Udhëheqësi çeçen Ramzan Kadyrov, një aleat i presidentit Vladimir Putin, tha të mërkurën se atij iu dha një gradë e lartë në ushtrinë ruse, në një kohë kur forcat e Moskës pësuan një seri humbjesh në Ukrainë.

Udhëheqësi 46-vjeçar çeçen – një nga zërat më të hapur në Rusi që mbështet ofensivën e Putinit në Ukrainë – tha se ishte një “nder i madh” për të, shkruajnë mediat ruse.

Kadyrov, një ish-komandant lufte që sundon Çeçeninë me shkelje të përhapura të të drejtave të njeriut, tha se Putin e kishte informuar “personalisht” atë për vendimin.

“Presidenti i Rusisë më dha gradën e gjeneral kolonelit”, tha Kadyrov në Telegram. “Ky është një promovim për mua”.

Grada e gjeneral kolonelit është grada e tretë komanduese më e lartë në hierarkinë ushtarake ruse.

Emërimi i Kadyrov në gradë erdhi pasi ushtria ukrainase zmbrapsi forcat e Moskës në zonat që Kremlini i shpalli si “ruse përgjithmonë”.

E udhëheqësi çeçen citohet të ketë thënë se do të bënte “gjithçka për t’i dhënë fund operacionit special ushtarak” – duke përdorur termin e Kremlinit për fushatën e tij në Ukrainë.

Njësitë çeçene – duke përfshirë vetë milicinë e Kadyrov me një reputacion të keq, “Kadyrovtsi” – po luftojnë përkrah forcave të rregullta ruse në Ukrainë.

Kadyrov ka mbështetur plotësisht fushatën e Putinit, duke bërë thirrje rregullisht që të përdoren taktikat më drastike në Ukrainë.

Këtë javë ai i bëri thirrje Moskës të përdorë armë bërthamore me rendiment të ulët në Ukrainë pasi trupat ruse u detyruan të tërhiqen nga qyteti i Lyman.

Më pas ai tha se po dërgonte tre nga djemtë e tij adoleshentë – 14, 15 dhe 16 vjeç – në front.