Nga ing. Luan Pogaçi
Luan Pogaçi që rrëfen këtë histori pas më shumë se dyzet vjetësh, është një person që ka qenë shumë pranë ngjarjeve që kanë ndodhur në atë kohë dhe dëshmon fare thjeshtë ca të vërteta ashtu si ai i ka përjetuar nga afër. Luani, ka mbaruar Universitetin Shtetëror të Tiranës, Dega Elektrike e rrymave të dobëta në vitet 1961-1965. Në vitet 1959-1961 ka qenë student në Shkollën e Lartë të Inxhinierisë Elektronike për Marinën në Leningrad në Bashkimin Sovjetik. Ka punuar fillimisht në disa njësi të Ministrisë së Mbrojtjes si inxhinier për ndërlidhjen dhe në byronë e projektimeve. Në muajin tetor 1978 filloi punë në Drejtorinë e Sigurimit të Udhëheqjes si inxhinier për sigurinë e ndërlidhjes deri në vitin 1982. Nga kjo kohë e deri në vitin 1991 ka punuar njëkohësisht shef i shërbimit të informacionit në Drejtorinë e Dytë të Sigurimit të Udhëheqjes.

Le të ndjekim rrëfimin e tij.
***

Një brigadë ndërtimi e Ndërmarrjes N. 10 me drejtues M. Llavdanitin, një drejtues shumë i mirë, që ishte autorizuar të bënte punime në bllokun e udhëheqjes, ishte drejt fundit të ndërtimit të vilës së Mehmet Shehut në Tiranë. Sipas projektit të bërë nga unë më parë kisha kontrolluar përfundimin, në përgjithësi instalimet telefonike, të interfonisë, linjat e komandimit të radiostacioneve, etj. Në vilë vinin linja nga shumë centrale telefonike, si telefoni sekret dyshifror, telefoni i ndërlidhjes së kufizuar, telefoni i Ministrisë së Punëve të Brendshme, i Ministrisë së Mbrojtjes, i rrjetit të qytetit dhe i Komitetit Qendror, po ashtu pultet e komandimit të radiove të Ministrisë së Brendshme, të Ministrisë së Mbrojtjes, të garnizonit ushtarak të Tiranës, etj.

Problemi lindte se cilat nga këto ndërlidhje do të ishin në dhomën e gjumit në katin e dytë, sa do të ishin në sallonin në katin e parë dha sa në vendstrehim, njëkohësisht duhej përcaktuar se cila linjë do të shkonte fillimisht direkt në vendstrehim pastaj në ndërtesë, apo në dhomën e shërbimit të grupit të shoqërimit (sigurimit fizik). Pra për vendvendosjen e ndërlidhjes siç thashë më lartë, unë kisha përgatitur projekt idenë për këtë problem, por, sipas rregullit, duhej miratimi dhe firma e Kryeministrit.

Si procedurë: Unë dhe çdo inxhinier që merrte pjesë në punime duhej të shkonte vetë të paraqiste e ta mbronte idenë e plotë te Kryeministri. Megjithatë unë hezitova dhe jo pa shkak.

Ka një thënie të Saadiut te libri “Gjylistani” se “…është dobiprurëse të shërbesh pranë të fuqishmit, por gjithmonë ke të rrezikuar jetën….”

Në Shqipëri, në mënyrë të pashkruar vepronte ligji faraonik që me vdekjen e faraonit sakrifikoheshin edhe ata që i shërbenin atij, (që t’i shërbenin edhe në botën tjetër). Tek ne për ata që hynin në rrethin e punës së udhëheqësit të rënë në fatkeqësi, sakrifikimi qe vetëm politik dhe ndokund edhe burg. Duke u nisur nga të gjitha ndodhitë dhe rrethanat e përshkruara më lart si dhe debatet e krijuara, dukej që Kryeministri kishte rënë në fatkeqësi dhe s’i dihej si do të vazhdohej më tej. Problemi qe i paqartë. Qe detyrim që Kryeministri duhej të miratonte vendosjen përfundimtare të pajisjeve në shtëpinë e tij. Me intuitë unë mendova se, që të mos kisha konsekuenca më vonë, s’duhej të ekspozohesha më tej në shërbimet për kryeministrin. Për këtë i them Maxhordomit të shtëpisë së kryeministrit, J. Luto, i cili qe gjithmonë i interesuar dhe mbikëqyrës gjatë ndërtimit të vilës (një ish-shofer i graduar në oficer, nga Mallakastra dhe i besuar i familjes), i cili qe një person mjaft pozitiv, i qeshur dhe komunikues të mbledhë gjithë projekt-idetë e inxhinierëve që kanë punuar në vilë për instalimin e sistemeve të ndryshme, për vendosjen përfundimtare të pajisjeve dhe aparaturave të akomodimit, etj., dhe t’ia paraqesë Kryeministrit. S’kemi pse të vemi të gjithë ne, secili inxhinier për linjën e tij, i thashë. Atij i pëlqeu kjo ide se iu duk vetja si kryeinxhinier. Dhe ashtu u veprua.

Megjithatë duket që diku kisha firmosur, besoj për vilën e Vlorës, se këtë ma tha dikush më vonë, një punonjës biblioteke i Komitetit Qendror që kishte vajtur për të kontrolluar dokumentet e Kryeministrit në shtëpi pas vdekjes së tij.

Ai e kishte miratuar projekt-idenë time. Në shtator 1981 shtëpia e kryeministrit përfundoi dhe ai u vendos aty me familjen. Në këtë shtëpi nga ana e ndërlidhjes u vendosën te gjitha pajisjet që thashë më lartë, nëpër ambientet që kishte miratuar Kryeministri. Kabllot telefonike shkonin më parë në vendstrehim, i cili qe një vendkomandë e vërtetë shumë e pajisur, pastaj shkonin në sallën e ndenjjes në katin e parë dhe disa prej tyre në dhomën e gjumit të Kryeministrit. Komutimet bëheshin me çelës për secilën linjë. Në sallë, në katin e parë, ndodhej pulti i komandimit të radiostacionit për ndërlidhjen me Forcat e armatosura. Te porta e oborrit u vendos për kontrollin e sinjalizimin e kalimeve, një pajisje sinjalizuese me rreze infra të kuqe.

Dhoma e gjumit të Kryeministrit ishte mobiluar thjesht, por shumë bukur. Mobiliet ishin të gjitha me rimeso plepi të bardhë të lyera me llak transparent që vezullonin dhe jepnin pamjen sikur qenë prej fildishi. Te koka e krevatit ishte instaluar një radio marrëse difuzioni për lajmet dhe muzikë. I njëjti mobilim ishte dhe në dhomën e gjumit të gruas se tij, Fiqretit. Krevatet e tyre qenë dopio, por ata flinin në dhoma të veçanta, ngjitur me njëra-tjetrën, që komunikonin me një derë të brendshme. Mobilimi ishte projektuar nga Drejtori i Institutit të Projektimeve 1, inxhinieri shumë i talentuar, arkitekt Koçoja.

Tek dhoma e gjumit të Mehmetit, në fund të saj, qe një e ndarë e vogël si trekëndësh, e mbyllur me derë, ku unë hyja herë pas here, pasi kisha vendosur aty një kuti të vogël ku mbështeteshin kabllot dhe bëheshin komutimet e telefonave. Po këtu kisha vendosur një radio VUSH kineze (valë ultra të shkurtra) R705 për ndërlidhje me garnizonin ushtarak të Tiranes. Po në këtë ndarje ndodhej edhe një kasafortë e Kryeministrit, ku ai ruante dokumente personale, si dhe kodet e bisedimit me radio.

Në vjeshtën e vitit 1981 ngjarjet u rrokullisën me shpejtësi të madhe. Ne që ishim më pranë shërbimeve të udhëheqjes i ndienim më shumë këto tensione.

Po përgatitej Kongresi i Partisë dhe thoshim se çfarë qëndrimi do te mbahej për Mehmetin, si do të reagonte ai, duke ditur temperamentin e tij, etj. Fejesa e Skënderit po prishej. Edhe në grupin e sigurimit të Kryeministrit shikohej një stepje. Ata profesionalisht ishin oficerë shumë të përgatitur, me shumë humor dhe mjaft komunikues. Unë, më shumë komunikoja dhe kisha shok shoferin e tij Astrit Hitaj, nga Memaliaj. Ai qe oficer dhe i zoti në profesion, kishte një ‘Citroen’ të zi të bukur. Në biseda me të tjerët ishte pak cinik por bashkë komunikonim mirë.

Grupi i shoqërimit (sigurimit fizik) ishte i vendosur pranë vilës së Kryeministrit, në një ndërtesë njëkatëshe, jashtë rrethimit të saj, ku bëhej shërbim 24 orësh. Aty qenë dhe garazhet e makinave. Në një nga dhomat e garazhit mund të zbrisje në një pus nga ku mund të shkoje në një nga vendkalimet nëntokësore që të shpinte tek vendstrehimi i vilës, që shërbente si vendkomandë për kohë lufte, e pajisur me të gjitha aparaturat e nevojshme të ndërlidhjes për drejtimin e Ushtrisë.

Gjatë atij gushti, të vitit 1981, Mehmeti punonte si zakonisht në zyrë, në Kryeministri. Qe vapë shumë e madhe. Metia, që qe radisti dhe shoqërues i tij, po i piqte misra në shesh, në oborrin e vilës së grupit. Misrat i merrte te bahçja e vilës. Mehmeti e kishte zakon që, në këtë periudhë, në drekë të hante 2 misra të pjekur, që ia çonin në zyrë. Të forcojnë zemrën- thoshte. Higjiena e pjekjes qe zero, por me sa duket zjarri i mënjanonte mikrobet. Unë shkoja ndonjëherë kur piqte misrat dhe bëja biseda me Meten dhe e ndihmoja në pjekje. Pikërisht në një nga këto ditë Metja me tha atë ngjarjen e Mehmetit me Ramizin që kam shkruar më lartë.

***

Filluan përgatitjet për Kongresin e Partisë. Si zakonisht në prag të Kongresit zhvilloheshin disa aktivitete kulturore apo përuruese. Më 31 tetor 1981 do të përurohej Muzeu Historik. Arkitekte e kësaj ndërtese ka qenë vajza e ish-Ministrit të Brendshëm në atë kohë, Feçor Shehu. Unë bashkëpunova me të për disa aspekte të sigurisë së telefonisë në sallën e veçantë. Përurimi u bë pasdite në ora 17:00. Erdhi Enver Hoxha. Në hyrje të muzeut e priti Kryetari i Akademisë së Shkencave, Profesor Aleks Buda. Gjatë vizitës së pavijoneve të muzeut, në një distancë të vogël, grupin e shoqëronte dhe Kryeministri, Mehmet Shehu. Pasi vizitoi pavijonet kryesore historike, ku bëri dhe komentet e tij, duke lavdëruar profesorët dhe punonjësit për punën e bërë, Sekretari i Parë i KQ-së u largua nga hyrja mbrapa dhe gati pas tij iku dhe kryeministri.

Në Pallatin e Kulturës, në qendër të Tiranës, shërbimet e drejtorisë sonë morën në ruajtje, 10 ditë para, ambientet ku do të zhvillohej Kongresi.

Më 31 tetor, pra 24 orë para fillimit të seancave të Kongresit, u bë grumbullimi për kontroll i pajisjeve të nevojshme për kongresin, si kamerat televizive, etj. Ditën e çeljes së Kongresit, shërbimi ynë pati një përplasje me Kryeinxhinierin e Televizionit (TVSH), pasi donte të fuste një kamerë jashtë rregullave pa iu bërë kontrolli një ditë më parë. Kudo kishte nervozizëm, veçanërisht te shërbimet tona. Në tarracat e Ministrive, në tarracën e Hotel Tiranës, të Pallatit të Kulturës dhe të lartësive rrotull tij, kishte shërbim të armatosur 24 orësh me ushtarë të Gardës dhe oficerë të Drejtorisë së Sigurimit të Udhëheqjes.

Në fasadën e Pallatit të Kulturës qe vendosur një portret i madh i Enver Hoxhës, ndërsa në tarracë një parullë po ashtu e madhe ku shkruhej “Lavdi Partisë së Punës të Shqipërisë”.

Më 1 Nëntor 1981 u çel Kongresi i 8-të i Partisë Punës se Shqipërisë. Para sheshit të pallatit të kulturës kishte organizim për grumbullime njerëzish që brohorisnin dhe grupe artistike e valltarë që elektrizonin gjithë ambientin. Salla e Kongresit u mbush me delegatët e zgjedhur dhe po prisnim ardhjen e Udhëheqësit. Ne sfondin e Presidiumit të kongresit ishte i vendosur një flamur i kuq me portretet e Marksit, Engelsit, Leninit dhe Stalinit dhe poshtë flamurit shkruhej Kongresi VIII i PPSH. Në ora 10 mes duartrokitjesh dhe ovacionesh në tribunë vjen Enver Hoxha dhe pas tij anëtarët e Byrosë Politike të PPSH.

Kongresin e hapi si zakonisht komunisti më i vjetër Miha Lako (Ish-Kryetar i grupit Komunist të Kocës para formimit të partisë) tashmë në moshë të thyer, i cili ishte në qendër të presidiumit. Djathtas tij qe Enver Hoxha ndërsa majtas tij qe Kryeministri Mehmet Shehu. Gjatë seancave Enveri me Mehmetin nuk këmbyen asnjë fjalë, ndërsa ky i fundit ishte shumë i ngrysur dhe shikonte nganjëherë nga Enveri. Në kongres edhe Mehmeti mbajti një raport të shkurtër, për veprimtarinë e qeverisë, i cili gjithashtu u prit me duartrokitje nga delegatet. Te gjithë shikonin qe diçka nuk shkonte, nuk kishte përzemërsi, nuk kishte komunikim ndërmjet udhëheqësve siç do të donin delegatët, por nuk e dinin arsyen e kësaj ftohjeje. Arsyeja qe akoma sekret shtetëror. Ne që dinim diçka nuk flisnim.

Megjithatë, Mehmet Shehu u rizgjodh sërish anëtar i Byrosë Politike…

***

Ky mosinformim publik nuk zgjati shumë. Mbledhja e stërzgjatur e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë më 17 Dhjetor 1981 ishte posaçërisht për Mehmet Shehun. Në mbledhje Mehmeti tregoi historinë e fejesës së djalit të tij me vajzën e Turdive. Nuk i vura rëndësi biografisë së tyre, theksoi ai, duke qenë se i ati Qazim Turdiu qe profesor matematike dhe i lidhur me partinë. Gratë tona, pra Nexhmia e Fiqireti, kishin dhënë provim me të. Kështu nuk i vura rëndësi kësaj gjëje si dhe nuk doja t’i prishja dashurinë djalit. Ky qe shpjegimi i Mehmetit për krushqinë për të cilën po diskutonte Byroja Politike. Kritikat qenë pafund në drejtim të tij thuajse nga të gjithë anëtarët e Byrosë i krijuan atij një gjendje habie e revolte të brendshme. Shokët e tij që deri atëherë nuk i kishin bërë asnjë kritikë (mbase nuk kishin guxuar), pale ta akuzonin siç po bënin tani. Tashmë ishin hedhur në sulm të papërmbajtur dhe po e akuzonin për shumë gjëra, të nisur nga servilizmi apo i kishin ndrydhur së brendshmi. U ngritën të gjithë me radhë dhe folën. Mbledhja kishte filluar në ora 9 të mëngjesit dhe zgjati shumë deri në ora 21. Këtu u ngrit Enver Hoxha dhe thotë: “Sikur ta mbyllim për sonte se shkoi vonë dhe e vazhdojmë nesër”.

Në të njëjtën kohë ai i drejtohet Mehmet Shehut dhe i thotë: “Ta mbyllim për sonte, shoku Mehmet me qetësi shikoji të gjitha pyetjet që janë bërë, duke iu drejtuar të tjerëve u thotë – të shikojë dhe diskutimet e bëra e të marri fjalën nesër dhe t’u japi shpjegime shokëve”./Dita/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb