Gjigandi i kafesë Starbucks i është bashkuar sot emrave të firmave të njohura të cilat kanë bojkotuar Rusinë, pas nisjes së agresionit ndaj Ukrainës.

Me anë të një deklarate për shtyp, kompania ka sqaruar se do të mbyllë të gjitha pikat e shërbimit në Rusi dhe se nuk do të jetë më pjesë e tregut rus.

Kompania e kafesë thotë se ka 15 vjet që operon në Rusi dhe tani ka mbyllur 130 kafenetë e saj të licencuara në vend. Starbucks i bashkohet kompanive të tjera si McDonald’s dhe Exxon Mobil për të hequr plotësisht biznesin e saj nga Rusia.

Gjithsesi Starbucks thotë se do të “mbështesë” rreth 2,000 punëtorët e saj në Rusi, duke përfshirë pagën për gjashtë muaj.

Kjo vjen pasi CEO i Starbucks Kevin Johnson tha në mars se kishte pezulluar të gjithë aktivitetin e biznesit në Rusi, duke përfshirë dërgimin e të gjitha produkteve të Starbucks.

(BalkanWeb)