Kremlini është “i shqetësuar” për ushtarin rus Vadim Shishimarin dhe do të kërkojë mënyra për t’i ofruar ndihmë atij, tha të hënën zëdhënësi presidencial rus Dmitry Peskov.

Shishimarin, 21 vjeç, është ushtaraku i parë rus që akuzohet për krime lufte në Ukrainë. Të hënën, Shishimarin u shpall fajtor për vrasjen e një civili të paarmatosur në rajonin Sumy të Ukrainës dhe u dënua nga një gjykatë e Kievit me burgim të përjetshëm.

“Sigurisht, ne jemi të shqetësuar për fatin e qytetarit tonë”, u tha Peskov gazetarëve në një konferencë të rregullt.

“Ne nuk kemi shumë mundësi për të mbrojtur interesat e tij në terren, pasi institucionet e huaja në fakt nuk kanë asnjë aktivitet [në Kiev]. Por kjo nuk do të thotë se ne nuk do të shqyrtojmë mundësinë për të bërë përpjekje përmes kanaleve të tjera”, shtoi Peskov pa sqaruar se për cilat kanale e kishte fjalën.