Vendimi i pesë shteteve për të ndërprerë marrëdhëniet me Katarin, mund të çojë në izolim të këtij gadishulli të pasur me naftë. Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti, Bahrejni dhe Jemeni, vendosen që të ndërpresin çdo lidhje me Katarin duke e akuzuar atë se po financon organizatat terroriste si ISIS apo Al Kaeda.

Por pasojat e para do të ndihen nga rreth 2 milionë banorët e këtij vendi të cilët mund të përballen me mungesa në ushqime. Në rrjetet sociale u shfaqen pamje të shitësve në supermarkete, të cilët po boshatisnin vitrinat për të mbledhur rezerva në ushqime.

Katari i pasur me naftë, nuk është aspak i pasur në bujqësi. Pjesa më e madhe e territorit përbëhet nga shkretëtirat të cilat nuk shërbejnë aspak për të mbjellat, dhe për pasojë 99 përqind e ushqimeve janë të eksportuara nga vendet e tjera, shkruan “Washington Post”.

Eksportet e ushqimeve duhet të kalojnë përmes kufirit të vetëm tokësor të Katarit me Arabinë Saudite. Agjencitë e lajmeve në Doha njoftuan se, kishin vënë re radhë të gjata blerësish nëpër supermarkete, shumë më tepër nga ç’ndodh në një ditë të zakonshme.

Ndërkaq, shtetasve të Katarit të cilët ndodhen në Arabinë Saudite u është kërkuar që brenda 14 ditësh ta braktisin vendin.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: