Nuk kishte luftë, as LIIIB-bërthamore, u “vetasgjësuan” momentalisht kërcënimet politiko-ushtarake Lindje-Perëndim, “ngrinë” mbushjet bërthamore të raketave, superiorët dhe supermacitë mbi “Luftën e Yjeve” u bënë “të arsyeshëm”. “Covid-19” “mbyti” në detin e mistereve  “armët”, “mjetet” dhe “forcat luftarake”. Mbijetoi shkenca mjekësore, që po ja del me shumë vështirësi, por jo plotësisht e pasigurt.

Pandemia i “dogji” planet e zhvillimit të botës njerëzores, i devijoi timonin e projekteve, politikave, strategjive, këndvështimeve. Ekonomitë botërore u futën në ngërç, “makineria” e zhvillimit botëror bëri “në vend numuro”, u ngritën sërish “gardhet” europiane, u thelluan ndasitë, policitë e gjithë vendeve “u ngritën në këmbë” për zbatimin e masave antikovid, në bota vendosi “orën policore” si shpëtim, bluzat e bardha u shndruan në heronj, jeta dukej sikur ndali dhe analistët ju drejtuan “historisë” së pandemive.

Pabesia e një armiku planetar dhe kërcënimi i sigurisë njerëzore u bë i vërtetë e real. E vërteta në lidhje me koronavirusin vdekjeprurës kishte marrë dyfytyrësi. Ekulibrat e sigurisë ndërkombëtare të njerëzimit ishin prishur. Kishte lindur pasiguria për veten, udhëheqësit, ligjet dhe institucionet. Mendimi shkencor u gjend i papërgatitur, panjohuritë shkonin deri në “teori konspirative”. Ishte vërtetuar katërcipërisht ajo që thoshte Tukididi në antikitet se: “Sëmundjet prekin të pasur dhe të varfër, të devotshëm dhe jo të devotshëm” dhe bota e përjetoi realisht. Pritshmëritë e njerëzimit dhe siguria e tyre u kthye në problem imediat.

Mjekët dhe “shoqëria harmonike dhe e prosperuar kineze” filluan ti fshiheshin gazetarëve, medias dhe mbarë botës. Vetëm më 21 janar 2020, OBSH publikoi raportin e parë të situatës mbi “Covid-19” kur ishin infektuar 278 njerëz në Kinë dhe ishte përhapur në tre vende të tjera. Lufta kishte filluar por këtë herë pa fronte dhe pa prapavijë, burimet e fuqisë dhe potencialet u bënë të pamatshme. Strategjistët “dolën jashtë luftimit”. Në vijë të parë të frontit u vendosën bluzat e bardha. E megjithatë në mars 2020 përmasat botërore nuk mund ta frenonin këtë gjëmë për njerëzimin. Lufta tashmë ishte e shpallur në të gjitha frontet, por në padukshmëri. Shtetet përballë pandemisë përdorin arsenalet njerëzore më solide sikurse ishin Policia dhe Forcat e Armatosura, por edhe segmente të tjera të shtetit për të disiplinuar popullatën. Pati edhe shtete si Zvicra që qentë i ktheu në misionarë që nuhasin koronavirusin dhe kapin infeksionet e Covid-19, por që nuk zëvendësojnë testimin masiv.

Ndryshuan zakonet e njerëzimit, nuk token më duart sikurse njerëzimi bënte shekujve, u “harruan” puthjet e përqafimet, u vendosën masivisht maskat, distancat, dezifektantë me bazë klori ose alkooli, punët “online”. U shkruan libra e ditarë, mijëra artikuj, analiza e opinione, planeti shkoi në disa dhjetra qindra në milionë të vdekur, ideali ngeli mbijetesa, ndërkohë që mjekët u shndërruan në heronj të ditës. Mjekësia që kishte gjetur ilaç për TBC, malarien e dhjetëra sëmundje të rrezikshme ishte shokuar dhe “ishte nisur për rrugë” për të shpëtuar të ardhmen e njerëzimit. Koronavirusi në një farë mënyre shembi ritualin botëror të zhvillimit. U larguan nga kjo jetë personalitete nga më të fuqishmet e botës e deri tek njerëz të thjeshtë, që lanë një boshllëk të madh në shkencë, në mjekësi, në art, në kulturë, në polici, në ushtri, një situatë krejtësisht të pazakontë. Bota hodhi vështrimin nga institutet, qendrat kërkimore shkencore, universitetet, intelektualët potencialë të shkencës e personalitete, megjithëse ata janë të dhe ndonjëherë edhe të përbashkuar në mendimin mbi “botën paspandemike”. Kjo gjendje e pazakontë detyroi liderët vendimmarrës të botës të kthenin vëmendjen sërish nga rritja buxheteve mjekësore. Vaksinat dolën në plan të parë si shpëtimtare të vetme të njerëzimit.

Njerëzimi e kuptoi se shpëtimi dhe siguria që do të vinte vetëm nga vaksina. Gara për vaksinën e shekullit njohu një stad të jashtëzakonshëm. U nakatosën shtete e kombe të mëdhenj e të vegjël. U futën në lojë miqësi të vjetra e të reja.

Në plan të parë ridolën dominantët e planetit, ata që siguruan të parët vaksinat për “të vetët”. “Harruan” aleancat dhe qëllimet e ligjësitë strategjike përse ishin krijuar, por nuk harruan kërcënimet dhe sjelljet brutale e terroriste. Shtete potencialë si dhe liderë në këtë situatë, u shfaqën sikurse nuk ishin nën moton “secili për vete zoti për të gjithë”. Luftërat politike pavarësisht pandemisë njohën kulme të reja. Për pak kohë këtë trysni kaq të madhe njerëzimi e kishte “harruar”, apo nënvleftësuar. Ndërkohë që pritej që bota jonë të bëhej “më e mirë”, vetëm në një vit u rrënua edhe më tej. Por tani duket dritë jeshile në fund të tunelit, për sigurinë kombëtare e ndërkombëtare të njerëzimit. Do rikthehet normaliteti, jetës së re, metodave të vjetra.

Covidi hyri dhunshëm në jetën e njerëzimit dhe në fakt ky virus nuk ishte i pari në sojin e vet. Bota kishte njohur dhe më parë “armiq” të kësaj natyre, kishte jetuar të njëjtin panik bota stërgjyshërore dhe shekulli e mileniumi i fundit. Këtë herë u futën të trembur përballë virusit të pandalshëm. Aktualisht bota “zien” mes vaksinave, diplomacisë, gjeopolitikës dhe dhimbjeve. Armiku “i padukshëm” u rrit dhe u bë një mal “i dukshëm” për pothuaj gjithë vendet e planetit tonë. Nuk mjaftonte koronavirusit “COVID-19” (SARS-CoV-2), por edhe variantet e rinj të COVID-it, që po “gjunjëzon” botën dhe vende të mëdha po regjistrojnë më shumë se njëmijë vdekje në 24 orë. Variantet e Mbretërisë së Bashkuar, i njohur si: “B.1.1.7”) është përhapur në rreth 50 vende po pëson mutacione sërish, ndërsa varianti i Afrikës së Jugut “B.1.351”, i zbuluar në rreth 20 vende, varianti Brazilian “P1”, i zbuluar në disa vende si Japoni, Mbretërinë e Bashkuar etj. Por a është mbyllur “thesi” i mutacioneve virusale? Vaksinat kundër COVID-19 janë zgjidhja, megjithëse njerëzit janë të ndarë në mendim se cila duhet përdorur, ajo që vjen nga strukturat qeveritare, të paracaktuara dhe të përzgjedhura nga Komisioni i ekspertëve, apo “të presim”. Thike me “dy presa”. Qytetarët janë të ndara sa i përket marrjes së dozës, disa prej të cilëve shprehen se është e patjetërsueshme të merret, ndërsa disa shprehen se nuk janë dakord të vaksinohen!. Është fakt se një vit më parë më 10 mars 2020, bota numëronte 4000 viktima dhe disa qindra mijëra të prekur, por edhe një pjesë drejt shërimit. Pas një viti “bashkëjetesë me virusin” bota ka një bilanc tragjik e futur në “pikiadë”, por me shpresë tek vaksinimi.

Në pikëpamje teorike njerëzimi i njeh me pikatore familjen virusale të koronaviruseve. Koronaviruset përbëjnë nënfamiljen “Orthocoronavirinae”, në familjen “Koronaviridae”, porosisin “Nidovirales” dhe fushën e “Riboviria. Madhësia e gjenomit të koronavirusëve varion nga afërsisht 27 deri në 34 kilobaza, më e madhja midis viruseve të njohura të ARN-së. Emri koronavirus rrjedh nga korona latine, që do të thotë “kurorë”, e cila i referohet pamjes karakteristike që të kujton një kurorë ose një koronë diellore rreth virioneve ose grimcave të virusit, kur shikohet nën mikroskopinë elektronike të transmetimit dydimensionale, për shkak të mbulimit të sipërfaqes në thumba proteina në formë klubi. Koronavirus 2019 u zbulua në dhjetor 2019 në Wuhan të Kinës me simptomat ethe, kollë e thatë, temperaturë, dhimbje fyti, etj. Por rrugës një vjeçare të përhapjes nxori edhe mjaft shenja të tjera. Nuk respektoi moshë e radhë, zbriti nga moshat e mëdha tek të mesmet dhe nuk po kursen as të voglat.

Në pikëpamje historike koronaviruset njerëzore u zbuluan për herë të parë në fund të viteve 1960, gjashtë dekada më parë. Janë të identifikuara në një familje më parë edhe SARS-CoV në 2003, HCoV NL63 në 2004, HKU1 në 2005, MERS-CoV në 2012, SARS-Cov-2, që njihet si: Sars-Cov-2019”.  Fakt është se deri tani BE ka miratuar tre vaksina të koronavirusit “Pfizer/BioNtech, Moderna, AstraZeneca”, ndërkohë që më 11 mars, EMA pritet gjithashtu të rekomandojë aprovimin e vaksinës nga prodhuesit amerikanë “Johnson & Johnson”. Por zhvillimet mbi vaksinat shkojnë përtej euro-amerikanëve. Kështu vaksina ruse tashmë po përdoret në disa vende jashtë Rusisë. “Sputnik V” stimulon formimin e antitrupave kundër virusit dhe mund të ndihmojë në mbrojtjen kundër sëmundjes së frymëmarrjes që shkakton, Covid-19. Po vaksinat kineze?. Europa është e ndarë në mendim, në qëndrim dhe veprim edhe pse vaksinat nuk janë “specie politike”, as formulë gjeopolitiko-diplomatike e teorizimit “kufij të shtet-kombeve”. Shpëtimi i njerëzimit prevalon mbi mure, perde qofshin dhe prej hekuri, mbi politika, strategji, lidera, kokëfortësi, qëndrime armiqësore të thelluara, ku vetëm negociata e diplomaci nuk mund të jenë. Europianët janë të “turpshëm” dhe nuk flasin hapur sepse prisnin që dikush nga kabineti i lokomotivës gjermane, që udhëheq Europën të “çante akullin”. Kështu Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn theksoi se, “është i hapur për përdorimin në Gjermani të vaksinave kundër koronavirusit të prodhuara në Rusi ose Kinë”, “nëse një vaksinë është e sigurt dhe efektive, nuk ka rëndësi se në cilin shtet është prodhuar, atëherë sigurisht që mund të ndihmojë në mposhtjen e pandemisë”, tha zëri zyrtar i Gjermanisë për gazetën “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. Vonesat e dërgesave të dozave të vaksinës nga kompanitë “Pfizer” dhe “BioNTech” nuk janë në praktikën e gjermanëve.

