Centrali bërthamor në Zaporizhzhia të Ukrainës vijon të jetë shënjestër e sulmeve të shumta, për të cilat si pala ukrainase edhe ajo ruse fajësojnë njëra-tjetrën.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres paralajmëroi se luftimet mund të “çojnë në një katastrofë” në centralin më të madh bërthamor të Evropës, të pushtuar nga Rusia në fillim të marsit.

Të mërkurën, ministrat e jashtëm nga grupi G7 i vendeve të industrializuara thanë se Rusia duhet t’ia kthejë menjëherë kontrollin e uzinës Kievit.

Ndërkohë, SHBA bëri thirrje për krijimin e një zone të çmilitarizuar rreth uzinës.

“Luftimi pranë një centrali bërthamor është i rrezikshëm dhe papërgjegjshmëri”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

Objekti dhe zona përreth tij në Ukrainën qendrore-lindore panë bombardime javën e kaluar, ku Rusia dhe Ukraina gjithashtu akuzuan njëra-tjetrën për atë sulm.

Ukraina thotë se Rusia e ka kthyer vendin në një bazë ushtarake, duke nisur sulmet ndërkohë q pret e di se forcat ukrainase nuk kanë gjasa të hakmerren.

Moska e mohon pretendimin.

Në një deklaratë të enjten, agjencia bërthamore e Ukrainës Enerhoatom tha se pushtuesit rusë bombarduan përsëri uzinën e Zaporizhzhia dhe territoret pranë objektit bërthamor.

Kjo agjenci tha se një zyrë administrative pranë zonës së saldimit u godit dhe disa sensorë të rrezatimit u dëmtuan.

Ka pasur një zjarr të vogël, por nuk raportohet për të lënduar.

Enerhoatom shtoi se stacioni i zjarrfikësve që ndodhet pranë uzinës ishte gjithashtu në shënjestër.

“Për shkak të granatimeve, ishte e pamundur të ndërronin personelin pas turnit, kështu që ata duhej të vazhdonin punën jashtë orarit. Por situata ishte aktualisht nën kontroll, tha Enerhoatom.