Numri i njerëzve të cilët përballen me urinë në botë është rritur me 150 milionë që nga fillimi i pandemisë së shkaktuar nga Covid.

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar se kriza ushqimore e shkaktuar nga agresioni i Rusisë në Ukrainë rrezikon t’i shtyjë vendet më të goditura drejtë urisë.

Në nivel global, numri i të sëmurëve nga kequshqyerja kronike u rrit në 828 milionë vitin e kaluar, një rritje prej rreth 46 milionë në krahasim me vitin e kaluar, dhe tre herë më e lartë nëse matet që nga mbyllja e botës për shkak të Covid, ka gjetur një raport.

Me rritjen e çmimit të karburantit, produkteve ushqimore dhe plehrave që nga nisja e luftës, ky total pritet të rritet edhe më tej vitin e ardhshëm, skenar ky që mund të ndikojë që disa nga më të varfrit në botë të përballen me mungesë ekstreme të ushqimit.

“Ekziston një rrezik real që këto shifra të rriten edhe më shumë në muajt në vijim. Rritjet globale të çmimeve të ushqimit, karburantit dhe plehrave si rezultat i krizës në Ukrainë kërcënojnë të shtyjnë vendet në mbarë botën në zi buke. Rezultati do të jetë destabilizimi global, uria dhe migrimi masiv në një shkallë të paprecedentë. Ne duhet të veprojmë sot për të shmangur këtë katastrofë të afërt”, tha David Beasley, drejtor ekzekutiv i Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së (WFP).

Për shkak të pasigurisë së shkaktuar nga ndikimi i zgjatur i mbylljeve të Covid, raporti i cili është publikuar të mërkurën vlerëson se totali për vitin 2021 ishte diku midis 702 milionë dhe 828 milionë.

Nëse e saktë do të ishte shifra e fundit, kjo nënkupton se 10.5% të popullsisë së botës, u ndodhën në këtë situatë gjatë vitit të kaluar.

Gilbert Houngbo, president i Fondit Ndërkombëtar për Zhvillimin e Bujqësisë (IFAD), tha se sipas parashikimeve, kequshqyerja kronike do të prekë gati 670 milionë njerëz në vitin 2030, një shifër e ngjashme me atë të vitit 2015, kur OKB-ja u zotua të zhdukë urinë deri në vitin 2030, si pjesë e synimeve të zhvillimit të qëndrueshëm.

“Kjo do të thotë që të gjitha përpjekjet në ato 15 vjet do të jenë fshirë nga krizat e ndryshme nëpër të cilat po kalon bota”, tha ai për The Guardian.

Duke i kërkuar komunitetit ndërkombëtar të “kapë momentin” dhe të bëjë “një ndryshim vendimtar” në politikën bujqësore, ai tha: “Ndihma ushqimore nuk është zgjidhja. Dhe sot, nëse investojmë në qëndrueshmërinë e prodhuesve vendas, ne mund ta shmangim atë zi buke”.

Mjeti i përdorur nga OKB-ja dhe komuniteti më i gjerë ndërkombëtar për të matur pasigurinë ushqimor, klasifikimi i integruar i fazës së sigurisë ushqimore (IPC) e përcakton urinë si një privim ekstrem nga ushqimi.

“Uria, vdekja, skamja dhe nivelet jashtëzakonisht kritike të kequshqyerjes akute janë ose ka të ngjarë të jenë të dukshme,” thotë OKB.

Zija e fundit e urisë që u shpall zyrtarisht ishte në disa zona të Sudanit të Jugut në vitin 2017. Para kësaj, një zi buke në Somali vlerësohet të ketë vrarë afro 260,000 njerëz midis 2010 dhe 2012.

Të dy vendet vazhdojnë të vuajnë nga pasiguria akute ushqimore dhe një zëdhënës i WFP paralajmëroi muajin e kaluar se vetëm një përpjekje masive humanitare mund të parandalojë që pjesë të Somalisë të kthehen në urinë në muajt e ardhshëm.

Përktheu: BalkanWeb