ITALI- Kur kanë kaluar dy ditë nga tragjedia që goditi Genovan, ekipet e kërkim-shpëtimit ndodhen ende poshtë urës Morandi ndërsa gërmojnë nën rrënoja me shpresën se do të gjejnë të tjerë të mbijetuar. Deri më tani janë konfirmuar zyrtarisht 38 të vdekur, tre prej të cilëve fëmijë. Edhe pse u përfol për 39 viktima, prefektura e Genovas ka bërë me dije se janë 38 viktima, ndërsa të plagosur janë 15 persona.

Mediat italiane, bazuar tek informacionet e ekipeve të zjarrfikësve, raportojnë se dhjetra persona rezultojnë të zhdukur, ndërsa ka ende shpresa që disa prej tyre mund të jenë ende gjallë. Por frika se mund të përballen me të tjerë viktima nuk përjashtohet. Ndërkohë, ekipet e shpëtimit bëjnë me dije se nën rrënoja ka ende shumë makina që janë ‘groposur’, për të cilat po punohet për t’i nxjerrë, shkruan ‘Corriere’.

Sakaq, deri më tani 664 persona janë evakuuar, ndërsa kanë braktisur kështu banesat e tyre, pasi ato paraqesin rrezik për shembje. Kujtojmë se ministri i Brendshëm italian pohoi se të gjitha ato banesa që rrezikojnë shembjen do të rindërtohen nga e para brenda vitit. Ndërkohë, dje qeveria italiane vendosi që të shpallë ditë zie ditën e shtunë, ditë në të cilën do të zhvillohet edhe ceremonia mortore e viktimave që humbën jetën në tragjedi.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: