firma “Fenwick Iribarren Architects”, e cila ka selinë në kryeqytetin spanjoll të Madridit.

“Nuk ishte vërtet e nevojshme që Katari të kishte një stadium të tetë pas mbarimit të Kupës së Botës. Kështu që ne morën një vendim radikal për të ndërtuar një stadium portativ, i cili jo vetëm që mund të çmontohet, por edhe të transportohet dhe rimontohet në një vend tjetër, si një stadium i plotë futbolli ose një kompleks tjetër sportiv”, thotë Mark Fenwick, një nga drejtuesit e kompanisë “Fenwick Iribarren Architects”.

Megjithatë, ka patur debate mbi argumentin nëse stadiumi është vërtet një alternativë e mirë miqësore ndaj mjedisit. Disa argumentojnë se Katari do të arrinte më shumë përfitime mjedisore nëse njësitë të rëndësishme të ajrit të kondicionuar dhe shërbimet e tjera të stadiumit do të furnizoheshin me energji të rinovueshme, në vend të lëndëve djegëse fosile.

Stadiumi ka një kapacitet prej 40,000 spektatorësh dhe është ndërtuar sipas një dizajni modular, duke përdorur kontejnerë transporti të ricikluar.

Zoti Fenwick beson se ajo që e bën të veçantë stadiumin është thjeshtësia me të cilën është ndërtuar ai.

“Në thelb, ne krijuam një strukturë, në të cilën vendosëm kontejnerët e transportit, krijuam kate të ndryshme aty ku ishte nevoja dhe më pas i lidhëm kontejnerët me njëri-tjetrin, me energji elektrike dhe shërbime të tjera të nevojshme. Mendoj se stadiumi funksionon në këtë mënyrë shumë spektakolare, me një ide unike”, thotë ai.

Stadiumi 974 do të çmontohet pas Kupës së Botës që pritet të fillojë në Katar më 21 nëntor dhe do të përfundojë më 18 dhjetor.

Kupa e Botës në futboll zakonisht organizohet rreth qershorit dhe korrikut, por për shkak të temperaturave shumë të larta në vend gjatë këtyre muajve, këtë vit ajo do të mbahet në dimër.

Edhe pse stadiumi do të çmontohet, zoti Fenwick beson se ka një mundësi për një trashëgimi të tij të qëndrueshme.

“Stadiumi do të çmontohet, do të futet në kontejnerët e transportit, dhe mund të transportohet në një vend tjetër, ku mund të rimontohet përsëri. Për mua do të ishte fantastike nëse ky stadium tranportohet përtej oqeaneve, në një vend tjetër për tu përdorur në një tjetër kampionat botëror të futbollit”, thotë ai.

Mbetet për t’u parë nëse kjo do të realizohet.

Katari thotë se stadiumi do t’u dhurohet vendeve të pazhvilluara që dëshirojnë ta përdorin atë.

Stadiumi u testua gjatë Kupës së Botës Arabe, të cilën Katari e organizoi në muajt nëntor-dhjetor të vitit të kaluar.//VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb