Sulmet e Rusisë mbi Ukrainë kanë krijuar një krizë të paprecedentë çmimesh në të gjithë botën sidomos për artikujt ushqimorë, por më të ekspozuara nga këto goditje janë vendet të varfra dhe ato në zhvillim si Shqipëria.

Drejtoresha e Menaxhimit të Politikave të Zhvillimit në Bankën Botërore, Mari Elka Pangestu tha se, kriza e çmimeve që po kalojmë nuk është e paprecedente dhe këshilloi secilin shtet kudo në botë (edhe Shqipërinë ) se si duhet të veprojë për të ulur dëmet që mund të krijojë kjo situatë në shtresat e varfra.

Shqipëria, si një ndër vendet me nivelin më të lartë të varfërisë ne Europë sipas Bankës (mbi 32% e popullsisë jetojnë me më pak se 5,5USD në ditë, kufiri relativ i varfërisë) do të jetë edhe më e prekur nga kriza e çmimeve. Sipas zyrtares së lartë të BB-së, shtetet duhet të ndjekin kryesisht katër rrugë për të reduktuara pasojat e çmimeve të larta.

Së pari, mbani të forta lidhjet tregtare të ushqimeve

Duke mësuar nga përvoja, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare duhet të qëndrojnë përsëri të bashkuara në angazhimin e tyre për të mbajtur në normalitet tregtinë normale të ushqimeve. G7 u ka bërë thirrje të gjitha vendeve që të mbajnë të hapura tregjet e tyre ushqimore dhe bujqësore dhe të ruhen nga çdo kufizim i pajustifikuar në eksportet e tyre.

 Së dyti, familjet e varfra duhet të marrin mbështetje financiare ekstra 

Duhet të mbështeten konsumatorët dhe familjet e cenueshme nga rritja e çmimeve përmes ndihmave financiare të menjëhershme. Zyrtarja e lartë bën thirrje se, në këto momente është e domosdoshme të zgjerohen programet e mbrojtjes sociale që zbusin goditjen për konsumatorët.

Jo vetëm disponueshmëria e ushqimit, por edhe përballueshmëria e ushqimit është një shqetësim veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme si Shqipëria, ku njerëzit priren të shpenzojnë një pjesë më të madhe të të ardhurave të tyre për ushqim sesa në vendet me të ardhura të larta.

Shumë prej familjeve në vendet ku shpenzohet më shumë për ushqime po shkurtonin shpenzimet edhe para luftës për shkak të të ardhurave të reduktuara dhe rritjes së çmimeve të ushqimeve. Në një mjedis me burime të kufizuara, qeveritë duhet t’i japin përparësi mbështetjes për familjet më të cenueshme, sugjeron Pangestu.

Së treti, mbështetja e fermerëve

Ndërsa rezervat globale të ushqimit janë të mjaftueshme tani, Banka Botërore lajmëron se duhet të mbrohen dhe të rriten të korrat e sezonit të ardhshëm duke ndihmuar prodhuesit e ushqimit që po përballen me një rritje të mprehtë të inputeve, duke përfshirë kostot e plehrave./Agroweb