BEOGRAD- Një gjykatë në Serbi i dënoi me kusht 4 persona, dhe la të lirë tre të tjerë që akuzoheshin se i kishin vënë zjarrin ambasadës amerikane në Beograd, pak ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Tre nga të akuzuarit, Dejan Vuçkoviç, Dragan Marinkov dhe Marko Novitoviç, u dënuan me nga gjashtë muaj heqje lirie më kusht për dy vjet, ndërsa Milan Tomash, u dënua me pesë muaj heqje lirie.

Aktgjykimi i sotëm pasoi rikthimin e çështjes në rigjykim pasi që në shtator të vitit 2015, shtatë persona qenë dënuar me nga 5 deri në dhjetë muaj heqje lirie. Në nëntor të vitit 2016, gjykata e Apelit në Beograd vendosi rigjykimin.

Një person humbi jetën kur ambasada amerikane dhe disa ambasada tjera perëndimore u sulmuan nga grupe protestuesish, të cilët hodhën gurë e mjete tjera të forta dhe i vunë zjarrin ambasadës amerikane në shenjë kundërshtimi ndaj mbështetjes perëndimore ndaj pavarësisë së Kosovës, që u shpall më 17 shkurt të vitit 2008.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve në shkëmbim të afrimit me strukturat e Bashkimit Evropian.

Ende nuk ka pasur ndonjë reagim ndaj vendimit të sotëm të gjykatës serbe, por diplomatët amerikanë kanë kërkuar vazhdimisht nga Beogradi që të vërë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin mbi ambasadën amerikane.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb