Vladimir Putin thuhet se ka shprehur gatishmërinë e tij për bisedime të drejtpërdrejta me Volodymyr Zelensky, sipas CNN Turk, duke cituar njerëz me njohuri për këtë çështje. Sipas të njëjtave burime, Putin ngriti mundësinë e një takimi me Zelensky gjatë bisedimeve me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan në Soçi më 5 gusht.

Më parë, qëndrimi i palës ruse ishte që të dy presidentët të takoheshin kur të ishte gati “udhërrëfyesi” i një zgjidhjeje të mundshme të konfliktit në territoret ukrainase, zhvillimi i të cilit do të bëhej nga grupe negociatorësh. Tani, Putin “duket i gatshëm të takohet personalisht me Zelenskyn për të diskutuar skicën e një marrëveshjeje paqeje” dhe më pas t’ua japë atë diplomatëve për të punuar, thonë burimet e CNN turk.

Qëndrimi i Kremlinit duket se po “zbutet” pasi përpjekja e tij e tretë për të kapur Donbasin duket se po dështon, viktimat ushtarake po rriten dhe Ukraina po përdor armët e SHBA-së, duke goditur Krimenë dhe linjat ruse të furnizimit të vendosura atje. Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov më 20 korrik i quajti të pakuptimta negociatat me Kievin, duke argumentuar se zyrtarët ukrainas “nuk do të jenë kurrë në gjendje të artikulojnë disa gjëra që meritojnë vëmendje serioze nga njerëz seriozë”. Një javë më vonë, Lavrov tha se Moska “nuk ka refuzuar kurrë të negociojë” dhe shtoi se “çdo armiqësi përfundon në tryezën e bisedimeve”.