Moska është duke u përballur me mungesa të theksuara në trupat ushtarake, kësisoj Khersoni është duke iu ikur nga duart.
Kështu raporton Avril Haines, drejtori i inteligjencës kombëtare të SHBA-së, gjatë një konference në Uashington DC, ku bën me dije se “Kremlini është duke u përballur me rritjen e qëndresës në Ukrainën jugore”.

SHBA-ja beson se Rusia nuk ka forca të mjaftueshme në Kherson, për të pushtuar dhe kontrolluar në mënyrë efektive rajonin, veçanërisht pas tërheqjes së forcave nga zonat e luftës në lindje të Donbas-it. Një zyrtar tjetër amerikan ka thënë për CNN-in se forcat ukrainase pritet të sulmojnë zyrtarët rusë, të cilët operojnë në vend.

Ukraina gjithashtu ka kryer kundërsulme të kufizuara pranë Khersonit, duke tensionuar më tej forcat ruse. Rajoni i Kherson-it ka qenë objektiv parësor për Rusinë, në mënyrë që të ushtrojë hegjemoninë e saj në bregun e Detit të Zi, mandej përmes tij të kontrollojë edhe hyrjen në gadishullin e Krimesë.

Është e paqartë se sa forca ruse mund të jenë afër Kherson-it, por pushtimi i një popullsie armiqësore lokale kërkon shumë më shumë ushtarë sesa një pushtim paqësor i territorit. Udhëheqësit e Rusisë i kanë dhënë prioritet fushatës ushtarake në kurriz të çdo pamjeje të qeverisë. “Është e qartë se nuk është diçka, për të cilën ata janë në gjendje të investojnë tani”, tha një zyrtar amerikan.