Nga ORNELA MANJANI* Rritja e çmimit të energjisë elektrike do të ketë efekte minimale në shpenzimet e familjeve në nevojë, pasi barrën e rritjes së çmimit do ta mbulojë buxheti i shtetit. Ministria e Financave ka vënë në dispozicion të zërit kompensime për energjinë 160 milionë lekë për vitin 2015 dhe 480 milionë për tri vitet në vijim.

Totali i vlerës së planifikuar në kuadrin makroekonomik për vitet 2015-2018 arrin në 640 milionë lekë. Efektet financiare të rritjes së çmimit nisën në janar dhe paralelisht është aplikuar edhe masa e kompensimit. Në listën e përfituesve janë 88.094 familje që marrin ndihmë ekonomike, 80 mijë kryefamiljarë në pensione pleqërie dhe invaliditeti, 7 mijë familje që kanë në përbërje persona me aftësi të kufizuar, 404 familje në përbërje të të cilave ka një person të verbër, paraplegjikët dhe tetraplegjikët si edhe 9 mijë punonjës buxhetorë me pagë nën 35 mijë lekë në muaj. Gjithashtu, është miratuar edhe masa e kompensimit në vlerën 648 lekë në muaj.

DOKUMENTET PËR TË PËRFITUAR
Kompensimi për ndryshimin e çmimit të energjisë pas heqjes së fashës mbrojtëse deri në 300 kwh do të kryhet pasi personat që përfitojnë nga vendimi për kompensim të kenë dorëzuar një sërë dokumentesh.

Familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike duhet të dorëzojnë fotokopje të librezës së energjisë elektrike, e cila vërteton se këta persona nuk janë debitorë, fotokopje të kartës së identitetit dhe çertifikatë familjare. Ndërsa për pensionistët që janë kryefamiljarë, për të përfituar kompensimin është e domosdoshme dorëzimi i çertifikatës familjare dhe në rastet kur figurojnë persona madhorë duhet dokument nga zyra e punës që provon se janë të papunë, librezë të energjisë elektrike dhe fotokopje të kartës së identitetit. Ndërsa për buxhetorët që trajtohen me pagë minimale, përcaktimi i përfituesve kryhet nga institucioni ku janë të punësuar dhe lista e përfituesve do të ndryshojë në varësi të ndryshimit të ndryshimit të pagës.

FONDI I KOMPENSIMIT
Në planin makroekonomik të miratuar nga Ministria e Financave mësohet se vlera e fondit për kompensim nuk do të ndryshojë në katër vitet e ardhshme. Fondi për vitin 2015 është miratuar në vlerën 160 milionë lekë, ndërkohë që në vitin 2014 ishte 110 milionë lekë dhe është përcaktuar në zërin kompensim për energjinë elektrike.

ÇMIMI I ENERGJISË
Heqja e fashës mbrojtëse 300 kwh solli unifikimin e çmimit të energjisë në 9.5 lekë për kWh. Për të minimizuar efektet e rritjes së çmimit për familjet që ishin marrë në mbrojtje me vendosjen e fashës, qeveria me një vendim të posatshëm caktoi masën e kompensimit 684 lekë në muaj. Për të përfituar kompensimin, shtresat në nevojë duhet të dorëzojnë dokumentet brenda muajit prill.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb