Negociatori rus Vladimir Medinsky tha të dielën se Moska ishte gati të rifillonte bisedimet e paqes me Ukrainën, duke fajësuar Kievin për pezullimin e tyre.

“Nga ana jonë, ne jemi të gatshëm të vazhdojmë dialogun,” tha Medinsky, këshilltar i Kremlinit i cili ka qenë në bisedime me Ukrainën.

“Ngrirja e bisedimeve u bë ekskluzivisht me iniciativën e Ukrainës”, shtoi ai, duke thënë se “tani topi është në fushën e tyre”.

“Rusia nuk ka refuzuar kurrë të negociojë”, pohoi më tej gjatë një intervistë për Televizionin Publik bjellorus.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në një bisedë telefonike me Mario Draghin të shtunën mbrëma, tha se bisedimet do të zhvillohen vetëm kur Ukraina të rimarrë territoret që Rusia i kishte marrë që nga fillimi i luftës, duke sqaruar se “vendi i tij nuk është ende gati për një proces të vërtetë paqeje”.

Ai shprehu shpresën se Italia do të vazhdojë të mbështesë luftën çlirimtare të Ukrainës me sistemet e mbrojtjes, ndërsa i kërkoi Draghit të përmbushë kërkesën e Kievit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, “megjithë rezistencën e disa anëtarëve të Bashkimit, duke filluar nga Berlini”.

Negociatat filluan pasi forcat ruse hynë në Ukrainë më 24 shkurt, por nuk ishin në gjendje të pushtonin shpejt kryeqytetin. Ministrat e jashtëm të të dy vendeve u takuan në Turqi në mars, pas së cilës delegacionet zhvilluan bisedime në Stamboll, por pa sukses.

Negociatori ukrainas Mikhail Pontolyak tha të martën e kaluar se bisedimet ishin “pezulluar” pasi Rusia ridislokoi forcat e saj dhe tani po fokusohej në një “operacion special”, siç e quan luftën,  në Ukrainën lindore.