Sulmet vdekjeprurëse me raketa në Zaporizhzhia janë pasuar nga një tjetër sulm në qytetin ukrainas, thanë zyrtarët lokalë të enjten.

Bombardimi i supozuar erdhi disa orë pasi sulmet me raketa para agimit në qytetin jugor të Ukrainës lanë një person të vdekur dhe shtatë të shtruar në spital, duke përfshirë një vajzë trevjeçare.

“Vëmendje! Ka një tjetër sulm me raketa armike. Qëndroni në strehimore!”, tha Oleksandr Starukh në një postim në Telegram drejtuar banorëve.

Sipas ministrit të Jashtëm të Ukrainës, Dmytro Kuleba, bombardimet para agimit përbëheshin nga shtatë raketa.
“Rusët vazhdojnë të godasin qëllimisht civilët për të mbjellë frikë. Terrori rus duhet të ndalet – me forcën e armëve, sanksionet dhe izolimin e plotë”, shkroi Kuleba të enjten.

“Deri më tani, dihet për vdekjen e një gruaje”, tha Starukh në një postim të veçantë në Telegram për sulmin para agimit. “Shtatë persona u plagosën…Ata u shtruan në spital, duke përfshirë një fëmijë trevjeçar. Operacioni i shpëtimit është ende në vazhdim.”

Starukh fillimisht kishte thënë se dy gra ishin vrarë, por rishikoi numrin e të vdekurve dhe tha se e dyta kishte mbijetuar.

Sulmi i parë goditi ndërtesat e larta të banimit ndërsa njerëzit flinin, tha Sekretari i Këshillit Bashkiak të Zaporizhzhia, Anatoliy Kurtiev në kanalin e tij Telegram. Mes infrastrukturës së dëmtuar ishte një ndërtesë apartamentesh e rrafshuar, sipas fotove të postuara në mediat sociale nga Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës.

Zaporizhzhia është një qytet i madh në Ukrainën jugore, jo shumë larg vijës së frontit pasi Kievi bën përparime gjithëpërfshirëse në rajonet jugore dhe lindore të vendit.

Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi të mërkurën në ligj dokumentet për aneksimin e paligjshëm të Donetskut, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia, duke përfunduar hapin e fundit të procesit të aneksimit, bazuar në sistemin ligjor rus. Aneksimi është i paligjshëm sipas ligjit ndërkombëtar.

Moska ka vetëm kontroll të pjesshëm të tokës ukrainase që pretendon se e ka aneksuar, me pak më shumë se 70% të rajonit të Zaporizhzhia nën pushtimin rus.