Është publikuar biseda e tensionuar mes Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe atij të Rusisë, Vladimir Putin, vetëm pak ditë para se Rusia të pushtonte Ukrainën.

Mediet e huaja kanë publikuar transkriptin e negociatave mes dy liderëve, gjatë një bisede telefonike, që nis me fjalët e Macron “Vladimir, së pari një gjë”, por që ndërpritet direkt nga udhëheqësi rus “Dëgjo Emmanuel”.

Biseda është zhvilluar vetëm katër ditë para se Putin të urdhëronte nisjen e sulmeve mbi Ukrainë, dhe siç raportojnë mediat e huaja Macron e pyet troç Presidentin rus se “Do të dëshiroja që së pari të më jepni leximin tuaj të situatës dhe ndoshta drejtpërdrejtë, siç është zakoni ynë, të më tregoni se cilat janë qëlimet tuaja”.

“Çfarë mund të them? Ju vetë e shihni se çfarë po ndodh”, i përgjigjet Putin, duke akuzuar Ukrainën për prishjen e marrëdhënieve të Minskut.

Më tej, Putin kritikon Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, teksa shprehet se “Në fakt kolegu ynë i dashur z. Zelensky nuk po bën asgjë për të zbatuar marrëveshjen e Minskut. Ai po ju gënjen”, duke akuzuar gjithashtu edhe Macron se kërkon të rishikojë Minskun.
“Nuk e di nëse këshilltari juaj ligjor ka mësuar ligjin! Sa për mua, thjesht shikoj tekstet dhe përpiqem t’i zbatoj ato”, i përgjigjet menjëherë Presidenti francez.

Putin më pas argumenton se propozimet e separatistëve në Ukrainën lindore duhet të merren parasysh. “Por ne nuk na interesojnë propozimet e separatistëve”, thotë Macron.

Por, pavarësisht tensionit, Macron gjithashtu kërkoi të luante rolin e ndërmjetësit, duke thënë se do t’i kërkonte Zelensky-t që të “qetësonte situatën” jo vetëm në forcat e armatosura të Ukrainës, por edhe në mediat sociale. “Mos u dorëzoni ndaj provokimeve të asnjë lloji në orët dhe ditët në vijim”, i kthehet ai Putinit.

Siç kanë bërë gjithmonë në bisedat e tyre, të dy burrat përdorin formën joformale të “ti” për t’iu drejtuar njëri-tjetrit.

Telefonata përfundon me Macronin, që i sugjeron Putinit një samit me Presidentin e SHBA, Joe Biden. Presidenti rus nuk kundërshton, por as nuk shfaq interes për të caktuar një dalë.

Pas telefonatës, Elysee informoi gazetarët se një marrëveshje në parim ishte arritur për një samit midis Biden e Putin, por që nuk u bë kurrë.

Fjalët e fundit të bisedës mes dy liderëve janë të përzemërta, ku madje Putini i flet dhe në frëngjisht Macronit, duke i thënë se “Ju falënderoj Zoti President”.

(BalkanWeb)