Zyrtarët ukrainas dhe ata të vendosur nga Rusia kanë raportuar për bombardime pranë termocentralit më të madh bërthamor në Evropë gjatë 48 orëve të fundit. Të dyja palët fajësojnë njëra-tjetrën ndërsa mbikëqyrësi bërthamor botëror paralajmëroi për katastrofë nëse luftimet nuk ndalen. Rusia dhe Ukraina kanë shkëmbyer akuza gjatë këtij muaji në lidhje me centralin bërthamor Zaporizhzhia në Ukrainën jugore, i cili zë një pjesë të madhe në bregun jugor të një rezervuari në lumin Dnipro.

Ekspertët bërthamorë janë të shqetësuar se luftimet mund të dëmtojnë rezervuarët me karburantin e harxhuar të centralit ose sistemin e ftohjes për reaktorët.

Radiokimisti rus dhe eksperti bërthamor Boris Zhuikov nga Instituti për Kërkime Bërthamore në Akademinë Ruse të Shkencave i tha agjencisë së lajme “Reuters” se bombardimet pranë kompleksit bërthamor të Zaporizhzhias mund të dëmtojnë sistemin e ftohjes së reaktorëve të tij.

“Nuk po flasim për një situatë ku do të kishte një numër të konsiderueshëm vdekjesh. Por, mund të jetë e nevojshme të zhvendosim një pjesë të popullatës në një territor prej dhjetëra kilometrash. Gjithashtu duhet të bëhet kontrolli i rregullt i nivelit të rrezatimit në plazhet e Detit të Zi dhe, natyrisht, përgjatë lumit Dnipro”, tha zoti Zhuikov.

Nëse kjo do të ndodhte, një aksident i ‘llojit të Fukushimës’ mund të ishte i mundur, tha ai.
“Bombardimet mund të dëmtojnë termocentralin bërthamor, sigurisht që kjo është e vërtetë. Por ka shumë të ngjarë që nuk është vetë reaktori ai që do të dëmtohet. Reaktori është i mbrojtur mirë. Mund të dëmtohet sistemi i ftohjes , si rezultat i të cilit, në parim, është i mundur një aksident mjaft i rëndë, jo në nivelin e Çernobilit, por në nivelin e Fukushimës” tha më tej zoti Zhuikov.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore (IAEA), po kërkon qasje në termocentral.

Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres ka bërë thirrje për krijimin e një zone të çmilitarizuar përrreth Zaporizhzhias.

Kombet e Bashkuara thonë se e kanë kapacitetin logjistik dhe të sigurisë për të mbështetur një vizitë të IAEA-s, nëse Rusia dhe Ukraina bien dakord.

Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu zhvilloi një telefonatë me zotin Guterres për të diskutuar kushtet për funksionimin e sigurt të uzinës, thuhet në një njoftim nga kjo ministri.

“Në bashkëpunim të ngushtë me agjencinë dhe drejtuesit e saj, ne do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme që specialistët e IAEA-s të jenë në stacion dhe të japin një vlerësim të vërtetë të veprimeve shkatërruese të palës ukrainase,” tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova.

Rusia e mori nën kontroll stacionin bërthamor të Zaporizhzhia në mars, menjëherë pasi dërgoi dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë në atë që Moska e quan një “operacion special ushtarak”./VOA