Njeriu më i pasur i Ukrainës, Rinat Akhmetov, pronari i fabrikës së çelikut Azovstal, uzina që ishte edhe qëndresa e fundit e ukrainasve në qytetin e Mariupolit, ka deklaruar se ka ndërmend të padisë shtetin rus në lidhje me dëmet që i ka shkaktuar me dëmtimet e pronës së tij nga bombardimet ruse.

Ai ka sqaruar se dëmet e shkaktuara kapin vlerën prej 17 deri në 20 miliardë dollarë, sipas mediave lokale.

“Ne patjetër do të padisim Rusinë dhe do të kërkojmë kompensimin e duhur për të gjitha humbjet,” tha Akhmetov për portalin ukrainas të lajmeve mrpl.city.

Si bastioni i fundit i rezistencës së qytetit kundër pushtimit rus, uzina e çelikut Azovstal u vu nën sulm të ashpër për javë të tëra përpara se trupat ukrainase të vendosura atje të evakuoheshin.