Njerëzimi prej një viti “u mësua” ta bashkëjetojë me të keqen, por kërkoi dhe kërkon zgjidhje. Ai ndryshoi dhe po ndryshon përditë dhe me të drejtë një pyetje rri pezull: “Kur do të ikë koronavirusi, që të shpëtojë njerëzia?”. Kushdo do t’i referohej historisë së pandemive në botë. Sëmundjet infektive që u shfaqën miliona vjet më parë janë akoma me ne. Vetëm lija është çrrënjosur me vaksinë. Koronavirusi ka të ngjarë të bashkëjetojë pak më gjatë. Por deri kur? Kur njerëzimi do të rikthehet jetës parakovidiane të munguar? Në Shqipëri gjendja sot është 112078 raste, 74352 të shëruar, 1918 viktima, 35808 raste aktive ndërsa sipas “worldometers” bota prej 7.85 miliardë banorë shtohet me 24 milionë në vit ose 200 mijë lindje çdo ditë, ndërkohë që shuhen rreth 10 mijë çdo ditë. Sot bota sot ka rreth 117 milionë raste me Coronavirus, 2.6 milionë viktima, 93 milionë të shëruar, 21 milionë raste aktive. Bota është lodhur dhe mërzitur, me këtë periudhë pasigurie, fundi i së cilës duket se nuk është afër. Epidemiologët dhe ekspertët e shëndetit publik kanë përdorur modele matematikore për të parashikuar se çfarë do të ndodhë. Menaxhimi bazohet në parashikime dhe modelet matematikore, kur kemi të bëjmë me sëmundjet infektive vështirësitë rriten. Fakt është se kur nuk gjenden zgjidhjet studiojnë historitë e sëmundjeve, dhe kur nuk mund të shkojë përpara preferojnë të shikojnë prapa. Disa shkencëtarë e mjekë spekuluan dhe hodhën hapa të matur mirë duke thënë se, “do zhdukej me vapën… me dimrin”, me “imuniteti i tufës”. Të gjithë u mësuan me distancimin shoqëror, mbajtja e maskës, larja e shpeshtë e duarve, por fundi i pandemisë nuk dukej. Vaksina e sigurt dhe efektive është zgjidhja, ndërkohë që ka edhe pesimistë që thonë se, “nuk zhduket kurrë”, sepse sëmundjet mbesin. Por kur gjenden mekanizmat efikas vaksinues garantimi i jetës njerëzore është siguria e vërtetë e së sotmes dhe e së ardhmes. Armiku i padukshëm “vritet” me vaksinim edhe pse nuk shuhet dhe nuk zhduket. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka vijuar punën si një xhonglere mbi dozat dhe llojet e vaksinës anticovid-19 përfshi dhe vendet e varfëra në botë me një “tufë” programesh “COVAX” dhe jo vetëm. Ndërkohë që në një “llogore” tjetër qëndrojnë vende të mëdhenj e të vegjël i kanë dhënë “karar”, kanë përdorur gjithë arsenalet e makinerisë antikovid, pavarësisht se rezultatet e këtij zjarri frontal jo gjithnjë kanë qenë rezultative. Por fakti është se ata kanë guxuar dhe guxojnë. Ata kanë “luajtur” në skenën e madhe të botërore, përballë fuqive, faktorëve, mjediseve gjeopolitike, shpesh edhe me “kalem të mprehtë”, me strategji të mëdha, kanë bërë goditje strategjikisht në distanca të largëta, por rezultatet nuk janë të menjëhershme. Bota do të paguajë gjatë çmimin e kësaj pandemie paralizuese. Shkencëtarë e studiues të institucioneve nga më prestigjiozet e botës ende nuk janë në gjendje të japin një përgjigje të plotë e të prerë, por një gjë ngelet e vërtetë. Gjithë shtetet në këtë stad dhe në vijimësi janë të përbashkuar në vetëm një përgjigje, atë që kishte edhe një vit më parë: “me sytë nga vaksinat!”, për të shpëtuar njerëzimin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb