Kryeministri australian Anthony Albanese ka vizituar së fundmi Ukrainën, ku është takuar nga afër me presidentin Volodymyr Zelensky.
Në vizitën e tij kryeministri Albanese ka parë nga afër situatën në disa qytete të Ukrainës, si Bucha dhe Irpin, duke e cilësuar “krim lufte”.

Kësisoj, ai premtoi më shumë ndihmë ushtarake për Ukrainën pasi vizitoi kryeqytetin e vendit të shkatërruar nga lufta. Paketa e ndihmës, me vlerë 100 milion dollarë australianë, përfshin drone dhe 34 automjete të blinduara, shkruan BBC.

Anthony Albanese njoftoi se Australia do të vendosë sanksione dhe ndalime udhëtimi për 16 ministra dhe oligarkë të tjerë rusë si dhe do të ndalojë importin e arit rus.

Ai thotë se pa me sytë e tij “shkatërrimin dhe traumën” e shkaktuar në Ukrainë, ku mijëra ukrainas janë vrarë dhe shumë qytete janë shkatërruar që nga fillimi i pushtimit më 24 shkurt.

Kryeministri australian ndezi një qiri për civilët e varrosur në një varr masiv në Bucha, për të cilën forcat ruse akuzohen për kryerjen e masakrës.

Dhe në Irpin ai e përshkroi atë që e shihte si “shkatërruese”. Në një konferencë për shtyp në Pallatin Presidencial në Kiev, kryeministri Albanese tha se vendi i tij do të mbështesë Ukrainën “për aq kohë sa të nevojitet”.

Që nga fillimi i luftës e deri në këtë vizitë, ndihma totale e Australisë për Ukrainën kap vlerën e rreth 390 milionë dollarë.
Australia po shqyrton gjithashtu rihapjen e ambasadës së saj në vend, duke ndjekur shembullin e vendeve të tjera, si Britania e Madhe dhe SHBA-ja.

Kryeministri Albanese i bashkohet një liste të gjatë të liderëve botërorë, të cilët kanë vizituar Ukrainën që nga fillimi i luftës. Vizita e paparalajmëruar erdhi pas një udhëtimi njëjavor në Europë, ku Z. Albanese mori pjesë në samitin e NATO-s në Madrid dhe u takua me presidentin francez Emmanuel Macron në Paris.