Humbjet globale të sigurimeve për katastrofat natyrore parashikohen të arrijnë në 112 miliardë dollarë për vitin 2022, tha të premten kompania ndërmjetësuese e risigurimeve Guy Carpenter.

Këto humbje janë kryesisht pasojë e ndikimit të uraganit Ian që goditi Floridën në fillim të këtij viti.

Përmbytjet dhe breshëri në Europë, përmbytjet në Australi dhe stuhitë e forta në Shtetet e Bashkuara gjithashtu kontribuan në totalin e kësaj shume, tha Guy Carpenter në një deklaratë.

Uragani Ian dhe katastrofat e tjera natyrore shkaktuan rreth 115 miliardë dollarë humbje të siguruara gjatë këtij viti, një shifër shumë më e lartë se mesatarja 10-vjeçare prej 81 miliardë dollarësh, sipas vlerësimeve të Swiss Re në fillim të këtij muaji.

Normat e risigurimeve pritet të rriten ndjeshëm në datën 1 janar, si rezultat i humbjeve që lidhen me uraganin Ian dhe luftën në Ukrainë, thonë burimet nga kjo industri.

Siguruesit e anijeve kanë përjashtuar Ukrainën, Rusinë dhe Bjellorusinë nga politikat e përgjegjësisë së luftës, ndërkohë që risiguruesit kanë zvogëluar ekspozimin e tyre.

Diskutimet rreth tarifave dhe përjashtimeve nga lufta kanë bërë që negociatat mes siguruesve dhe risiguruesve të jenë të tensionuara këtë vit.

Sezoni i rinovimit të këtij viti ishte “një nga më sfiduesit që ka kaluar ndonjëherë ky sektor”, tha Guy Carpenter, duke shtuar se procesi kishte qenë “jashtëzakonisht i vonuar”.

Humbjet e parashikuara nuk përfshijnë ndikimin e katastrofave më të fundit natyrore të muajit dhjetor, shtoi Guy Carpenter./ Reuters

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb