Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez është shprehur se Aleanca e Atlantikut të Veriut ka qenë naive në marrëdhëniet e saj me Rusinë përgjatë viteve.

Duke folur nga samiti i NATO-s në Madrid, Sanchez tha se NATO tashmë po i dërgon një mesazh të qartë Putinit, që është se ne do të mbështesim Ukrainën dhe jemi të gatshëm të mbështesim Ukrainën derisa trupat ruse të largohen nga vendi dhe ata të respektojnë territorin, integritetin dhe sovranitetin kombëtar të Ukrainës.

“Mendoj se është e rëndësishme të dërgohet ky mesazh i unitetit dhe vendosmërisë së komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht aleatëve të NATO-s, dhe sigurisht G7-ës, në mënyrë që të mundësohet kthimi në një skenar ku vende të ndryshme, veçanërisht Rusia në këtë ras, të respektojë një rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla, i cili është minuar për shkak të kësaj lufte të tmerrshme në Ukrainë”, vazhdoi Sanchez.

Duke reaguar ndaj marrëveshjes së Turqisë për të mbështetur ofertën e Finlandës dhe Suedisë për anëtarësim në NATO, Sanchez tha se hyrja e këtyre dy shteteve në NATO nuk është për shkak se ata duan të zgjerojnë territoret e tyre, por për të mbrojtur vlerat e tyre, demokracitë e tyre dhe natyrisht, një rend ndërkombëtar bazuar në rregulla të qarta, që ofrojnë siguri.

I pyetur nëse ishte gabim konsideromi i Rusisë një “partner strategjik” në vitin 2010, Sanchez tha se në atë kohë, NATO kishte provuar t’i jepte Rusisë dhe Putinit një mundësi, por shtoi se ndoshta me kalimin e viteve vendet anëtare kanë qenë pak naive në raport me Moskën.

“Në ditët e sotme, ne po shohim sjellje ekspansioniste dhe imperialiste nga Putini dhe regjimi i tij, dhe kjo është diçka e papranueshme.
Unë mendoj se është e rëndësishme ajo që ne po miratojmë tani në këtë samit të Madridit, që është të përcaktojmë Rusinë si një kërcënim strategjik për aleatët dhe të përcaktojmë se cilat janë mjetet, instrumentet që do të vendosim për t’iu përgjigjur ndaj këtij kërcënimi global”, tha Sanchez.

(BalkanWeb)