Princesha e Uellsit, Kate Middleton u shfaq në një video thellësisht personale me familjen e saj për të konfirmuar se do të rikthehej në detyrat publike, pas përfundimit të kimioterapisë.

Videoja, ku Kate flet edhe për prekjen e saj nga kanceri, përcjell edhe pamje me fëmijët dhe princin William duke shijuar natyrën, duke ecur nëpër pyje dhe duke u përqafuar teksa kapen për dore.

Ajo i përshkruan nëntë muajt e fundit që nga fillimi i problemeve të saj serioze shëndetësore si “jashtëzakonisht të vështira për ne si familje” dhe se si “kanceri është kompleks, i frikshëm dhe i paparashikueshëm për të gjithë”.

Në video, Kate thotë se ”fokusi im tani është të bëj atë që mundem për t’u shëruar përfundimisht nga kanceri”.

”Edhe pse kam mbaruar kimioterapinë, rruga ime drejt shërimit të plotë është e gjatë dhe duhet të vazhdoj ta marr çdo ditë, ashtu siç vjen”, tha ajo.

”Megjithatë mezi pres të rikthehem në punë dhe të ndërmarr disa angazhime të tjera publike në muajt e ardhshëm, kur të mundem”, shton Kate.

”Pavarësisht gjithçkaje që ka ndodhur më parë, unë hyj në këtë fazë të re të rimëkëmbjes me një ndjenjë të rinovuar shprese dhe vlerësimi për jetën”, thekson princesha.

Kate, e cila po vazhdon të punojë nga shtëpia, shpreson të kthehet në një program të lehtë të detyrave publike për pjesën e mbetur të vitit, duke reflektuar nevojën e saj për një rikuperim të plotë dhe synon një pjesë të vogël të angazhimeve në muajt e ardhshëm.

Koncerti i këngës së Krishtlindjeve të princeshës në Westminster Abbey është bërë një pjesë e fortë në kalendarin mbretëror vitet e fundit dhe ajo ka filluar të punojë me ekipin e saj në projekt.

Kate ka marrë mesazhe mbështetjeje nga publiku dhe tha se ajo dhe bashkëshorti i saj kishin “marrë forcë” nga të gjithë ata që i ndihmonin dhe “mirësia, empatia dhe dhembshuria e të gjithëve kanë qenë vërtet përulëse”.

Videoja, e xhiruar në gusht në Norfolk, ku ata kanë një shtëpi, tingëllonte një notë pozitive e reflektuar në imazhet e princit George, princeshës Charlotte dhe princit Louis duke luajtur në fusha ose duke shijuar një lojë letrash me prindërit e tyre, nën një pemë.

Ajo përfundon me fjalët e princeshës për të tjerët që janë ende duke u trajtuar për kancerin.

”Për të gjithë ata që po vazhdojnë rrugëtimin e tyre kundër kancerit – unë mbetem me ju krah për krah”, thotë Kate.

“Nga errësira, mund të dalë drita, kështu që ajo dritë le të shkëlqejë”, përfundon princesha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: