Fundjavën e kaluar, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe Këshilli Ekonomik dhe Social (ECOSOC) zhvilluan nëpërmjet një videokonference eventin e të përbashkët tematik kushtuar vendeve më pak të zhvilluara, me temë “Diversifikimi i Mjeteve të Financimit për të Rritur Investimet në Vendet më pak të Zhvilluara”.

Në këtë takim mori pjesë edhe Shteti i Katarit i përfaqësuar nga Zv. Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Sheik Mohammed bin Abdulrahman Al Thani. Në fillim të fjalës së tij, Ministri i Jashtëm katarian falënderoi organizatorët, duke shtuar se Katari çmon lart përparësinë që iu është dhënë në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme të KB dhe ECOSOC-ut çështjeve të cilat lidhen me vendet më pak të zhvilluara, teksa vlerësoi mbështetjen e OKB-së për këto vende.

Për treguesit e pasojave të krizës globale të shkaktuar nga pandemia e COVID-19, ai thekoi se këto tregues shfaqin përmasën e ndikimit të krizës veçanërisht në vendet më pak të zhvilluara, gjë që paraqet sfidë reale e cila kërcënon progresin ekonomik, shoqëror dhe zhvillimor në këto vende, si dhe përkeqëson më tej vështirësitë me të cilat ato përballen.

Zyrtari i lartë katarian vuri në dukje se gjatë Samitit të Veprimit për Klimën që u mbajt në Shtator 2019, vendi i tij u zotua nën direktivat e Emirit HH Sheik Tamim bin Hamad Al Thani, të japë një kontribut prej 100 milion USD për të mbështetur shtetet e vogla ishullore në zhvillim dhe vendet më pak të zhvilluara në përballimin e ndryshimeve klimatike. Ai shtoi se Fondi i Katarit për Zhvillim po e zbaton këtë zotim përmes partneriteteve dhe financimit të projekteve dhe nismave që ndihmojnë në forcimin e rezistencës dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike.

Në vijim, Ministri Katarian tha se në kuadër të partneritetit efektiv mes Katarit dhe komunitetit ndërkombëtar për përballimin e sfidave globale, vendi i tij është krenar të mikpresë Konferencën V të KB për vendet më pak të zhvilluara më 23-27 Janar 2022, me synim vazhdimin e sukseseve të arritura në konferencat e mëparshme. Ai theksoi se konferenca e Dohas do të jetë një pikë kthese e rëndësishme për t’iu përgjigjur aspiratave të vendeve premtuese ekonomikisht, si dhe për të adresuar shkaqet rrënjësore të sfidave ekzistuese dhe shtuar mbështetjen për vendet më pak të zhvilluara.

Programi i Punës në Doha për dekadën e ardhshme do të shërbejë si pikënisje dhe hartë rruge, pasi do të jetë i pari programi pune që do të adresojë me përparësi përballimin e pasojave të pandemisë COVID-19 mbi vendet më pak të zhvilluara. Sikurse do të trajtojë edhe ndihmën që do t’u jepet këtyre vendeve gjatë dekadës së ardhshme për të mbështetur zhvillimin e tyre në përputhje me “Agjendën e Zhvillimit të Qëndrueshëm 2030”, duke synuar që ato të dalin nga lista e vendeve më pak të zhvilluara – sqaroi ai.

Gjithashtu, Ministri Katarian nënvizoi faktin se Shteti i Katarit është kujdesur të alokojë një pjesë të madhe të ndihmës së dhënë prej tij për vendet në zhvillim dhe ato më pak të zhvilluara në të gjithë botën, me më shumë se 140 milion USD në kontribute përmes organizatave ndërkombëtare dhe atyre bamirëse, me qëllim forcimin e aftësive të shumë vendeve në zbutjen e ndikimit të pandemisë, veçanërisht për vendet më pak të zhvilluara.

Në përfundim të fjalës së tij, Ministri i Jashtëm i Katarit theksoi se vendi i tij nuk do të kursejë asnjë përpjekje në ofrimin e nismave dhe ndihmës që kontribuojnë për lehtësimin e barrës së tejkalimit të sfidave dhe krizave të përbashkëta. Ai tha se Katari do të vijojë punën e bazuar mbi parimin e bashkëpunimit dhe partneritetit, duke uruar që ky takim të përmbushë qëllimet e dëshiruara. Njëkohësisht, ai i ftoi të gjithë të pranishmit të marrin pjesë në Konferencën e V të OKB-së që do të mbahet në Doha vitin e ardhshëm, duke shprehur aspiratën e tij për një pjesëmarrje aktive.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: