Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, po flet në një konferencë shtypi pas ditës së dytë dhe të fundit të samitit të aleancës ushtarake në Madrid.

Stoltenberg e përshkruan samitin si “transformues” dhe thotë se liderët ranë dakord për një ndryshim themelor në parandalimin dhe mbrojtjen tonë.

“Ne ramë dakord të ftojmë Finlandën dhe Suedinë për t’u bashkuar me aleancën tonë dhe ramë dakord për mbështetjen afatgjatë për Ukrainën.

Udhëheqësit e NATO-s trajtuan gjithashtu krizën globale të ushqimit e cila është rezultat i drejtpërdrejtë i pushtimit rus të Ukrainës”, shtoi ai.

Stoltenberg tha se ndikimi i krizës ushqimore është i rëndë, duke përfshirë disa nga njerëzit më të cenueshëm në botë.

Ai shtoi se aleatët e NATO-s diskutuan përpjekjet për të zbutur krizën dhe për të nxjerrë grurin nga Ukraina nga toka dhe deti.

Stoltenberg ka zbuluar se Suedia dhe Finlanda pritet të nënshkruajnë zyrtarisht protokollin e anëtarësimit në NATO të martën.

“Presidentët e të dy vendeve nordike do të marrin pjesë në proces por realiteti është se vendimi është marrë tashmë nga krerët e NATO-s dje në samitin”, tha ai.

(BalkanWeb)