Javën e kaluar, Katari denoncoi në Këshillin e Sigurimit shkeljen e hapësirës së tij ajrore nga katër avionë luftarakë të Bahrejnit, në fillim të dhjetorit të këtij viti.

Përmes një letre drejtuar Presidentit të radhës të Këshillit të Sigurimit, Jerry Matjila dhe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres, Përfaqësuesi i Përhershëm i Katarit në OKB Sheika Alya Ahmed bin Saif Al Thani njoftoi në mënyrë zyrtare shkeljet hapësirës ajrore mbi ujërat territoriale katariane nga ana e avionëve ushtarakë të shtetit fqinj.

Letra dënon me forcë këtë akt si cënim të integritetit, sovranitetit dhe sigurisë territoriale katariane, duke theksuar se ai bie ndesh në mënyrë flagrante me detyrimet që përcakton ligji ndërkombëtar. Ajo i cilëson shkeljet një përshkallëzim që rrit tensionin në rajonin e Gjirit, dhe vë në dukje se në këtë situatë ka kontribuar edhe Bahrejni me pjesëmarrjen në bllokadën e padrejtë të imponuar ndaj Katarit, dhe në veprimet e tjera të paligjshme, të njëanshme e të pajustifikuara që janë ndërmarrë kundër tij.

Më tej, letra sqaron se nuk është hera e parë që avionët ushtarakë të Bahrejnit shkelin hapësirën ajrore të Katarit, dhe se përsëritja e akteve të tilla tregon mospërfillje të patolerueshme ndaj detyrimeve ndërkombëtare. Ajo e fton Bahrejnin të heqë dorë nga aktet provokuese e të papërgjegjshme dhe t’i përmbahet Kartës së OKB-së, të Drejtës Ndërkombëtare, konventave ndërkombëtare dhe vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Shteti i Katarit i bën thirrje OKB-së të marrë masat e nevojshme në përputhje me dispozitat e Kartës së saj për t’u dhënë fund shkeljeve të Bahreinit, në mbrojtje të paqes, sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar e rajonal” – citohet aty.

Letra mbyllet me angazhimin e Shtetit të Katarit për të promovuar marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe për të ushtruar shkallën më të lartë të vetëpërmbajtjes, duke nënvizuar se Katari rezervon të drejtën e plotë për t’iu përgjigjur këtyre shkeljeve, bazuar në të drejtën e tij sovrane për të marrë masat e nevojshme në mbrojtje të kufijve dhe hapësirës së tij ajrore e detare, si dhe sigurisë kombëtare, sikurse përcaktohet në ligjet ndërkombëtare dhe Kartën e OKB-së.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb