Katedralja ikonike Notre Dame në Paris do të rihapet për publikun për rituale dhe turizëm në vitin 2024, tha ministrja e Kulturës Rima Abdul Malak gjatë vizitës së saj në këtë objekt fetar.

Një zjarr masiv në prillin e vitit 2019 shkatërroi katedralen mesjetare katolike duke shkatërruar kornizën prej druri, orën dhe dritaret klasike së bashku me statujat dhe pikturat e tjera.

Malak tha se qeveria është e sigurt për hapjen e katedrales deri në vitin 2024, kur një pjesë e madhe e punës së restaurimit do të përfundojë.

Rihapja e objektit të famshëm turistik përkon me Olimpiadën e Parisit 2024, kur mijëra spektatorë pritet të mbërrijnë në Francë.

Restaurimi dhe ndërtimi i katedrales Notre Dame me kosto 850 milionë euro përfshin tre faza. Ka përfunduar faza e parë e pastrimit të rrënojave në ambientet e brendshme, dhe sigurimi i qëndrueshmërisë së objektit.

Faza e dytë që përfshin punimet në kornizat dhe çatitë, kurse rindërtimi i majës do të fillojë në fund të verës, ndërkohë që faza e tretë dhe e fundit do të fokusohet në rindërtimin e jashtëm.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb