Klima mes liderëve amerikanë dhe rusë është e ftohtë dhe duket se për një kohë të gjatë nuk do të ketë asnjë ndryshim.

Pushtimi rus i Ukrainës dhe kërcënimet e Vladimir Putin ndaj Uashingtonit pas mbështetjes së dhënë ushtarake në Kiev, ishin në rritje.

Por ndërsa lufta ruse në Ukrainë nuk është ndalur, duket se tensioni mes palëve është në rritje kjo edhe për faktin se presidenti rus, Vladimir Putin ka vendosur të mos e urojë homologun e tij amerikan në Ditën e Pavarësisë së SHBA-së, pasi Putin i konsideron ‘armiqësore’ veprimet e Uashingtonit ndaj Moskës.

“Urimet këtë vit vështirë se mund të konsiderohen të përshtatshme. Politika jomiqësore e SHBA është arsyeja”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.

Kujtojmë se më herët Shtëpia e Bardhë njoftoi ndihmë ushtarake shtesë rreth 800 mln dollarë për Ukrainën.

Ndërkohë Moska ka shtuar sulmet në Ukrainë duke synuar zonat civile me popullsi të dendur në Ukrainën Lindore dhe qendrore.

Sakaq presidenti i SHBA dhe homologët e tij të G7 ranë dakord në fund të javës së kaluar për një ndalim të importeve të arit nga Rusia ndërsa zgjerojnë sanksionet kundër Moskës për luftën e saj kundër Ukrainës.

(BalkanWeb)